Ekonomi

Të bërit Biznes 2018: Kosova në mesin e dhjetë reformuesve më të mëdhenj në botë

Autori: Gazeta inFokus 16:11 | 31 October 2017

Kosova është në mesin e 10 ekonomive të mbarë botës që ka pasur përmirësimin më të madh në reformat e të bërit biznes, thuhet në raportin e Të bërit Biznes 2018, të publikuar sot nga Grupi i Bankës Botërore.

Këtë vit Kosova radhitet në pozitën e 40-të nga 190 vende sa i përket lehtësisë së të bërit biznes, krahasuar me vendin e 60-të ku ka qenë vitin e kaluar, duke theksuar se këto dy rangime nuk janë plotësisht të krahasueshme për shkak të rafinimit të metodologjisë në njërin prej dhjetë treguesve të matur nga ky raport.

Kosova radhitet e 10-ta në krijimin e një biznesi, e 12-ta në marrjen e kredisë, e 48-ta në tregtinë ndërkufitare, e 122 në trajtimin e lejeve të ndërtimit, e 89-ta në mbrojtjen e investitorëve nga pakicat, e 106-ta në furnizimin me energji elektrike, e 49-ta në zbatimin e kontratave, e 45-ta në pagesën e tatimeve, e 34-ta në regjistrimin e pronës, dhe e 49-ta në zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.

-Advertisement-

“Kosova ka përmirësuar në vazhdimësi rregulloret e saj për biznes, siç edhe është konstatuar nga treguesit e raportit Të Bërit Biznes dhe është duke ngushtuar hendekun me vendet me performancën më të mirë”, tha Marco Mantovanelli, Menaxher i Grupit të Bankës Botërore për Kosovën. “Ky është një lajm i mirëseardhur për ekonominë e Kosovës.

Megjithatë, nëse këto reforma nuk zbatohen si duhet dhe në mënyrë konsekuente në praktikë, do të jetë e vështirë për Kosovën që të arrijë ndikimin e dëshiruar për rritjen e produktivitetit të firmave dhe për tërheqjen e më shumë investimeve”.Çdo vit, raporti Të Bërit Biznes në 190 ekonomi, mat aspekte të rregulloreve të biznesit që janë me rëndësi për sipërmarrësit, duke u fokusuar në dhjetë fusha: krijimin e një biznesi, trajtimin e lejeve të ndërtimit, furnizimin me energji elektrike, regjistrimin e pronave, marrjen e kredisë, mbrojtjen e investitorëve të pakicave, pagesën e taksave, tregtinë ndërkufitare, zbatimin e kontratave dhe zgjidhjen e rasteve të paaftësisë së pagesës.

Raporti thekson se reforma në Kosovë e cila u mundëson palëve të përdorin procedurat e riorganizimit me qëllim të shpëtimit të bizneseve të qëndrueshme, kur ka mundësi për rimëkëmbjen financiare, është veçanërisht me rëndësi. Një ligj gjithëpërfshirës mbi paaftësinë e pagesës (josolvencën), i miratuar në Korrik 2016, ka paraqitur një numër tiparesh moderne që janë harmonizuar me praktikat e mira ndërkombëtare.

Nëntë ekonomitë e tjera që kanë treguar përmirësimet më të mëdha në Të Bërit Biznes 2018 janë Brunei Darussalam, Tajlanda, Malavi, India, Uzbekistani, Zambia, Nigeria, Xhibuti dhe El Salvadori.

Rajonet me përqindjen më të madhe të ekonomive reformuese në Të Bërit Biznes 2018 janë Evropa dhe Azia Qendrore, Azia Jugore dhe Afrika Sub-Sahariane, transmeton Klan Kosova.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova hap degën më te re në qytetin e Suharekës
-Advertisement-

Të tjera