Lajme

Miçunoviq: Harrojeni mitin “Kosova është e jona!”, ajo do të hyjë në Kombet e Bashkuara

Autori: Gazeta inFokus 14:16 | 20 August 2017

Doajeni i politikës serbe Dragolub Miçunoviq, doktor i filozofisë, deputet në Parlamentin serb, themelues i Partisë Demokratike bashkë me Zoran Gjingjiqin, demaskon politikën e kryetarit serb Aleksandar Vuçiq. Ai ka dhënë mendimin e tij lidhur me deklaratat e Vuciqit për dialog të brendshëm serb për Kosovën.

Miçunoviq, thekson se nuk sheh parakushte të mira për zhvillimin e debatit në Serbi për Kosovën për shkak se Vuçiq nuk ka lejuar ndërtimin e një ambienti demokratik. Vullneti i tij është imponues, fjala e tij tingëllon si diktat dhe jo si apel për kuvendim.

Politikani serb përkujtoi se që në fillim të viteve ’90 kishte bërë apel për dialog me shqiptarët e Kosovës.

-Advertisement-

Në fjalimin e parë në Kuvendin e Serbisë ai kishte kërkuar të verifikoheshin mandatet e deputetëve të serbëve nga Kosova. Pasi shqiptarët si shumicë bojkotuan zgjedhjet, deputetë në Kuvendin e Serbisë u zgjodhën edhe ata serbë që s’merrnin më shumë se 90 vota.

“Që atëherë të gjithë u ngritën në këmbë në parlament për të na akuzuar se jemi ‘tradhtarë’. Pyeta: çfarë duam të bëjmë me Kosovën? E keni shpërndarë Kuvendin, ata (shqiptarët) janë çuar në këmbë, kemi shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, kemi organizuar fund e krye procese gjyqësore politike, vërtet çka doni? Nëse nuk arrijmë të bisedojmë dhe gjejmë një kompromis, vështirë do ta mbrojmë Kosovën», nënvizon Miçunoviq, shkruan dialogplus.

Ai tha se ka pasur mjaft debate për Kosovën në vitet ’90, por ato debate janë bllokuar nga ata që sot janë në pushtet në Serbi: Vuçiqi dhe Daçiqi. Miçunoviq përkujtoi sidomos bisedat me Fehmi Aganin, nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, i cili, siç potencon Miçunoviq, “për fat të keq u vra”.

“Nuk ka pushtet të mirë, ka vetëm pushtet të kontrolluar mirë”. Sipas tij çdo pushtet ka prirje të jetë i vrazhdë, por këtë duhet ta pengojnë institucionet e pavarura, mediat, drejtësia. Vuçiq sundon me “terrorin e shumicës” dhe përmes mediave të tij shkatërron çdokënd që merr guximin të kritikojë. “Nuk mjafton të keni ndarjen formale të pushtetit në ligjvënie, ekzekutiv dhe gjyqësi, ajo ka ekzistuar edhe në rastin e Titos, të Stalinit dhe Mussolinit. Nëse të gjitha vendimet merren nga një parti, atëherë ato institucione nuk janë gjë dhe nuk i shërbejnë askujt”, thotë Miçunoviq.

“Problemi i kulturës sonë politike është se në të dominon monologu, i cili synon të shndërrohet në ‘urdhër’, si në ushtri, ku dëgjohet vetëm një zë, të tjerët jo. Dialogu është i mundshëm vetëm nëse keni qytetarë të ndershëm dhe të barabartë. Së dyti, ne kurrë nuk jemi çliruar nga urrejtja dhe jotoleranca. Duke shikuar larg në historinë tonë, që nga konfliktet e dinastive të Obrenoviqëve dhe Karagjorgjeviqëve, pastaj përmes partive të konfrontuara, ne nuk e kemi të ndërtuar sensin për tolerancë, për dialog. Te ne shpeshherë debati për çështje të përgjithshme shndërrohet në larje të hesapeve personale, bëhet personal. Ne, në fakt, pothuaj nuk kemi elemente për dialog demokratik dhe ky është fakt”, tha Miçunoviq.

Sipas profesorit Miçunoviq tregimi për Kosovën si territor i Serbisë, si “krahinë e jona jugore në kuadër të Serbisë” ka marrë fund, s’mund ta kthejë asnjë preambulë. Kjo çështje, shtoi ai, është ndërkombëtarizuar që moti, Kosova ka ndërtuar institucionet themelore shtetërore, është pranuar prej rreth 100 shteteve, ndonëse është nën protektorat të OKB-së dhe BE-së natyrisht që është e qartë që tani se atë shtet disi do ta fusin në Kombet e Bashkuara.

“Në Serbi kanë filluar ta kultivojnë njëfarë gjendje të <ngrirë> të problemit, duke dëshiruar fatin e Qipros, natyrisht një dëshirë iluzore. Megjithatë, gjendja e paqartë u ka konvenuar ‘afaristëve’ në të dy anët, sepse përparësia e shmangies së tatimit dhe TVSH-së është kthyer në përfitim ekstra. Kosova është shndërruar në njërin prej destinacioneve tona më të zhvilluara për eksportimin e mallit tonë, kryesisht ushqimit. E tërë kjo është bërë kryesisht në kufi të kontrabandës dhe ka krijuar pasuri për ‘tajkunët’ (biznesmenët) e etabluar në partitë në pushtet. Nganjëherë lindnin probleme në pikëkalimet zyrtare të kufirit, por shpejt krijoheshin kalime alternative. Kur ekzistonin organet dhe institucionet e Serbisë kjo krijonte kushte për përhapje të korrupsionit duke keqpërdorur fondet e buxhetit”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
UNI-Universum International College rankohet me sukses në Times Higher Education Impact Rankings 2024
-Advertisement-

Të tjera