Lajme

Subvencionet e dyshimta të Zyrës së Kryeministrit

Autori: Gazeta inFokus 11:17 | 05 July 2017

Kontrata të lidhura jashtëligjshëm, dobësi në kontrollet menaxheriale, mangësi në procedurat e prokurimit, kompensim shtesë i punëtorëve jashtëligjshëm, janë vetëm disa nga të gjeturat e Zyrës Kombëtare të Auditimit në Raportin Financiar të Zyrës së Kryeministrit për vitin 2016.

Auditori ka gjetur se Zyra e Kryeministrit ka ndarë subvencione, por në 25 raste nuk ka pranuar dëshmi se projektet janë përfunduar ashtu siç ishte marrëveshja.

“Në 25 raste në vlerë 127,450€, përfituesit e subvencioneve të dhëna nga ZKM, nuk ju kishin përmbajtur marrëveshjeve për raportim pas përfundimit të projektit. Ata nuk kishin ofruar dëshmi (fatura, raporte, dhe dëshmi tjera) për të arsyetuar se mjetet e dhëna janë shpenzuar për qëllimin e paracaktuar. Meqenëse, përfituesit e subvencioneve nuk kishin ofruar dëshmi sa i përket shfrytëzimit të mjeteve dhe vlera e tyre ishte materiale, ne nuk kemi mundur të marrim siguri lidhur me shfrytëzimin e tyre”, thuhet në raportin e Zyrës së Auditorit.

-Advertisement-

Auditori për Zyrën e Kryeministrit thotë se ka dobësi në kontrollet menaxheriale dhe se është përgjegjëse për të gjitha aktivitetet financiare dhe menaxheriale të agjencive vartëse të saj.  Në Zyrën e Kryeministrit si dhe agjencitë që janë në kuadër të kësaj, sipas auditorit bëhen pagesa për punëtorët në mënyrë të kundërligjshme.

Në ASK janë kompensuar me mjete shtesë punëtorët që kanë punuar nëpër projekte të financuara nga donatorët.

“ASK-ja bazuar vetëm në UA NR.08/2012, gjatë vitit 2016 kishte shpenzuar 25,388 euro për kompensimin e punonjësve nga kategoria mallra dhe shërbime për angazhimet shtesë të zyrtarëve brenda orarit të rregullt të punës për disa projekte të financuara nga donatorët. Këto pagesa janë bërë për projektet të cilat ishin vazhdimësi nga viti 2015, ndërsa nuk kishte pagesa për ndonjë projekt të ri gjatë vitit 2016”, thuhet në raportin e auditorit.

Kompensime të tilla janë gjetur edhe në Zyrën e Kryeministrit.

“Në dy (2) raste kemi vërejtur që zyrtarë të ZKM-së përveç pagës së rregullt kishin marrë edhe shtesa të rregullta mujore pa bazë ligjore. Këto pagesa ishin kryer nga kategoria mallra dhe shërbime pa ndonjë kontratë apo marrëveshje për shërbime të veçanta. Vlera e këtyre pagesave ishte 7,426 euro”, thuhet tutje në raportin e auditorit.

Auditori tutje e shpjegon se një kompensim i tillë është i ndaluar me Ligjin për Buxhetin.

“Sipas nenit pika 5 të ligjit nr.05/L-071 për buxhetin e vitit 2016 shpenzimi i parave publike nga kategoria mallra dhe shërbime nuk është e lejuar për pagesën e punonjësve. Po ashtu sipas nenit 80 të Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë, nuk lejohet kurrfarë kompensimi shtesë për angazhimet e zyrtarëve brenda orarit të rregullt të punës. ZKM kishte anashkaluar kërkesat ligjore duke kompensuar shtesa për angazhimet gjatë orarit të rregullt të punës”, thuhet në raportin e auditorit.

Po ashtu auditori ka gjetur se ka mangësi edhe në procedurat e prokurimit publik. Raporti përmend disa raste, si tenderët jo normalisht të ulët, lidhje të kontratës në mungesë të kritereve të përcaktuara, ndarje e kërkesave të prokurimit dhe nënshkrim i kontratave të shumta për artikuj të njëjtë, mosrespektimi i parimeve për ndarjen e detyrave dhe vazhdimi i kontratës publike kornizë në kundërshtim me LPP-në.

“Kontrollet joefektive në procesin e prokurimit në ZKM rrisin rrezikun për mosarritjen e vlerës për paranë e shpenzuar, duke bërë ndarjen e kërkesave të prokurimit dhe vazhdimin e kontratave publike kornizë. Po ashtu lidhja e kontratave publike kornizë me çmime jonormalisht të ulëta, si dhe mosrespektimi i kritereve të përcaktuara në njoftimin për kontratë mund të rezultojë që shërbimet e ofruara nga OE të mos jenë të cilësisë së kërkuar”, thuhet në raportin e auditorit.

Në raport auditori ka gjetur se ka lidhje të kontratave për shërbime te veçanta në kundërshtim me Ligjin për Shërbyes Civilë.

“Sipas nenit 12 pika 4 të Ligjit Nr.03/L-149 për Shërbimin Civil emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura ‘Marrëveshje për shërbime të veçanta’ të cilat i nënshtrohen Ligjit për Detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutimit. Gjithashtu, kompensimi shtesë i punonjësve, shërbyesve civilë, ose zyrtarëve të organizatave buxhetore të angazhuara në trupat tjera me akte të Qeverisë së Kosovës është e ndaluar konform nenit 80 të LMFPP”, thuhet në raportin e auditorit.

Tutje thuhet se Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila është në kuadër të ZKM, në tri  raste kishte lidhur marrëveshje për shërbime të veçanta në kohëzgjatje mbi gjashtë muaj pa procedurë rekrutimi. Po ashtu ASHAK-u në pesë raste kishte lidhur marrëveshje për shërbime të veçanta pa procedurë rekrutimi, ku në katër prej tyre ishte lidhur marrëveshje me vetë zyrtarët e ASHAK-ut.

Raporti po ashtu thotë se ka vonesa në pagesa si dhe mosraportimi të obligimeve, duke shtuar se organizatat buxhetore janë të obliguara që në Ministrinë e Financave të raportojnë në baza mujore faturat e pranuara dhe të papaguara.

“Në shtatë raste faturat/obligimet ndaj furnitorëve në vlerë prej 21,915 eurove nuk ishin përfshirë në raportet mujore të obligimeve”, thuhet në raport.

Auditori vlerëson se raportimi i brendshëm dhe linjat e llogaridhënies ndërmjet ZKM-së dhe agjencive ekzekutive, vazhdojnë të mbeten edhe me tutje sfidë.

Në raport thuhet se kryeshefat ekzekutivë të agjencive raportojnë te Kryeministri apo zëvendëskryeministri përkatës, derisa sekretari i përgjithshëm është përgjegjës për pasqyrat e konsoliduara financiare.

“Për qëllime të konsolidimit tё informatave dhe raporteve financiare, agjencitë dërgojnë raporte në Departamentin e Financave në ZKM, mirëpo ato shpesh janë të mangëta dhe të cilësisë së dobët”, thuhet në raport. “Me theks të veçantë, kontrollet ishin joefektive në fushën e subvencioneve, shpenzimeve përmes prokurimit, menaxhimit të pasurisë si dhe në raportimin e obligime”.

Po ashtu auditori thotë se ZKM ka nivel të ulët të zbatimit të rekomandimeve nga viti paraprak.

Me të gjitha të gjeturat e auditorit është pajtuar ZKM përmes letrës së konfirmimit. /Kallxo.com/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Po, Po 31 Vetura Dacia Logan shpërblim për konsumator nga ETC
-Advertisement-

Të tjera