Lajme

Komunitetet e diskriminuara

Autori: Gazeta inFokus 15:18 | 15 February 2018

Bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë në Kosovë shohim se rreth 13 % të numrit të përgjithshëm i takojnë komuniteteve jo shumicë, duke përfshirë këtu edhe komunitetin romë, ashkali dhe egjiptian. Komunitete këto që konsiderohen ndër më të diskriminuarit dhe me gjendjen më të keqe ekonomike në Kosovë.

Por edhe përkundër përpilimit të strategjive për integrimin e këtyre komuniteteve, del se ato janë shumë pak të integruara. Nga 11.918 të punësuar në të gjitha dikasteret e qeverisjes qendrore në Kosovë, janë vetëm 19 të punësuar nga komunitetet romë, ashkali dhe egjiptian. Gjithmonë duke u bazuar në të dhënat e siguruara nga Ministria e Administratës Publike, kuptojmë se këta persona krahasuar me numrin e përgjithshëm të tyre janë të integruar në qeverisjen qendrore vetëm 0,053%, pra as 1%.

Sipas zyrës së avokatit të popullit, përkatësisht zyrtares për informim të këtij dikasteri, Majlinda Lulaj, gjendja e komunitetit RAE nuk është aspak e mirë për sa i përket punësimit të tyre në institucionet shtetërore. Ajo tha se përveç mungesës së shkollimit, pjesëtarët e këtij komuniteti mbeten jashtë institucioneve shtetërore edhe për shkak të mungesës së vullnetit, kryesisht politik.

-Advertisement-

“IAP vlerëson se komunitet rom, ashkali, egjiptian në relacion me komunitetet tjera janë më të diskriminuarat në Kosovë në shumë çështje përfshirë punësimin. Në këtë aspekt, Qeveria e Kosovës ka dështuar në marrjen e iniciativave konkrete në ofrimin e kushteve të përshtatshme për punësim. Kryesisht komunat dhe ndërmarrjet publike në nivel lokal ofrojnë punësim të përkohshëm, por ai nuk ofron qëndrueshmëri në përkujdesje dhe në mirëqenie të familjeve të këtyre komuniteteve. Për disa vite me radhë janë ofruar mundësi të punës praktike në disa institucione shtetërore për këto komunitete dhe këto lloj praktikash duhet akoma të vazhdojnë, ani pse ato shumë pak kanë ndikuar në punësim të qëndrueshëm”, tha Majlinda Lulaj, zyrtare në Zyrën e Avokatit të Popullit.

Ndonëse, ajo shtoi se përkundër gjendjes së keqe të këtyre komuniteteve në shumë sfera përfshirë këtu edhe punësimin, Zyra e Avokatit të Popullit gjatë këtij viti nuk ka pranuar as edhe një ankesë nga pjesëtarët e këtij komuniteti.

Sipas hulumtimit të realizuar me kërkesë nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur, këto familje jetojnë me 119.68 euro në muaj, kurse një person nga ky komunitet, bazuar në këto të dhëna jeton me vetëm 0.71 cent në ditë, përkatësisht me 21.37 euro në muaj. Krahasuar me nivelin më të ulët të varfërisë në botë sipas Bankës Botërore, që është diku rreth 1.90 dollar amerikan në ditë për kokë banori, mund lehtësisht ta bëjmë krahasimin mes pjesëtarëve të komunitetit RAE dhe banorëve të kontinentit afrikan.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova dhe Komiteti Olimpik i Kosovës nënshkruajnë vazhdimin e marrëveshjes së sponsorizimit për periudhë 10-vjeçare
-Advertisement-

Të tjera