Lajme

Pasaporta e Kosovës si e Iranit, politikanët marrin të shteteve tjera lëvizje të lirë

Autori: Gazeta inFokus 14:01 | 14 January 2018

Pasaporta e Kosovës në radhitjen e fundit ndërkombëtare të fuqisë së saj, është renditur në vendin e 96-të, marrë parasysh se qytetarët e saj mund të udhëtojnë në vetëm 38 vende të botës pa viza.
Vendin e 96-të, Kosova e ndan me Iranin. Pasaporta më e “fuqishme” është cilësuar ajo e Gjermanisë, e cila u jep qytetarëve qasje në 177 vende të botës. Derisa vendin e fundit, të 104-të, e mban pasaporta e Afganistanit.

Ky është rezultati i një hulumtimi të kompanisë ‘Henley Passport Index”, që flet për fuqinë e pasaportave të shteteve të botës, bazuar në ‘lirinë e lëvizjes së bartësit të një pasaporte në shtete të ndryshme, pa pasur nevojë për vizë’.

Qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë ndajnë të njëjtin mendim me këtë hulumtim. Ata thonë se pasaportën e tyre shumë pak e shfrytëzojnë, pasi që në vendet si ato të Bashkimit Evropian iu duhet të pajisen me vizë.

-Advertisement-

Merita Kastrati, studente në Universitetin e Prishtinës e konsideron pasaportën e Kosovës si një pasaportë jo edhe aq të vlefshme, për faktin, siç thotë ajo, “nuk mund të udhëtosh me të në asnjë nga vendet e BE-së”.

“Me pasaportë të Kosovës askund nuk mund të udhëtosh. As që e kam përdor ndonjëherë. Në Shqipëri e Maqedoni atje ku shkoj më shpesh, udhëtoj vetëm me letërnjoftim. Pasaportën e mbaj në dollap nuk më hyn në punë fare”, thotë ajo.

Ngjashëm shprehet edhe Arjeta Sylejmani:

“Unë e kam pasaportën e Kosovës, por po presim që po bëhet liberalizimi i vizave, përndryshe me pasaportën time nuk mund të udhëtoj askund”.

Adonis Kryeziu, qytetar nga Prishtina, thotë se është pajisur me pasaportë biometrike të Kosovës qysh para dy viteve kur edhe ishte premtuar se Kosova do të ketë liberalizim të vizave.

Megjithatë, ai thotë se këtë pasaportë nuk e ka përdorur as për një herë të vetme.

“Me këtë pasaportë të Kosovës, përveç shteteve të rajonit ku mund të shkosh pa viza, si në Shqipëri, Mal të Zi dhe Maqedoni nuk mund të shkosh askund. Derisa ne, si qytetarë, nuk kemi mundësi të udhëtojmë pa viza, liderët e institucioneve kanë marrë pasaporta të Shqipërisë, me të cilën ata mund të udhëtojnë në vendet e BE-së, por jo edhe ne qytetarët”, thotë ai.

Një numër i madh i udhëheqësve shtetëror, i deputetëve, por edhe i njerëzve me funksione të larta, kanë shtetësinë e Shqipërisë dhe pasaportat, për të cilat nuk vlen regjimi i vizave me Bashkimin Evropian.

Përmes dekretit të presidentit të Shqipërisë, gjatë kësaj jave pasaportën e Shqipërisë e ka marrë kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe bashkëshortja e tij, Anita.

Ndërkaq, duke u thirrur në të drejtën e dyshtetësisë, pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë e kanë shfrytëzuar të drejtën që të pajisen me dokumente të Serbisë.

Njësoj, kanë vepruar edhe qytetarët shqiptarë nga Lugina e Preshevës, të cilët jetojnë në Kosovë, por posedojnë dokumente të Serbisë.

Përveç qytetarëve, të cilët thonë se me pasaportën e Kosovës nuk arrijnë të udhëtojnë në vendet e BE-së pa viza, me këtë problem po ballafaqohen edhe kompanitë vendore.

Sylejman Konushevci pronari i kompanisë “Inter Company”, që merret me prodhimin e vajit ushqimor, kohë më parë i kishte thënë Radios Evropa e Lirë se ka qenë i detyruar të punësojë shoferë nga vendet tjera të rajonit që kanë pasaportë, më të cilën udhëtojnë pa viza.

Pamundësia për të lëvizur pa viza në vendet e BE-së, e ka detyruar atë që të largojë nga puna qytetarë nga Kosova dhe të punësojë qytetarë nga vende të ndryshme të Bashkimit Evropian dhe nga rajoni.

“Të gjithë shoferët që kemi për transport ndërkombëtar, i kemi nga shteti i Maqedonisë dhe Bullgarisë, kurse maunet i kemi të regjistruara në Kosovë. Pra, për shkak të mungesës së liberalizimit detyrohemi të punësojmë qytetarë nga vende të ndryshme, që kanë mundësi të lëvizin pa viza”, ka thënë Konushevci.

Liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës po e mban peng mosratifikimi i demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Mungesa e ratifikimit, ndërlidhet me kundërshtimet e brendshme nga një pjesë e spektrit politik, i cili vlerëson se me anë të kësaj marrëveshjeje, Kosova ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë.

Thirrjet ndërkombëtare për ratifikimin e Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi datojnë për më gjatë se dy vjet.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera