Lajme

Tri kërcënimet kryesore për Ballkanin

Autori: Gazeta inFokus 19:46 | 27 June 2017

Shtrirja e ndikimit rus, radikalizimi dhe keqqeverisja janë kërcënimet kryesore ndaj qëndrueshmërisë në Ballkan, thonë ekspertët në një diskutim në Qendrën Wodrow Wilson në Washington.

26 vjet pas fillimit të shpërbërjes së Jugosllavisë, Ballkanit Perëndimor vazhdon të jetë i kërcënuar, tani nga përpjekjet ruse për të minuar përpjekjet e vendeve të rajonit për t’u integruar në strukturat euroatlantike dhe përhapja e ekstremizmit fetar të nxitur nga qytetarët që po kthehen nga luftërat në Lindjen e Mesme. Sipas ekspertëve Ross Johnson, John R. Lampe dhe Daniel Serwer, përgjigja më e mirë ndaj këtyre kërcënimeve është vazhdimi përpjekjeve të këtyre vendeve për t’u integruar në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

“Rusët po bëjnë shumë përpjekje përmes agjencisë Sputnik dhe programit ‘Rusia Sot’ për të shtrirë ndikimin e tyre në rajon. Ata bënë përpjekje për grushtshtet në Mal të Zi dhe u përpoqën të bllokonin përpjekjet për formimin e qeverisë së re në Maqedoni. Ata po hedhin para në grupet pro-ruse në mbarë rajonin. Synimi i tyre është destabilizimi i rajonit për të paranadaluar anëtarësimin e vendeve të Ballkanit në Nato dhe në Bashkimit Evropian”, thotë Serwer,

-Advertisement-

Por, Ross Johnson nga Instituti Hoover thotë se ndërsa Moska shikon interesat e saj në rajon, përpjekjet ruse nuk do të shkaktojnë konflikte në një të ardhme të afërt në Ballkan. Ndërsa, në lidhje me praninë ekonomike të Rusisë në rajon, veçanërisht në Serbi, profesori i Universitetit të Merilendit, John R. Lampe, thotë kjo çështje është ekzagjeruar.

Një tjetër rrezik për vendet e Ballkanit perëndimor është përhapja e radikalizmit të dhunshëm. Qindra qytetarë të vendeve të Ballkanit u janë bashkuar militantëve të Shtetit Islamik në Siri dhe në Irak. Sipas analistit Serwer, kthimi i tyre në rajon mund të kërcënojë sigurinë për këtë vende.

“Në Bosnje ka qenë gjithmonë një ide gjatë luftës për krijimin e ‘Kopshtit të Gjelbër’, një shtet të vogël islamik në Bosnjën qendrore. Kjo ishte arsye kryesore e interesimit të amerikanëve për krijimin e një federate, pra për të parandaluar krijimin e një mini-shteti islamik. Nëse këto gjëra ndodhin, atëherë mund të krijohen mini-shtete islamike dhe në Bihaç dhe në Sanxhak”, tha ai.

Ros Johnson e pranon rritjen e radikalizimit islamik në rajon, por mendon se rajoni përballet me disa kërcënime të tjera më të rrezikshme.

“Së pari, kufijtë e vendosur në mënyrë arbitrare; së dyti, mungesa e qeverisjes së mirë nga shumicat e partive etnike nacionaliste; së treti, mungesa e një konsensusi ndaj legjitimitetit të vetë shtetit”.

Sipas tij, këto kërcënime ekzistenciale minojnë institucionet e këtyre vendeve. Ai tha se ky është një problem i madh veçanërisht për Kosovën.

“Sfida më e madhe për Kosovën është e brendshme, dhe ajo është dështimi i qeverisjes së shumicës. Kosova përballet me sfidën e deficitit të qeverisjes, performancën ekonomike dhe nivelin e lartë të korrupsionit në nëntë vitet që nga shpallja e pavarësisë”, tha ai.

Ekspertët thanë se procesi i integrimit në strukturat euro-atlantike mund të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor të tejkalojnë këto kërcënime, e jo kthimi nga Rusia. /VoA/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Fito 50 € për dyshekun e vjetër dhe merr dyshkeun e ri Cloud për vetëm 549 €
-Advertisement-

Të tjera