Lajme

Qeveria më shumë vepron sipas impulseve, sesa me plan strategjik për një qeverisje të mirë

Autori: Gazeta inFokus 13:08 | 04 January 2018

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Instituti GAP, dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) prezantuan analizën e politikave e cila vlerëson 100 ditët e para të punës së Qeverisë Haradinaj, ndërsa thuhet se prioritetet e Kryeministrit dhe kabinetit të tij nuk kanë përkuar me premtimet para-zgjedhore.

Kjo analizë vlerëson katër shtylla kryesore të politikave qeverisëse.

Së pari, analizon vendimet e Qeverisë të ndërmarra gjatë 100 ditëve dhe përmbajtjen e tyre.

-Advertisement-

Në këtë analizë thuhet se Qeveria ka mbajtur 19 takime dhe ka marrë 202 vendime. Gjatë kësaj periudhe, janë miratuar 8 akte nënligjore, 22 iniciativa ndërkombëtare, kryesisht ato që kanë të bëjnë me kreditë financiare; 9 vendime për shpronësim, 11 shkarkime dhe disa emërime në bordet e agjencive publike.

“Disa nga këto vendime kanë qenë të pamenduara, të pabazuara dhe jo ligjore duke përfshirë shkarkimie e Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror; shkarkimin e 10 nga 19 anëtarët e bordeve të ndërmarrjeve publike; faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit që nga viti 2008 (51 milion euro); dhe, ndër të tjera, kompensimin financiar të familjeve të atyre qytetarëve të Kosovës të përfshirë në ngjarjen e Kumanovës”, thuhet në analizë.

Referuar analizës, prioritetet e Kryeministrit dhe kabinetit të tij nuk kanë përkuar me premtimet para-zgjedhore, transmeton Telegrafi.

“Kosova nuk është më afër liberalizimit të vizave dhe nuk janë rritur ndjeshëm pensionet dhe pagat. Për më tepër kjo tregon që Qeveria më shumë vepron sipas impulseve dhe kërkon vëmendjen e medieve sesa që punon me plan strategjik për një qeverisje të mirë”.

Së dyti, analiza ofron një vlerësim të hollësishëm të programit legjislativ, më saktësisht projektligjet e hartuara, të miratuara dhe nismat e reja legjislative.

Qeveria Haradinaj ka miratuar programin e ri legjislativ në fund të shtatorit, i cili është ndryshuar një muaj më vonë. Ky program përmban 74 projektligje të cilat duhej të miratoheshin deri në fund të vitit 2017.

Nga këto, 50 janë të trashëguara nga qeveria e mëparshme, ndërsa vetëm 24 janë iniciativa të reja legjislative.

Gjithsej, deri më 18 dhjetor (fundi I 100 ditëshit) janë aprovuar 36 projektligje, përfshirë 3 projektligje të paparashikuara.

Analiza po ashtu pasqyron zhvillimet dhe sfidat kryesore të diplomacisë Kosovare, duke u fokusuar në njohjet e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme ndërkombëtare.

“Është regjistruar vetëm një njohje e pavarësisë, krahas dy pretendimeve të tërheqjeve të dyshimta të njohjes të cilat janë mohuar plotësisht nga Qeveria. Kjo e fundit nuk ia ka dalë gjatë 100 ditëve të para të saj të ndërmarrë një qasje proaktive në lidhje me anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare si Interpol dhe UNESCO”, thuhet më tej.

Së fundmi, analiza përqendrohet në nivelin e transparencës që Qeveria ka reflektuar gjatë 100 ditëshit të qeverisjes.

Asnjë vendim rreth emërimeve të zëvendësministrave nuk është bërë publik, gjë që tregon mungesë transparence gjatë gjithë procesit. Veç kësaj, një varg dokumentesh të cilat janë kërkuar nga shoqëria civile ende nuk janë publikuar.

Qeveria Haradinaj nuk ka ndërmarrë hapa gjatë 100 ditëve të para të saj për të publikuar dokumentet zyrtare siç janë kontrata për homologim të automjeteve, kontratat për ndërtimin e autostradave dhe, ndër të tjera, listat e bizneseve të cilat kanë përfituar nga falja e borxheve.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera