Ekonomi

Kosova, qendër e zhvillimit të ekonomisë digjitale

Autori: Gazeta inFokus 10:18 | 04 July 2018

Zëvendësministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Bujar Cakolli, thotë se vizioni i tyre është që Kosova të shndërrohet në një qendër të zhvillimit të ekonomisë digjitale

Në mënyrë që rritja ekonomike e Kosovës të arrihet duke u bazuar në ekonominë e dijes, atëherë duhet të jetësohet vizioni që vendi të shndërrohet në një qendër të ekonomisë digjitale. Kështu thotë gjatë një interviste Bujar Cakolli, zëvendësministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Qeverinë e Kosovës, duke shtuar se kjo Ministri është themeluar me qëllim të ndjekjes së trendëve të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik, si dhe proceseve të globalizimit, si nevojë e kohës dhe mundësive për zhvillim.

Cakolli bënë të ditur se buxheti i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë për këtë vit, për sektorin privat  do të jetë në vlerë prej 9 milionë euro, ku 2 milionë euro janë investime kapitale, kurse 7 milionë euro euro janë investime direkte në sektorin privat. Përfitues të drejtpërdrejt të këtyre investimeve do të jenë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe  sektori joqeveritar të cilët janë të fokusuar në zhvillimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë. Sektorët me prioritet të cilët, sipas zëvendësministrit Cakolli, do të gëzojnë përkrahjen e Ministrisë do të jenë: Teknologjia informative, energjia, agrikultura, mbrojtja e ambienti, shëndetësia, edukimi etj.

-Advertisement-

A mund t’i numëroni pesë zhvillimet kryesore në fushën e inovacionit, ku Kosova ka ecur mirë gjatë viteve të fundit dhe që mund të krahasohet me shtetet fqinje?

Cakolli: Në rend të parë do të veçoja infrastrukturën ligjore, pastaj infrastrukturën fizike (Kosova ka një rrjet dhe shtrirje të  mirë të Internetit), shkallën e lartë të penetrimit të Internetit (gati 80%), hapja e qendrave të inovacionit dhe ndërmarrësisë, sidomos në Prishtinë, por rinia ende mbetet pjesa më e madhe dhe më vlefshme e shoqërisë sonë. Vizioni ynë është që Kosova të shndërrohet në një qendër të zhvillimit të ekonomisë digjitale, pasi që synojmë që rritja ekonomike të bëhet duke u bazuar në ekonominë e dijes. Ne kemi një popullsi relativisht të re, e cila është bazë e fuqisë konkurruese dhe përmes saj synojmë identifikimin dhe brendimin e vendit tonë me produkte inovative.

Potenciali i të rinjve të Kosovës, shkathtësitë e tyre janë pasuria e vërtetë e Kosovës dhe fuqia konkurruese e saj.

Ka më pak se një vit se Kosova ka edhe Ministrinë e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, ku ju ushtroni postin e zëvendësministrit. Cilat do të jenë synimet kryesore të kësaj Ministrie për zhvillimin e këtij sektori?

Cakolli: Me qëllim të ndjekjes së trendëve të zhvillimit ekonomik dhe teknologjik si dhe proceseve të globalizimit, është themeluar Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, si nevojë e kohës dhe mundësive për zhvillim. Forcimi i kapaciteteve tona të brendshme në përmbushjen e misionit tonë, bashkëveprimi dhe bashkëpunimi i vazhdueshëm me akterët e tjerë, rritja e bashkëpunimit dhe përkrahjes për sektorin privat, si dhe mbështetja direkte financiare e Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme (NVM-ve) dhe bizneseve Start-up dhe iniciativave private me qëllim të zhvillimit të ideve inovative,  janë parametra të cilët do të ndikojnë direkt në performancën tonë si Ministri e Inovacionit dhe Ndëmarrësisë. Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë  ka intensifikuar veprimtarinë për hartimin e Strategjisë për Inovacion dhe Ndërmarrësi 2018-2023, si dhe në një fazë të mëvonshme edhe të Ligjit për Inovacion dhe ndërmarrësi, i cili do të mbështesë në mënyrë ligjore dhe institucionale aktivitet e MIN(Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë), si dhe te bashkërendoj aktivitetet e ministrive te ndryshme lidhur me inovacionin dhe teknologjinë. Përpjekje të rëndësishme janë duke u bërë gjithashtu për stimulimin e aktiviteteve inovative në Republikën e Kosovës, të lidhura ngushtë me ndërmarrësinë dhe fushat tjera të ekonomisë, duke fuqizuar sektorin privat, nxitjen dhe promovimin e bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe donatorët, si dhe për forcimin e kapaciteteve administrative të Ministrisë. Hapa të rëndësishëm janë hedhur në drejtim të forcimit të funksionimit të  kapaciteteve të brendshme administrative dhe ekspertizës në fusha të ndryshme.

 Projektet që do të përkrahen

Cilat projekte do t’i përkrahë gjatë këtij viti dhe gjatë vitit të ardhshëm dhe cilat do të jenë planet afatmesme dhe afatgjata të Ministrisë?

Cakolli: Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë do të përkrah Iniciativat e të rinjve, duke hapur Qendra rajonale të Inovacionit dhe Inkubator Biznesi. Gjithashtu do të ketë skema të financimit të projekteve dhe start up-eve, nëpërmjet investimeve në ekuitet apo duke dhënë grante. Përkrahja financiare nuk do të jetë e limituar, mirëpo do të investohet sipas kërkesës dhe nevojës.  Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, do të përkrahë  edhe sektorin jo-Qeveritar, programi i punës i të cilave është i fokusuar në fushën e inovacionit dhe ndërmarrësisë dhe që kontribuojnë në promovimin e zhvillimit të inovacionit dhe ndërmarrësisë në Republikën e Kosovës. Duke parë që tregu i sektorit të teknologjisë në përgjithësi dhe ai i ofrimit të shërbimeve teknologjike po rritet shumë shpejtë ne si Ministri po bëjmë punë shumë të madhe që potencialin e të rinjve ta stimulojmë, duke u munduar që Kosovën ta bëjmë Qendër rajonale të zhvillimit të ekonomisë digjitale. Qeveria ka bërë  bënë punë të rëndësishme në këtë aspekt duke marrë vendim për  lirimin nga taksa doganore për pajisjet e teknologjisë. Angazhimi i përbashkët i Institucioneve, OJQ-ve dhe sektorit privat garanton rezultate konkrete në zhvillimin ekonomik të vendit.  Ndërmarrësia sociale si një mekanizëm nxitës për punësimin, na bën të ndërgjegjshëm për mbështetjen që ne si Ministri mund të japim ndaj grupeve të cenueshme si: gratë, si dhe grupet e personave me aftësi të kufizuara. Kosova ka terren të përshtatshëm për zhvillimin e tyre, duke qenë se nevojat janë të shumta dhe se një pjesë e madhe e popullsisë janë të papunë. Roli i ndërmarrjeve sociale në zhvillimin ekonomik-social është i madh dhe ne ende jemi në fazën fillestare.

9 milionë euro buxhet

Sa është buxheti i Ministrisë për projektet në fushën e inovacionit dhe kush do të ketë përparësi të përfitoj nga fondet qeveritare?

Cakolli: Buxheti i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë për këtë vit, për sektorin privat  do të jetë në vlerë prej 9,000,000 euro, ku 2,000,000 euro janë investime kapitale kurse 7,000,000 euro janë investime direkte në sektorin privat. Përfitues të drejtpërdrejt të këtyre investimeve do të jenë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme si dhe  sektori joqeveritar të cilët janë të fokusuar në zhvillimin e inovacionit dhe ndërmarrësisë. Sektorët me prioritet të cilët do të gëzojnë përkrahjen tonë do të jenë Teknologjia Informative, Energjia, Agrikultura, Mbrojtja e Ambienti, Shëndetësia, Edukimi etj.

Ministria e Inovacionit javë më parë ka lansuar ‘Fondin për Inovacion’. Sa është shuma e përgjithshme e këtij fondi, kush mund të jenë përfituesit dhe kur do të bëhet përzgjedhja e tyre?

Cakolli: Siç e thash edhe më  parë  ne kemi lansuar “Fondin për Inovacion”, implementimi i të cilit është  në  fazën e përmbylljes së  thirrjes publike për aplikim të  organizatave joqeveritare. Në  udhëzuesin që  e kemi publikuar e që  quhet ‘Programi për financimin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë’  janë  të  specifikuara të  gjitha prioritet dhe kriteret që  duhet t’i plotësojnë  projektet inovative konkurruese nga OJQ-të ,  për të  fituar përkrahje financiare nga ky fond. Qëllimi i këtij fondi është  përkrahja e projekteve që  kontribuojnë  në  promovimin e zhvillimit të  inovacionit dhe ndërmarrësisë , gjithnjë  duke synuar arritjen e efekteve në  ekonomi.  Këtë  program e kemi ndarë  në  tri nivele të  financimit: Niveli i parë  kap vlerën prej 15 mijë  euro, niveli i dytë  shkon deri në  50 mijë  euro ndërsa, niveli i tretë  do të  jetë  deri në  200 mijë  euro. Buxheti i MIN për këto kategori do të  jetë  rreth 1 milion euro, ndërsa edhe GIZ-i gjerman do të  kontribuoj me rreth 1 milion euro për këtë  destinim.  Ndërsa, buxheti total i MIN për përkrahjen e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë  është  rreth 10 milion euro nga e cila shumë , rreth 7 milion euro janë  të  alokuara nga buxheti qeveritar për kategorinë subvencione dhe transfere, rreth 2 milionë janë  ndara për investime kapitale që  MIN i ka planifikuar t’i realizoj në  funksionalizimin e minimum 3 Qendrave Rajonale të  Inovacionit dhe Ndërmarrësisë  gjatë  kë tij viti dhe pjesa tjetër e buxhetit është  e alokuar për paga, mëditje, mallra e shërbime.

Ndërkombëtarizimi i Kosovës në aspektin e ekonomisë digjitale

Keni paralajmëruar se në vitin 2019 do të funksionalizohet Parku i Inovacionit dhe Trajnimeve në Prizren.  Çka synoni të arrini nëpërmjet këtij Parku?

Cakolli: Ne, jemi duke punuar intensitet të shtuar sa i përket funksionalizimit të  Qendrave Rajonale të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë me qëllim të orientimit te të rinjve në aplikimin e ideve dhe projekteve inovative dhe përdorimin e metodave më të  avancuara të teknologjisë  dhe industrisë. Në kuadër të këtij projekti MIN, është e përkushtuar që të filloj punët me prioritet rreth funksionalizimit të Parkut të Inovacionit dhe Trajnimeve në  Prizren, për arsye se kemi vlerësuar që kjo qendër përveç inkuadrimit te të rinjve nga rajoni i Prizrenit do të jetë një mundë si e mirë dhe pikë strategjike për pranimin e të  rinjve nga rajoni, si ata nga Republika e Shqipërisë. Me këtë rast ne synojmë ndërkombëtarizimin e Kosovës në aspektin e ekonomisë digjitale.

Ky Park pritet të funksionalizohet dhe të fillojë punën në fillim të vitit 2019, në kuadër të  hapësirave të kampit të  KFOR-it Gjerman.

Prizreni, një ‘mini Luginë Silikoni’

Synoni që Prizreni të shndërrohet në një ‘Mini Luginë të Silikonit’, bazuar në modelin amerikan?

Cakolli: Po është e vërtetë që kemi një synim të tillë. Kjo iniciativë është  e bazuar në përbërjen e popullsisë  tonë , që  mbi 60% e përbëjnë  të rinjtë nën moshën 35 vjeçare.  Andaj, në  aspektin politik fillimisht kemi arritur këtë  objektivë  strategjike me themelimin e Ministrisë  së  Inovacionit dhe Ndërmarresisë  dhe do të  vazhdojmë  me përmbushjen e synimit tonë  për ta shndërruar Kosovën në  një  vend, i cili zhvillimin ekonomik dhe social e orienton në zhvillimin dhe promovimin e ekonomisë  digjitale.

Përveç investimeve nga buxheti i Ministrisë a synoni që në Kosovë të tërhiqen edhe investitorë të huaj që janë të fokusuar në këtë fushë?

Cakolli: Inovacioni është një veprimtari e kushtueshme dhe buxheti i Ministrisë do të përdoret në mënyrën më të mirë të mundshme për të injektuar inovacionin në bizneset kosovare dhe për të mbështetur ide inovative nëpër të gjithë sektorët e ekonomisë së Kosovës. Ministria e Inovacionit do të ishte mese e interesuar për të tërhequr investitorë të huaj me fokus inovacionin, sidoqoftë deri më sot nuk kemi pasur shprehje interesi. Ideja për të ndërmarrë një rol proaktiv në tërheqjen e investitorëve të huaj me fokus inovacionin nuk është se nuk qarkullon nëpër agjendat tona, sidoqoftë, kompani të tilla kërkojnë buxhete të mëdha që as për së afërmi buxheti jonë nuk do t’i mbulonte. Për shembull, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë Ministri Inovacioni me një buxhet prej qindra miliona euro dhe se do të ishte e vështirë për të konkurruar në atraktivitet kundrejt tyre. Çfarë ne duam të arrijmë është që të mbështesim ide inovative për të zhvilluar ekonominë kosovare e qe si rezultat i inovacioneve të tilla të tërheqim investitorë potencial.

Sektori bankar i Kosovës viteve të fundit ka modernizuar shërbimet, të cilat janë mirëpritur nga klientët. Si i vlerësoni zhvillimet që kanë ndodhur në këtë sektor?

Cakolli: Sektori bankar në Kosovë është e vërtetë se ka modernizuar shërbimet në Republikën e Kosovës. Sidoqoftë, nuk jam i sigurt nëse ka pasur ndonjë inovacion në liferimin e shërbimeve bankare në krahasim me vendet e Evropës Perëndimore. E-banking mund të jetë shërbim inovativ në Kosovë por aplikohet në vendet e Evropës që pas vitit 2000. Në anën tjetër, sektori bankar në Kosovë ka përfituar nga një bazë e talentuar e profesionistëve të IT të formësuar në Kosovë.

A planifikoni që të bashkëpunoni me bankat komerciale për të investuar bashkërisht në shërbimet inovative tjera për këtë sektor?

Cakolli: Sektori bankar është një sektor i injektuar mirë me kapital dhe sektor mjaft profitabil. Neve nuk do të hezitonim të përkrahnim çfarëdo ideje inovative në sektorin bankar, inovacion i cili do të shtonte vlerë në zinxhirin e gjithmbarshëm të ekonomisë kosovare. Ne me shume do të ishim të interesuar të përkrahnim ndonjë iniciativë nga biznese lokale, të cilat do të prodhonin solucione inovative për sektorin bankar kosovar dhe pse jo i njëjti inovacion të eksportohet gjithandej. Pra, në përgjithësi duke pas parasysh buxhetin e limituar, shpresojmë të përkrahim inovacione lokale për konsum lokal dhe ndërkombëtar. Kësisoj, investimi i fondeve publike do të bëhet i arsyeshëm dhe fitimprurës për Republikën e Kosovës dhe taksapaguesit e saj.

A ka potencial Kosova, bazuar në shkathtësitë e gjeneratave të reja, për të pasur sukses në fushën e inovacionit, duke u krahasuar edhe me disa nga shtetet perëndimore?

Cakolli: Fusha e inovacionit, sipas mendimit tim, është ngushtë e lidhur me fushën e arsimit, andaj për të pasur suksese në fushën e inovacionit ne duhet të kemi edhe arsim cilësor. Gjeneratat e reja, apo siç njihen në domenin tonë janë “vendasit digjital”, pra kanë një anim natyral kah teknologjia, por për tu krahasuar me shtetet perëndimore, Kosova duhet të investoj në ngritjen e cilësisë në arsim (para-universitar dhe universitar).

Eksporti i shërbimeve

Cilat janë mundësitë që Kosova ta rris eksportin e shërbimeve, sidomos në fushën e teknologjisë informative?

Cakolli: Ne e shohim sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve (TIK) si sektor me mundësi të mëdha jo vetëm për hapjen e vendeve të reja të punës, por edhe mundësi për “outsource”, pra për eksportim të shërbimeve nga fusha e TIK-ut. Dhe kjo situatë është tani duke ndodhur në Kosovë, ku kemi shumë kompani kosovare që eksportojnë shërbimet e tyre (softuerike) jashtë Kosovës. Prandaj Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë ka dizajnuar disa projekte dhe po mbështet financiarisht për të nxitur edhe më tej skemat e tilla dhe kompanitë e reja që eksportojnë këto shërbime.

9 milionë euro është buxheti për këtë vit i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, prej të cilave 7 milionë euro janë investime direkte për sektorin privat dhe 2 milionë euro për investime kapitale.

80% është shkalla e penetrimit të Internetit në Kosovë. INFOKUSI

 

 

 

 

 

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy