Vdekja e 18-vjeçares në spitalin e Elbasanit, fakte të reja dalin në dritë
Autori: Gazeta inFokus 13:44 | 11 July 2017
Tragjedi për një familje nga Gramshi. Vajza 18-vjeçare humb jetën pas operacionit, nis procedimi në gjendje të lirë për mjeken.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 8 korrikut dhe u zbulua vetëm dy ditë më pas. Kanë qenë vetë familjarët që kanë kryer një kallzim penal në polici menjëherë pasi kanë përcjellë për në banesën e fundit vajzën e tyre të shtrenjtë.
Sipas komunikatës zyrtare të policisë specialistët për krimet në komisariatin e policisë Elbasan kanë referuar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor në Elbasan për proçedim penal në gjendje të lirë për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm” në ngarkim të shtetases J. Maksuti 43 vjeçe, me banim në këtë qytet dhe me profesion mjeke pranë Qendrës Spitalore “Xhafer Kongoli” në spitalin kirurgjik. Sipas deklarimit zyrtar të policisë ajo, uke qenë me profesion mjeke kirurge në spitalin e Elbasanit, në datë 8 korrik 2017, kreu një ndërhyrje kirurgjikale tek pacientja Ketjona ibrahimi. Pacientja ndërroi jetë pak pas operacionit.
Sipas kallëzimeve të familjarëve, dyshohet se 18-vjeçarja ka humbur jetën si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm.
Grupi hetimor po kryen veprime të mëtejshme në bashkëpunim me ekspertët mjeko–ligjorë për përcaktimin e shkakut të vdekjes. Çështjen tashmë po e ndjek grupi hetimor dhe ekspertët në Prokurorinë e Elbasanit.
Mesnatën e 7 korrikut Ketjona ibrahimi ka manifestuar dhimbje të forta barku dhe të vjella. Në orën 02.30 të mëngjesit ajo është dërguar në spitalin e Gramshit ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Por pasi gjendja nuk është përmirësuar, është dërguar në urgjencën e qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli” në Elbasan.
Edhe në urgjencë nuk është përmirësuar, ndaj është kërkuar ndihma e specializuar nga mjekët kirurgë. Pasi janë konsultuar mjekët kirurgë kanë arritur në përfundimin se ajo mund të kishte hemorragji në vezore dhe organet e riprodhimit.
Ndaj pas kësaj konsulte është dërguar në maternitet. 18 vjeçarja i është nënshtruar operacionit në maternitet por kur është hapur, mjekët nuk kanë konstatuar hemorragji në organet e riprodhimit. Ata kanë konstatuar një lëng të përhapur në hapësirën e barkut. Ndaj është rikthyer në kirurgji. Mjekja J. Maksuti ka kryer pastrimin e lëngut dhe më pas e ka futur pacienten në reanimacion. Është dyshuar edhe për probleme në mëlçi me tëmthin. Fill pas kësaj procedure gjendja e saj është përmirësuar. Ajo ka komunikuar edhe me familjarët. Por në mbrëmje, në orën 22.00 vajza ka manifestuar konvulsione të forta dhe, megjithëse është ndërhyrë duke aplikuar gjithë procedurat në këto raste, ajo nuk ka mbijetuar.
Trupi i pajetë i 18 vjeçares është dërguar në morgun e spitalit dhe atje i është nënshtruar autopsisë. Mjekët kanë analizuar me imtësi gjithë organet e brendëshme dhe indet dhe më tëj kanë arritur në konkluzionin paraprak të shkaqeve të vdekjes.
Sipas tyre Ketjona Ibrahimi ka vdekur për shkak të Tromboembolisë së mushkërisë, ose bllokimi i gjakut në këtë organ. Ata kanë kosntatuar se mushkëritë e vajzës ishin të nxira. Madje mjekët kanë thirrur edhe familjarët që të jenë dëshmitarë të kësaj patologjie.
Gjithsesi lëngu që u gjet në bark dhe mostra biologjike nga organe të ndryshme janë dërguar në Institutin e Ekspertimit Mjeko-Ligjor për të püërcaktuar shkaqet e vdekjes.
Flet shefi i kirurgjisë në Elbasan dr Alban Hoxha. Ja e vërteta e diagnozës së pacientes
Dr. Alban Hoxha, tregon gjithë procedurat që u ndoqën për pacienten 18 vjeçare nga Gramshi. Ai nënvizon se diagnoza e përcaktuar është një sëmundje që shpesh ka fund fatal dhe se nuk mund të shërohet. Gjithashtu ai hedh poshtë pretendimet për mjekim të gabuar të mjekës pasi sipas tij ajo nuk ka përdorur asnjë ilaç.
Intervista
Dr. Hoxha si qëndron e vërteta e pacientes 18 vjeçare nga Gramshi që ndërroi jetë në kirurgjinë e Elbasanit?
Sipas anamnezës, pacientja ka manifestuar dhimbje të forta barku dhe të vjella në shtëpinë e saj në fshat. Në orën 02.00 të datës 8 korrik, ajo është paraqitur në spitalin e Gramshit. Atje ka marrë ndihmën e parë. Por duke parë se gjëndja shëndetësore nuk po përmirësohëj, kolegët e Gramshit e sollën në Urgjencën e Qendrës Spitalore këtu në Elbasan. Aty ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore. Por sërish nuk ka pasur përmirësim. Rreth orës 10.00 të datës 8 korrik është kërkuar një konsultë me mjekët e spitalit kirurgjik.
Pas konsultës, grupi i mjekëve ka arritur në përfundimin se pacientja mund të kishte hemorragji në vezore dhe organet e riprodhimit. Ndaj është përcjellë për një shërbim më të specializuar në Maternitet. Në maternitet i është nënshtruar ndërhyrjes operatore. Por pasi është hapur mjekët nuk kanë kosntatuar hemorragji por një lëng të dyshimtë në kavitetin e barkut.
Për këtë qëllim është kërkuar ndihma e mjekut kirurg. Mjekja J. Maksuti ka kryer pastrimin e lëngut dhe e ka futur në reanimacion. Nga ora 14.00 e pasdites deri në orën 20.00, pacientja ka reaguar mirë dhe ka komunikuar edhe me familjarët. Por në këtë orë ajo ka pësuar arrest kardiak, dhe me gjithë ndërhyrjen nuk ka mundur të shpëtojë.
Policia ka ngritur akuzën e mjekimit të gabuar nga ana e mjekes. Sa e vërtetë është kjo?
Mund të them që është kryekëput gabim. Mjekja në fjalë nuk ka kryer asnjë mjekim. Nuk është përdorur nga ana e saj asnjë ilaç. Ajo thjesht ka pastruar lëngun nga hapësira e barkut dhe e ka vendosur në reanimacion. Dhe, siç iu thashë, pacientja ka pasur përmirësim dhe ka komunikuar shumë mirë me familjarët. Pastaj goditja ka qenë e menjëherëshme pas arrestit kardiak.
Cili ishte shkaku i vdekjes sipas jush pasi pacientja ka shkuar sa në urgjencë, në kirurgji, maternitet etj.
Kjo është një procedurë normale për të përcaktuar një diagnozë sa më të saktë. Pra pacientët përcillen tek mjekët specialistë. U dyshua për probleme në organet e riprodhimit ndaj u dërgua në maternitet. Pastaj u rikthye në kirurgji për ndërhyrjen që i përkiste mjekëve të këtij spitali.
Cili ishte shkaku i vdekjes sipas jush?
Shkakun e vërtetë të vdekjes do ta përcaktojë ekspertiza mjeko-ligjore. Në Institutin e Ekspertizës janë dërguar monstra të lëngut që iu gjet në barg dhe monstra nga organet e ndryshme të trupit dhe indet. Dhe vetëm pasi të jetë përcaktuar shkencërisht, atëherë mund të jepet se cili ka qenë shkaku i vdekjes.
Megjithatë kufoma u dërgua në morg dhe sipas procedurës që ndiqet në këto raste ajo i nënshtrohet autopsisë. Mjekët specialistë analizuan me kujdes çdo ind dhe organ. Ata konstatuan nxirje të mushkërive dhe arritën në përfundimin paraprak se shkak i vdekjes është Tromboembolia ose bllokim i gjakut në mushkëri. Ata thirrën edhe familjarët që ta shihnin me sytë e tyre këtë ndryshim që kishte pësuar mushkëria.
Çfarë është tromboza e mushkërisë. A ka shpëtim dhe pse nuk u përcaktua më parë nga mjekët?
Tromboza e mushkërisë është një sëmundje që ka shpesh fund fatal. Është njëlloj si bllokimi i gjakut në tru apo zemër. Në Amerikë vdesin mesatarisht 1.5 milion vetë në vit nga kjo sëmundje. Gjithashtu specialistët dyshojnë se kjo anomali mund të ketë qenë edhe e lindur. Por gjithsesi i përket ekspertizës mjeko-ligjore ta thotë fjalën e fundit.
Familjarët pretendojnë se nuk është treguar kujdesi i duhur dhe se është rënduar pas operacionit
Kjo nuk është e vërtetë. Pas operacionit ajo ishte shumë mirë dhe ka komunikuar me ata. Kujdesi ka qenë maksimal nga i gjithë personeli.
Çfarë po bëhet aktualisht me mjeken? A është pezulluar nga detyra?
Ajo është nga mjeket më të mira që kemi. Po vazhdon punën normalisht. Mësuam me habi që ka nisur një hetim. Por është Instituti i Ekspertizëz Mjeko-Ligjore që do të përcaktojë shkakun e vdekjes dhe pastaj do të dilet në përfundimin nëse ajo ka pasur faj apo jo. Siç ua shpjegova ajo nuk ka kryer asnjë mjekim të gabuar që mund të akuzohet për këtë vepër penale.
Flasim familjarët: Nuk u interesuan, duam drejtësi
Me lot ndër sy për humbjen që kanë pësuar, familjarët e kanë të vështirë të flasin. Ata banojnë në fshatin Brahimas të Gramshit. Dje përcollën për në banesën e fundit vajzën e tyre të dashur. “Atje nuk na dhanë shpjegime, i bënë vetëm qetësues dhe analizat, pastaj e futën me urgjencë në operacion. Rreth orës 7 të mëngjesit morëm vesh lajmin e hidhur”,- u shpreh xhahxai i së ndjerës.
Nëna e saj Bejaze Ibtrihimi dhe dy motrat, Alba e Brunilda, nuk e besojnë gjëmën që ka ndodhur. “Më duket sikur do të çelë derën sërish e do më hidhet në qafë”, qan me dënesë gruaja. “Ajo ishte shpirt njeriu. E dashur dhe me humor”, thonë motrat. “Sapo mbaroi maturën dhe ishte e mbushur plot me ëndërra për jetën. Por ëndërrat e saj u këputën në mes”.
“Doli mirë nga operacioni, por më pas u përkeqësua”, shprehet xhaxhai i saj. Ne mendojmë se mjekët nuk u kujdesën. Ne duam drejtësi dhe e vërteta të shkojë në vend. Nuk duam asgjë më shumë. Ne na iku vajza. Askush nuk na e kthen më. Por duam që raste të tilla të mos përsëriten më”
Të tjera
-
Fundosen veturat te ura e Stacionit të Autobusëve në Prishtinë
Të paktën dy automjete janë fundosur në afërsi të urës së Stacionit të Autobu...
-
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
Kryesia e Kuvendit ka bërë të ditur se do të mblidhet të hënën. Kjo mbledh...
-
Parashikimi i motit për vikend
Reshjet e shiut që filluan ditën e premtë, më vonë gjatë mbrëmjes dhe natën, ...
-
Konfiskimi i ạrmạtimit në veri, Kurti: Siguria e njerëzve dhe e të gjithë vendit mbeten prioritet
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në X ka bërë një shkrim në lidhje me konf...
-
Kurti: Qeveria që ka investuar më së shumti në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nën udhëheqjen e tij, Qe...
-
Durmishi bën apel pas reshjeve të vazhdueshme të borës: Kujdes gjatë vozitjes, ekipet e mirëmbajtjes janë në terren
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi ka dalë me një apel pa...
-
Rrugët e Prishtinës vërshohen, njohësi i emergjencave: Përsëri dështoi infrastruktura nëntokësore në kryeqytet
Njohësi i i çështjeve të emergjencave civile, Tahir Ahmeti ka reaguar pasi si...
-
Dita e Alfabetit, studiuesit: Duhet unifikim të praktikave të gjuhës në tri shtetet ku shqipja është zyrtare
Tashmë një ditë feste zyrtare, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nuk vjen pë...
-
KFOR-i, EULEX-i dhe Policia e Kosovës stërviten së bashku të hënën
KFOR-i njofton së bashku me EULEX-in dhe Policinë e Kosovës do të zhvillojnë ...
-
Refuzohet kërkesa e Shalës për mosparaqitje ose shtyrje të seancës
Gjykata Speciale njofton se Trupi Gjykues i refuzoi kërkesën e Mbrojtjes që t...
-
Zemaj Kurtit e Vitisë për QKMF’në e Mamushës: Jeni definicioni i propagandës, preni shirita për punët që i kam bërë unë si ministër
Deputeti i Lidhjes Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë sot se kryemi...
-
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Ish-zëvendës Ndihmës Sekretari i Departamentit të Shtetit, Filip Riker, dekla...