Lajme

Ymeri: Ahmeti është kandidati më i mirë për kryeministër

Autori: Gazeta inFokus 12:47 | 19 May 2018

Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, thotë se zgjodhën Partinë Socialdemokrate për të vazhduar rrugën e tyre politike pas ndarjes nga Vetëvendosja, sepse me bindjet e tyre politike i përqafojnë edhe vlerat edhe konceptetin socialdemokrat të politikbërjes dhe qeverisjes.

Në një intervistë për KosovaPress, numri dy i PSD-së, thekson se socialdemokracia në Kosovë është jashtëzakonisht e domosdoshme, prandaj zgjodhën një parti e cila tashmë ishe në skenën politike që bashkë me të, ta ringjallin edhe njëherë diskutimin për socialdemokracinë.

Ymeri në këtë intervistë theksoi se PSD-ja, mendon që Kosova duhet të jetë republikë e qytetarëve dhe qytetaria është edhe barazi në të drejtat që i gëzon e shërbimet publike që i ofron shteti dhe në anën tjetër është edhe burim i sovraniteti.

-Advertisement-

“Ne konsiderojmë që secili qytetar i Republikës së Kosovës pa dallim të përkatësisë së tij apo saj kombëtare, pa dallim përkatësisë gjinore, besimeve fetare, do të duhej të ishte qytetar i barabartë dhe t’i gëzoj privilegjet e barabarta, por njëkohësisht të kishte lojalitetin dhe përgjegjësinë e barabartë karshi Republikës së Kosovës. Mendoj që ky postulat i arrin sanimin e dy problemeve goxha të mëdha që kemi sot në Kosovë. Në njërën anë ky postulat po të ndiqet dhe investohet në të me politika dhe masa konkrete e arrinë një kohezion shumë më të mirë shoqëror sepse nga ky pikëvështrim, pikësynim është shoqëria dhe individi në shoqëri, atëherë politikat institucionale do duhej që të drejtoheshin drejt rritjes së kapaciteteve të ekonomisë sonë për të ofruar mirëqenie të ata qytetarë që nënkupton e zhduk hendekun ose redukton hendekun mes të varfërve dhe të pasurve”, theksoi ai.

Ymeri thotë se një dinamikë e zhvillimit ekonomik që do duhej t’i ndodhë Kosovës, do duhej të ishte e ndryshme prej asaj që është sot.

Sipas tij, në vend se të ketë një rritje ekonomike siç thotë Qeveria e cila kryesisht bazohet në qarkullimin e financave në Kosovë, remitencave që vijnë nga jashtë dhe të cilat pastaj njëkohësisht shpenzohen për të importuar mallra nga jashtë, duhet të ndërtojnë mundësi dhe pika të akumulimit të kapitalit brenda Kosovës.

“Një është që ka një kontroll shumë të madhë nga ndërmarrjet e mëdha që kanë qarkullim të madhë mbi politikat shtetërore dhe i orientojnë sipas interesave të tyre. Rrjedhimisht kemi politika që shumë më shumë e favorizojnë importin e mallrave nga jashtë duke qenë se ndërmarrjen me të mëdha janë edhe ndërmarrje tregtare se sa që kemi politika shtetërore që e ndihmojnë dhe subvencionojnë prodhimin e brendshëm. Dhe kjo na shkakton problemin më të madh, që është papunësia. E dyta, është që nuk ka respektim të të drejtave e interesave të punëtorëve, veçanërisht në sektorin privat. Pra, këto dyja duhet të adresohen, dhe adresimi bëhet me ligj”, u shpreh ai.

Ymeri ka folur edhe për bashkëpunimin që PSD-ja do ta ketë me partitë tjera në Kuvend, duke përfshirë edhe ish partinë e tij, Vetëvendosje

“Natyrisht se po dhe ne e kemi shprehur këtë vazhdimisht sa herë kemi pasur paraqitje publike ne kemi shprehur interesim që të bashkëpunojmë. Nuk e kam parë të njëjtin vullnet nga ana tjetër, gjë që më duket edhe e çuditshme edhe pak e habitshme, bile edhe problematike dorën në zemër, sepse natyrisht që të gjithë duhet ta dimë që asnjëra prej forcave politike nuk mund të bëjë asgjë të mirë nëse nuk është i gatshëm të bashkëpunoj edhe me tjerët, tash kjo me tjerët nuk nënkupton të bashkëpunojmë me secilin për gjithçka, por kjo nënkupton që për çështje të caktuara dhe me ata që është e mundshme të bashkëpunohet, të bashkëpunohet sepse kështu e rrisim mundësinë dhe kapacitetin. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojë, por nëse Vetëvendosje në këtë rast nuk janë të gatshëm ne nuk mund të bashkëpunojmë”, tha Ymeri.

Derisa në Kuvendin e Kosovës, PSD ka ngritur një mori çështjes që kanë të bëjnë me bashkëpunimin me Shqipërinë, Ymeri thotë se kjo nuk është se po i hyjnë në pikat programore të Vetëvendosjes, sepse nuk mund ta monopolizojë askush çështjen e bashkimit kombëtar.

“Mendoj që asnjë parti politike, as aktualisht e as historikisht nuk mund të monopolizoj çështje të caktuara. Bashkimi kombëtar është aspiratë e shqiptarëve, nuk është e një partie politike cilado qoftë ajo, e as e jona dhe në këtë drejtim konsideroj se është domosdoshmërisht e rëndësishme që ta intensifikojmë dhe dinamizojmë bashkëpunimin tonë me Shqipërinë, sepse kështu mendoj që së paku në sferën ekonomike, por që besa edhe në atë të sigurisë e të arsimit, ne vetëm bashkë mund t’ia dalim dhe mund t’ia dalim shumë më mirë. Nuk ka asgjë të keqe që të kemi një union doganor mes dy tregjeve, duke rritur tregun ne ia rrisim potencialin ekonomik të dyja shteteve, edhe Shqipërisë edhe Kosovës”, u shpreh Ymeri.

Ndërsa, duke folur për zgjedhjen e drejtuesve të PSD-së, Ymeri theksoi se bashkërisht kanë vendosur që Shpend Ahmeti ta drejtojë këtë parti, meqë kanë vlerësuar se ai është më i miri prej tyre, porse nuk ka qenë kërkesë e as kusht i tij.

“Jo aspak, faktikisht e kemi diskutuar natyrisht me të gjithë ata aktivistë e bashkëpunëtor tonë dhe bashkërisht kemi vlerësuar se Shpendi është më i miri për ta drejtuar PSD-në në këtë mandat dhe në këtë drejtim nuk ka qenë kërkesë e tij, ka qenë me shumë kërkesë e jona që ai të bëhet kryetar i PSD-së dhe unë edhe njëherë i uroj punë të mbarë dhe bashkë me Shpendin jo vetëm që do ta drejtojmë PSD-në, ashtu siç duhet por besoj se PSD shumë shpejt do të jetë një prej forcave kryesore dhe më domethënëse në Kosovë…. Unë personalisht mendoj që Shpendi është një kandidat jashtëzakonisht i mirë edhe për kryeministër, sepse është dëshmuar në pozicione të ndryshme deri tash, e besoj me së shumti është dëshmuar si kryetar i Prishtinës, i cili për një mandat që e ka pasur me gjithë ato probleme, ka arritur megjithatë që ta transformoj këtë qytet”, theksoi Ymeri.

Derisa, i pyetur pse Dardan Molliqaj nuk është në krye të kësaj partie, Ymeri tha se organizimi i tyre është i atillë që të ketë një ndjesi barazie për të gjithë, por jo që e kanë lënë anash dikë.

Duke folur për organizimin e tryezave dhe mundësisë së arritjes së një konsensusi për shumë çështje, thotë se tryezat janë thuajse koti, meqë për tema të tilla do duhej të debatohej në Kuvend. Megjithatë, ai e sheh të dëshirueshme dhe të mirë për Kosovën që të tema të rëndësishme të kenë konsensus

“Mendoj që do të kishte me qenë edhe e dëshirueshme edhe e mirë për Kosovën nëse arrijmë një konsensus, një pajtim se çka duhet të bëjmë për këto tema. Veçanërisht po flas prapë me dialogun me Serbinë i cili nga historiku po flas mund të na sjellë probleme shumë të mëdha, deri të edhe ndarje në dysh të shoqërisë për çështje të caktuar dhe në këtë drejtim konsideroj që konsensusi do të ishte i mirëseardhur. Por e shoh pak të vështirë që të arrihet për shkak të një insistimi shpesh herë edhe të pakuptimtë të disa prej forcave politike e veçanërisht PDK-së, që t’i mbroj edhe ato të pabëra e të dëmshme e të rrezikshme që i kanë bërë në të kaluarën njerëzit e tyre”, u shpreh ai.

Ndërsa, i pyetur nëse do t’i bashkoheshin një mocioni të mosbesimit ndaj Qeverisë, Ymeri tha se aktualisht nuk i kanë 61 vota të deputetëve shqiptarë për ta bërë këtë, pa e marrë edhe Listën Serbe, por shton se nuk duan që me votat e Listës Serbe ta rrëzojnë Qeverinë, sepse kjo do t’i bie që po e bëjnë me lejen e Beogradit dhe nuk duan që Vuçiqi t’ua përcaktojë se kur mbahen zgjedhjet.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Coffee Show B2B në Zagreb nga Devolli Corporation
-Advertisement-

Të tjera