Bekim Jashari tregon pse nuk pranoi të jetë kandidat i PDK-së për kryetar të komunës
Autori: Gazeta inFokus 13:40 | 08 October 2017
Kandidati i pavarur për kryetar të Skënderajt, Bekim Jashari, në një intervistë për KosovaPress tregon arsyet pse i ka hyrë kësaj gare.
Jashari tha se garës për të parin e Skenderajt nuk i hyri për inate të askujt, por për ta ndërtuar këtë vend ashtu siç e deshën babai i tij, Hamëz Jashari dhe axha i tij, komandanti Adem Jashari dhe gjithë dëshmorët e tjerë.
Jashari e quan vendimin me të vështirë për të dhe familjen e tij, jo për faktin se cilat sfida e presin, porse duke pasur parasysh prej cilës familje vjen dhe a do të mund ta çoj deri në fund mandatin me nder dhe faqe të bardhë.
Por, tani kur ka nisur fushatën Jashari thotë se po e sheh entuziazmin e qytetarëve të Skenderajt për kandidimin e tij, fakt ky që po i jep atij vullnet dhe të drejtë në vendimin e tij.
“Nuk ka qenë e lehtë aspak, përkundrazi ka qenë një nga vendimet me të vështira për mua dhe familjen time shpirtërisht dhe psiqikisht, jo nga ajo frika e përgjegjësive apo sfidave që na presin përpara, po nga ajo ndjenja duke e ditur kush je, i kujt je, anëtar i cilës familje je, a do të mund t’ia dalësh deri në fund të mandatit me nderë dhe faqe të bardhë. Kjo ka qene ajo vështirësia e vendimmarrjes, por nevoja është parë, jo që nuk është punuar në këtë vend, është punuar shumë, me të mirat dhe të metat e veta. Kështu që unë besoj që edhe ata që e kanë kërkuar kanë pas të drejtë por besoj që duke i parë qytetarët që kam dalë në teren deri tash këto ditë, dëshira dhe vullneti i tyre, entuziazmi i tyre me kandidaturën time me jep vullnet që kam pasur të drejt edhe vet që kam marr vendimin e duhur”, tha Jashari.
Oferta për të hyrë si kandidat në garën për kryetar të Skenderajt, Bekim Jashari thotë se pati qysh në vitin 2007, por se nuk ka qenë në interesin e tyre ngjyra e familjes Jashari me ngjyra politike, sepse konsiderojnë se janë të të gjithëve pa dallime partiake. Prandaj, kërkesës së qytetarëve iu ka përgjigjur vetëm si kandidat i pavarur që t’i hyjë garës për kreun e Skenderajt.
“Familja jonë, do të thotë, por edhe Bekimi në këtë rast nuk do ta ngjyrosim asnjëherë me ngjyra politike, sepse kemi qenë dhe do të mbesim të gjithëve, të popullit. Të gjithë pa dallime do të thotë ka qenë kërkesë për me dashtë me u ngjyrosur, me ngjyra politike ka qenë kërkesë edhe në vitin 2007 që t’i hy kësaj gare, por nuk ka qenë interes i joni, kështu që unë kam pranuar me të vetmin kusht për t’i hy kësaj gare vetëm si kandidat i pavarur”, thotë Jashari.
Sipas tij, në qoftë se dje ka qenë patriotizëm ta kapë pushkën një ushtar i UÇK-së dhe ta çlirojë këtë vend, sot është dy herë patriotizëm ta ndërtojnë këtë vend në mënyrë të drejt dhe të pastër.
Kandidatura e djalit të Hamëz Jasharit, u pa si goditje për PDK-në, meqë po kandidonte në bastionin e kësaj partie, mirëpo Bekim Jashari thekson se kandidimi i tij erdhi vetëm si kërkesë e qytetarëve, e jo kundër dikujt. Madje, thotë se ka pasur kërkesë edhe nga PDK-ja, për të qenë kandidat i tyre qysh në vitin 2007, por edhe për këto zgjedhje, por që nuk e ka pranuar.
Se kandidimi i tij nuk është kundër PDK-së, por vetëm për qytetarët e Skenderajt, Jashari thotë se pas kandidimit të tij ka pasur kontakte edhe me kreun e PDK-së, Kadri Veseli, e edhe me kryetarin aktual Sami Lushtaku, i cili para disa dite ka qenë në zyrën e tij për t’i uruar kandidaturën, sepse ai këta i ka shokë të trashëguar nga babai dhe xhaxhai i tij.
“Po, kontakte kam pasur edhe me Veselin më herët. Me deputetin Haxhiu dhe ish deputetin Nuredin Lushtaku që tani po me shoqëron gjatë këtij rrugëtimi bashkë me Fadil Kodrën dhe Zenun Kodrën. Kam pasur kontakte edhe me Sami Lushtakun, unë këta i kam shok të mi që i kam trashëguar që dje i ka pasur babai im dhe axha im, që janë shok edhe shumë tjerëve të Drenicës dhe Kosovës. Edhe në qoftë se dikush e ka atë ndjenjën që Bekimi është parë duke qëndruar me Bekim Haxhiun, apo pse po e shoqëron Nuredin Lushtaku apo pse ka qëndruar me Sami Lushtakun, pa marrë parasysh kushdo qoftë ai, Bekimi rrin si individ që mendon që është në vija kombëtare në rregull”, tha Jashari.
Në këtë intervistë kandidati i pavarur Bekim Jashari, ka folur edhe për platformën e tij qeverisëse, e cila tha se është duke u hartuar krejtësisht në kërkesa të qytetarëve nga fushata që po bënë.
“Platformën qeverisëse unë jam ende duke e përpiluar në bazë të kërkesave që po dalin në terën. Por do të bazohet mbi bazën e përgjegjësisë, transparencës dhe llogaridhënies. Kur iu them transparencë dhe llogaridhënie iu them me vetëdije të plotë, me plot kuptimin e fjalës, me qenë të sinqertë i drejt, i pastër bash ashtu siç ka qejf njeriu për shtëpinë e vet. Shtyllat kryesore do të jenë arsimi, shëndetësia, zhvillimi ekonomik, pa e harruar asnjëherë kulturën, rininë dhe sportin. Sa do të kemi mundësi të bëjmë, mbetet të shihet nesër, por një hap nëse e qesim, do ta qesim pastër”, theksoi ai.
Transparenca dhe llogaridhënia, sipas Jasharit janë dy kërkesat e para të qytetarëve, sipas të cilëve, deri me tani kanë munguar. Jashari insiston se edhe pse është punuar shumë në Skenderaj, punët që janë bërë nuk janë bërë ashtu siç kanë qenë të parapara. Sipas tij, edhe tani ende ka shumë për t’u bërë për infrastrukturën rrugore, kanalizimet, ujin e pijes, papunësia dhe shumë fusha tjera.
Madje, Jashari thotë se nga dalja e tij nëpër fshatra po e sheh që aq shumë ka nevoja sa që krijohet përshtypja që nuk është punuar asgjë. Megjithatë, ai vlerëson se qeverisja disa vjeçare e PDK-së, ka arritur të përmbush vetëm 30 përqind të kërkesave të qytetarëve.
Jashari shton se nga nevojat e qytetarëve në mandatin e tij katër vjeçar edhe sikur ta kishte tërë buxhetin e vendit do të ishte vështirë t’i përmbushte, porse do të mundohet në maksimum që të arrijë përmirësimin e kushteve për qytetarët e tij. Ai shton se ka shfrytëzuar politikën si të vetmin mjet për të punuar dhe për ta ndërtuar vendin e tij.
Duke qenë se Jashari është kandidat i pavarur, në asamblenë komunale ai do të qeverisë me asambleist të partive tjera, kryesisht të PDK-së, por që nuk e ka as me të voglin dyshim se do ta ketë përkrahjen e në asamble.
Duke qenë i bindur në fitoren e tij me 22 tetor, Jashari shpreson që ta përfundojë mandatin pa ia vënë asnjë pikë të zezë, as vetes e as familjes së tij.
Derisa, pas këtij mandati thotë se jo me ngjyra politike, porse do të jetë i gatshëm të kontribuoj aty ku e kërkon qytetari.
Kandidati i pavarur për kreun e Skenderajt, iu ka bërë ftesë gjithë qytetarëve të komunës së Skenderajt që me 22 tetor të dalin masovikisht në zgjedhje dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese dhe le ta votojnë ata kanë dëshirë që mendojnë që është më i miri dhe mund t’i përfaqësoj me së miri.
Të tjera
-
Arrestohet një person në Zveçan, i gjenden ạrmë dhe municion në shtëpi
Policia e Kosovës njofton se sot pas pranimit të një informate mbi dyshim...
-
Hapet konkursi për drejtor në 12 klinika të QKUK-së
ShSKUK shpall konkurs për drejtor në 12 klinika në QKUK. Pozitat e kërkuar...
-
Nuredin Lushtaku, kandidat për deputet nga koalicioni AAK-Nisma
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar se koalicionit i është bashkuar l...
-
Osmani udhëton për në Kanada, përfaqëson Kosovën në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për vizitë pune në Kanada dhe...
-
“Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mund të lirohen nga paraburgimi pas disa muajve”
Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Seli...
-
Haziri takim me qytetarët: Gjilani e Anamorava janë kryengritë për ndyshim, LDK, besë dhe shpresë për Kosovën
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan Lutfi Haziri, ka...
-
Bedri Hamza iu premton rahovecasve lidhje të kësaj komune me Autostradë
Kandidati për Kryeministër i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza,...
-
KFOR-i thotë se situata përgjatë kufirit Kosovë-Serbi është e qetë
Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë (KFOR) nuk e ka demantuar as konfirmua...
-
Përurohet QKMF-ja në Mamushë, Kurti: Do të vazhdojmë të investojmë në infrastrukturën shëndetësore
Sot është bërë përurimi i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në M...
-
I refuzohet azili gruas nga Taxhikistani që përballet me dëbim nga Kosova
Autoritetet e Kosovës ia kanë refuzuar kërkesën për azil Sitora Atomamado...
-
Përleshje mes dy të miturve në Skenderaj, njëri nga ta lëndohet nga mjeti i mprehtë
Një përleshja ka ndodhur sot në sheshin ‘Adem Jashari” në Skenderaj, ku d...
-
Erëra të forta e shi orët në vijim, komuna e Prishtinës paralajmëron qytetarët: Reduktoni lëvizjet
Komuna e Prishtinës ka dalë me një paralajmërim për orët në vijim për shkak t...