Lajme

Nxënesit e Prishtinës nuk ua shkelin pragun bibliotekave

Autori: Gazeta inFokus 14:53 | 23 April 2018

Ka pak biblioteka. Por, edhe ato nuk shfrytëzohen shumë.

Nxënësit e shkollave të mesme të larta të Prishtinës, për të lexuar më shumë e preferojnë shtëpinë.

Rreth 90 për qind e të rinjve të kryeqytetit lexojnë nëpër shtëpitë e tyre, shkruan Infokusi.com.

-Advertisement-

Së paku kështu thuhet në raportin hulumtues “Lexueshmëria në shkollat e mesme të larta në Prishtinë”, që ka publikuar të hënën Organizata Joqeveritare ETEA.

Në bazë të këtij raporti, përqindja e nxënësve që lexojnë nëpër bibliotekat e qytetit është shumë i vogël.

Vetëm 8 për qind e nxënëseve preferojnë të lexojnë në hapësira të tilla.

LEXO EDHE: Sa biblioteka dhe sa lexues ka në Kosovë?

Por, përveç shtëpive e bibliotekave, ka edhe të tillë që pëlqejnë të lexojnë në mjete transporti, kafene e edhe natyrë, ani pse në përqindje të vogël.

“Hapësirat në të cilat nxënësit lexojnë: 89.84 për qind në shtëpi, 8.33 për qind në bibliotekë, 1.51 në natyrë, 0.20 për qind në mjete transporti dhe 0.9 për qind në kafene”, thuhet në hulumtimin e publikuar nga ETEA.

Përveç që nuk lexojnë, të rinjve të kryeqytetit edhe aktivitetet që kanë të bëjnë me librin u duken të mërzitshme.

LEXO EDHE: Ja për çka po i përdorin prishtinasit librat

Bazuar në të dhënat e këtij hulumtimi del se 79 për qind e të rinjve nuk kanë interesim të ndjekin çfarëdo aktiviteti që ka të bëjë me librin dhe leximin në përgjithësi.

“Lidhur me aktivitetet që kanë të bëjnë me librin, 34 % e të rinjve deklarohen se nuk kanë informata të tilla. Ndërsa, vetëm 1.8 % të të rinjve  posedojnë informata lidhur me aktivitetet e ndryshme që kanë të bëjnë me librin dhe i ndjekin në mënyrë të vazhdueshme aktivitetet në fjalë”, thekson më tej raporti i ETEA-së.

Fakt shqetësues në bazë të këtij raporti mbetet edhe tendenca e vazhdueshme e nxënësve për plagjiaturë. Thuhet që pjesa dërmuese e nxënësve e dorëzojnë të njëtin punim pa asnjë ndryshim.

“Afro 73 % e nxënësve deklaruan se për të përplotësuar obligimin për leximin dhe reflektimin rreth literaturës obligative shërbehen me punime të gatshme nga interneti ose i kopijojnë ato nga shokët dhe shoqet e klasës”, thuhet në hulumtim.

 

Ndryshe, 23 prilli është caktuar si dita ndërkombëtare e librit nga UNESCO në Konferencën e Përgjithshme të mbajtur në Paris në vitin 1995./Infokusi

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Intervistë: Dr. Gorazd Konjanovski – Klinika Zhan Mitrev ka luajtur një rol kyç në vendosjen e themeleve në kardiokirurgji dhe…
-Advertisement-

Të tjera