Lajme

Ish-Ambasadori Peci: Shqipëria tradhtoi Amerikën

Autori: Gazeta inFokus 15:38 | 24 December 2017

Vota e Shqipërisë pro rezolutës së iniciuar nga vendet islamike në OKB, që direkt shkoi kundër vendimit të SHBA’së për ta njohur Jerusalemin kryeqytet të Izraelit, ka shokuar shumëkënd që Amerikën e sheh aleatin më të madh ndërkombëtar të shqiptarëve. Shumëkush, në këtë situatë, konsideron se abstenimi ka qenë zgjidhja më e mirë.

Shumëkush, në këtë situatë, konsideron se abstenimi ka qenë zgjidhja më e mirë. Ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulzim Peci, thotë se me votën e saj Shqipëria u bëri dëm të madh të gjithë shqiptarëve, e pasojat e kësaj, do t’i vuajë edhe Kosova.

Pas votimit në New York, pati reagime në lidhje me votën e Shqipërisë kundër vendimit të presidentit Trump për ta njohur Jerusalemin, qendrën e tri religjioneve, si kryeqytet të Izraelit. Në një intervistë dhënë Gazetës Express, ish-ambasadori i Kosovës në Suedi, Lulëzim Peci, thotë se vota e Shqipërisë në përkrahje të rezolutës të sponsoruar nga Turqia, është një gabim i madh.

-Advertisement-

Gazeta Express: Si e komentoni votën e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB’së, me të cilën kërkohet anulimi i vendimit të Presidentit të SHBA’së për njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit?

Peci: Vota e Shqipërisë në përkrahje të rezolutës të sponsoruar nga Turqia (kryesuese e Organizatës Islamike për Bashkëpunim) dhe Jemeni (Kryesuese e Grupit Arab në OKB), sipas mendimit tim, është një gabim i madh i diplomacisë shqiptare. Me këtë votë Shqipëria u rreshtua kundër aleatit më të madh të shqiptarëve, për dallim prej disa vendeve të tjera të regjionit, sikurse Kroacia dhe Bosnja e Hercegovina, të cilat abstenuan. Me këtë votim Shqipëria tregoi se nuk është një aleat plotësisht i besueshëm i SHBA-ve, pasi për mospajtimin eventual me Washingtonin në lidhje me këtë çështje, ajo nuk e zgjodhi abstenimin, por mori qëndrim kundër saj.

Gazeta Express: Shumëkush sugjeroi që Shqipëria do të kishte qenë mirë së paku të abstenonte?

Peci: Nëse Shqipëria do të abstenonte, do të kishte mundësinë që të ruante kredibilitetin e saj para Washingtonit, dhe në anën tjetër, nuk do të dilte edhe në kundërshtim me shumicën e vendeve të BE-së që votuan kundër SHBA-ve, me përjashtim të Republikës Çeke, Hungarisë, Kroacisë, Latvisë dhe Polonisë, të cilat po ashtu abstenuan.

Gazeta Express: Kishte një paralajmërim nga Trump dhe Ambasadorja Amerikane e SHBA’së në OKB se do të mbajnë shënime për shtetet që dalin kundër Amerikës duke e votuar këtë rezolutë. A mund të përballet Shqipëria me ndonjë pasojë pas këtij vendimi dhe cilat mund të jenë ato?

Peci: Pasoja më e madhe e Shqipërisë është humbja e kredibilitetit të partneritetit deri më tani të pakontestuar me SHBA-të, e cila mund të reflektohet me ftohjen e marrëdhënieve me Washingtonin.

Gazeta Express: Analistë dhe komentues të ndryshëm thonë se, duke votuar kështu, Shqipëria dhe elita udhëheqëse e saj po sillet në orbitën e Erdoganit dhe shteteve islamike, pasi që Shqipëria është edhe anëtare e Organizatës Islamike. A qëndron kjo?

Peci: Votimi i Shqipërisë nuk mund edhe të ndahet nga qëndrimi dhe influenca e Turqisë, e cila në këtë rast ka koinciduar edhe me qëndrimin e shumicës së vendeve të BE-së. Nuk mendoj se Shqipëria sillet në orbitën e vendeve islamike, përkundër anëtarësisë së saj në Organizatën Islamike, mirëpo në anën tjetër, influenca e theksuar e Erdoganit ndaj Tiranës është fakt i pamohueshëm.Gazeta Express: Sa i dëmton kjo votë shqiptarët në përgjithësi. Historikisht, por edhe në bazë të deklaratave të të gjithë liderëve ku jetojnë shqiptarët, Amerika konsiderohet si aleati kryesor dhe shtet që mban vulën e krijimit të shteteve shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë?Peci: Me këtë votim i është shkaktuar dëm edhe Kosovës në prag të fillimit të bisedimeve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, me ç‘rast pritet edhe një involvim shumë më i lartë i SHBA’së në këtë proces. Po duket se nga Tirana zyrtare është harruar fakti se Presidenti Bush pikërisht nga Shqipëria e bëri publik qëndrimin se Kosova do të bëhet e pavarur, dhe se aty e mbajti edhe takimin trilateral me presidentët e asokohshëm të Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë, duke i bërë një nder këtij vendi, që asnjë nga vendet e regjionit deri më tani nuk e ka përjetuar nga administrata amerikane. Sikurse besueshmëria dhe nderimi, ashtu edhe lëvizja në pozitat e aleatëve të pasigurt e të dyshimtë, janë fakte që regjistrohen dhe që ndikojnë substancialisht në formulimin e politikave dhe marrjen e kursit të veprimeve në politikën ndërkombëtare.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI – Universum International College sërish pjesë e Panairit të Edukimit, vazhdon të ofroj studime me standarde amerikane
-Advertisement-

Të tjera