Ja çfarë dihet për rolin e rrjeteve sociale në ‘ndërhyrjen ruse’
Autori: Gazeta inFokus 19:26 | 04 November 2017
Përfaqësuesit ligjorë të gjigantëve të internetit, Facebook, Google dhe Twitter, u takuan me tre komitete të ndryshme këtë javë në Kongres për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi përpjekjet ruse për të përdorur këto faqe popullore me qëllimin për të shpërndarë informacione të pasakta gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 si dhe në lidhje me çfarë po bëjnë ata për ta ndaluar këtë.
Ligjvënësit ishin të qartë në qëndrimin e tyre se përdorimi nga ana e rusëve i këtyre platformave ishte i papranueshëm, madje disa e cilësuan atë një akt lufte.
“Edhe hapësira virtuale është një sulm kundër vendit tonë. Kur e përdor atë për të vënë në rrezik demokracinë tonë, sistemin e lirë zgjedhor, ky është gjithashtu një sulm kundër Amerikës”, tha të mërkurën senatori Ben Cardin. “Është një akt lufte”.
Qëndrimi zyrtar i shërbimeve inteligjente amerikane që prej vitit të kaluar ka qenë se Rusia është përpjekur të ndërhyjë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Megjithatë, përfaqësuesit ligjorë thanë se mbetet ende e paqartë arsyeja e vërtetë pse rusët kanë ndërhyrë, ndonëse publikuan më shumë detaje rreth asaj se çfarë ata postonin në internet.
Sean Edgett, zëvendës këshilltari i përgjithshëm i Twitter-it u tha ligjvënësve se kompania analizoi të gjitha postimet nga 1 deri në 15 shtator 2016 dhe doli në përfundimin se materialet që flisnin për zgjedhjet, të postuara nga llogari që kishin lidhje me Rusinë “ishin relativisht të pakta”.
Edgett tha se kriteret e përdorura për të identifikuar “llogaritë që kanë lidhje me Rusinë” kanë qenë të panumërta. Në sitë kanë kaluar profilet e krijuara në Rusi, ato që kanë një lidhje me adresa elektronike ruse apo edhe llogaritë që postojnë shpesh në gjuhën ruse.
Duke e zgjeruar kaq shumë spektrin e kërkimit, Edgett tha se Twitter arriti të gjente rreth 36,000 profile automatike që postojnë pa pushim përmes aplikacioneve.
Këto profile që kishin lidhje me Rusinë, sipas Edgett, përbëjnë vetëm 0.012 për qind të llogarive të Twitter-it gjatë periudhës në fjalë dhe 1.4 milionë postimet nga këto profile me temë zgjedhjet elektorale përbënin më pak se 0.74 për qind të gjithë postimeve në lidhje me zgjedhjet.
“Ato 1.4 milionë tuite përfaqësojnë vetëm 0.33 përqind të “publikimeve” në Twitter në lidhje me postimet për zgjedhjet”, u tha Edgett ligjvënësve.
Një “publikim” është një njësi matëse që përdoret nga kompanitë e mediave sociale për të kuptuar se sa herë i është shërbyer përdoruesit një material i caktuar. Një “publikim” nuk kërkon ndonjë reagim specifik nga ana e përdoruesit dhe madje nuk garanton se përdoruesi e lexon në fakt postimin, tha Edgett.
Përveç postimeve false automatike, Twitter identifikoi rreth 2,700 të tjera që kishin lidhje me Agjencinë ruse të Kërkimit në Internet (AKI), një organizatë që mendohet se përpiqet të krijojë përçarje dhe konflikt në komunitetin e internetit duke postuar qëllimisht komente provokuese.
“Nga rreth 131,000 postime në Twitter nga këto profile gjatë periudhës në fjalë, afërsisht 9 për qind e tyre kishin lidhje me zgjedhjet dhe shume prej tyre, mbi 47 për qind, ishin automatike”, tha ai.
Edgett e quajti numrin e profileve që kishin lidhje me rusët “të vogël në krahasim me numrin e përgjithshëm të profileve” në Twitter dhe tha se postimet prej tyre “shkaktonin shumë herë më pak reagime krahasuar me një postim tipik për zgjedhjet”.
Javën e kaluar, kompania tha se 1.9 milionë dollarët e fituara që nga viti 2011 prej reklamave në Twitter të mediave mbrapa të cilave qëndrojnë rusët do t’i shpenzojë për kërkime të jashtme mbi përdorimin e Twitter-it në çështjet civile si dhe në përpjekjen për të çrrënjosur profilet “e këqija” dhe keqinformimin.
Fushata e ndërhyrjes ruse në Facebook ka vlerën e rreth 100,000 dollarëve të shpenzuara për “të hapur profile false që kanë lidhje me Agjencinë ruse të Kërkimit në Internet. Sipas avokatit të Facebook-ut, Colin Stretch, këto para janë shpenzuar për 3,000 reklama ndërmjet qershorit të vitit 2015 dhe gushtit të vitit 2017.
Stretch tha se reklamat promovonin rreth 120 faqe të ndryshme Facebook-u të hapura nga aktorë rusë, qëllimi i të cilave ishte të përqëndroheshin në ndërgjegjësimin për çështje të ndryshme si racizmi, imigracioni dhe ligjshmëria e armëve.
Në total, faqet e Facebook-ut që kanë lidhje me rusët kanë prodhuar rreth 80,000 materiale gjatë një periudhe dy vjeçare. Stretch tha se afërsisht 150 milionë njerëz janë ekspozuar ndaj postimeve të Agjencisë ruse të Kërkimit në Internet, por është e pamundur të thuhet se sa prej tyre i kanë parë praktikisht këto postime.
Ai tha se përmbajtja ishte rreth 0.004 përqind e gjithë veprimtarisë në Facebook gjatë asaj kohe dhe përfaqësonte rreth 1 në 23,000 postime në këtë platform.
“Ndonëse këto postime përbëjnë një pjesë shumë të vogël të gjithë materialit në Facebook, prapë duhet marrë në konsideratë”, tha Stretch, duke shtuar se kompania e që përfaqësonte i hoqi profilet dhe faqet që kishin lidhje me Agjencinë ruse të Kërkimit në Internet.
Sipas Stretch, më shumë se gjysma e postimeve të sponsorizuara nga Agjencia ruse e Kërkimit në Internet janë publikuar pas zgjedhjeve dhe 25 për qind e reklamave nuk i janë shfaqur askujt.
“Për 50 për qind të reklamave janë shpenzuar më pak se 3 dollarë dhe për 99 për qind të tyre janë harxhuar më pak se 1,000 dollarë”, tha ai.
Facebook-u ia ka kaluar të gjitha reklamat ruse Kongresit dhe thotë se po vazhdon ta mbajë nën vëzhgim këtë aktivitet.
Avokati i Google, Richard Salgado, tha se kompania rishikoi të gjitha reklamat politike që nga qershori i 2015-ës deri në zgjedhjet elektorale të vitit të kaluar, “duke kërkuar deri dhe për lidhjen me të vogël me Rusinë, si për shembull, ndonjë adresë ruse IP-je apo përdorimi i monedhës ruse”.
Kompania zbuloi se dy profile që besohet se “kanë lidhje me institucione që dihet se janë ose dyshohet se janë qeveritare” kanë shpenzuar rreth 4,700 dollarë në reklama që kanë lidhje me zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Salgado tha gjithashtu se ndërhyrja e supozuar ruse përfshin edhe platformën YouTube, ku kompania e tij gjeti 18 kanale me rreth 1,100 video, të cilat janë hedhur nga individë pas të cilëve Google mendon se qëndron Rusia.
“Këto video kishin përgjithësisht pak shikime; vetëm 3 për qind e tyre kishin mbi 5,000 shikime dhe 43 orë material në YouTube”, u tha ai ligjvënësve dhe shtoi se publiku i You Tube-it shikon mbi një miliardë orë video në ditë dhe çdo minutë në këtë platformë hidhen 400 orë material i ri”.
Salgado i quajti videot që kanë lidhje me Rusinë “një përmbajtje relativisht e vogël”, por ai tha se “çdo keqpërdorim i platformave për qëllime të tilla është një sfidë për integritetin e demokracisë amerikane”./voa
Të tjera
-
Kurti pret në takim arkitektin kroat të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës
Kryeministri Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çekun, kanë...
-
Kjo është mosha e dy të rinjve që u arrestuan nga Serbia, Ministria jep detaje
Dy persona në Podujevë gjatë ditës së premte janë arrestuar nga autoritetet s...
-
Inaugurohet busti i heroit kombëtar Hasan Prishtina në Tropojë
Fondacioni “Hasan Prishtina”, në bashkëpunim me Bashkinë Tropojë, kanë inaugu...
-
FSK-ja përfundon ushtrimin fushor në qitje e manovra me municion lụftarak
Ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës të Regjimentit të parë të këmbësoris...
-
61-vjeçarja nga Shkupi sjell në jetë fëmijën e saj të parë
Një grua ka sjell në jetë fëmijën e saj të parë në moshën 61-vjeçare. Sipa...
-
“O paramendone Fitore Pacolli nuk flet me daj të vet”- Shokon Dimal Berisha me këtë deklaratë për Fitore Pacollin
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka qenë i ftuar në “Podcast me ...
-
VV-ja shpall zgjedhjet e brendshme për kandidatët për deputetë për zgjedhjet e 9 shkurtit
Partitë politike në Kosovë po përgatiten për zgjedhjet parlamentare të 9 shku...
-
Gazetari i BBC e pyet Vuçiqin për luftë të mundshme Kosovë- Serbi, ja si përgjigjet ai
Në një intervistë në emisionin “HARDtalk” në BBC, presidenti i Serbisë, Aleks...
-
Policia kërkon ndihmë nga qytetarët për kapjen e dy përsonave, dyshohet për dy vepra penale
Policia e Kosovës më saktësisht Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren-Sekt...
-
Më 17 dhjetor takimi i radhës në dialog
Dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve pritet të...
-
Njeriu më i vjetër në botë vdes në moshën 112 vjeçare
BBC ka raportuar ka vdekur njeriu më i vjetër në botë. Lajmi u b...
-
Kamala Harris planifikon një rikthim të madh politik
Zëvendëspresidentja e SHBA-së Kamala Harris nuk është bërë shumë e reklamuar ...