‘Vetëvendosje’ në pritje të rastit
Autori: Gazeta inFokus
09:46 | 19 June 2017
Lëvizja “Vetëvendosje” nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga “lufta” e saj për ta formuar Qeverinë, megjithëse sipas analistëve fati i tyre varet nga deputetët e LAA-së. Së fundmi kandidati i kësaj partie për kryeministër, Albin Kurti, e ka bërë të qartë edhe një herë pozicionin e tij dhe të partisë. Kurti ka thënë se populli ka votuar që PDK-ja të shkojë në opozitë, prandaj nuk do të heqin dorë nga Republika. Madje ai ia ka drejtuar edhe një mesazh Ramush Haradinajt.
“Nuk është mirë që dikush të përpiqet ta deformojë vullnetin e qytetarëve dhe ta shpëtojë PDK-në, përkatësisht udhëheqjen e PDK-së”, ka thënë Kurti. Synuesi i kreut të ekzekutivit ka thënë se koalicionet parazgjedhore u formuan në mënyrë që të maskohej rënia e të gjitha partive në Kosovë. “Qytetarët kanë guxuar. Ata kanë votuar që PDK-ja të shkojë në opozitë. Tash njerëzit kanë shpresë. Nuk është mirë që dikush të përpiqet ta deformojë vullnetin e qytetarëve dhe ta shpëtojë PDK-në, përkatësisht udhëheqjen e PDK-së”, ka shtuar ai, transmeton zeri.info.
Madje sipas Kurtit koalicioni PAN po synon që t’ia vjedhë LDK-së ose AKR-së ndonjë deputet dhe pastaj ta lusë Vuçiqin në Beograd për ta formuar Qeverinë në Kosovë. “Kjo është rrugë e gabueshme me pasoja tejet të dëmshme. Nuk jepet Republika për poste.Maratona sportive nis me shumë e përfundon me pak. Maratona historike nis me pak e përfundon me shumë. Ne jemi bërë shumë, gjithnjë e më shumë. Ata kanë mbetur pak, gjithnjë e më pak”, ka thënë ai, transmeton zeri.info.
Megjithatë edhe sipas njohësve të çështjeve politike në vend lëvizja “Vetëvendosje”, respektivisht kandidati i tyre për kryeministër, Albin Kurti, duhet të presë deri në certifikimin e rezultateve e më pas edhe për të parë se çfarë do të bëjë Ramush Haradinaj në fillim, para se të mendojë për Qeverinë e tij.
“Vota e qytetarëve ishte për ndryshim dhe unë personalisht mendoj që legjitimja është më demokratike se ligjorja, sidomos në raste kur rezultatet janë të ngushta. Megjithatë procedurat ligjore dhe kushtetuese duhet të respektohen dhe të mandatohet koalicioni që ka dalë i pari në zgjedhje”, ka thënë Nezir Kraki, ligjërues i shkencave politike në universitetin “Paris Est”, transmeton zeri.info.
Më tutje ai ka thënë se nëse Haradinaj dështon, atëherë do të vijë edhe shansi i Kurtit. “Nëse ai dështon ta konfirmojë një shumicë me 61 ulëse e më shumë, atëherë topi logjikisht duhet të kalojë në fushën e “Vetëvendosjes” dhe zoti Kurti të mandatohet për tentim-krijim të Qeverisë. Sot është herët të flitet se kush do të mbetet në opozitë, sepse të gjitha kartat janë mbi tavolinë”, ka thënë ai.
Se presidenti e ka obligim kushtetues që herën e parë mandatar për formimin e Qeverisë ta emërojë të nominuarin e PAN-it për kryeministër, në këtë rast Ramush Haradinajn, ka thënë edhe gazetari dhe analisti Arben Rugova, duke shtuar.
“Në rast se herën e dytë askush nga të nominuarit e partive parlamentare nuk arrin t’i sigurojë 61 nënshkrime, presidenti shpërndan Kuvendin dhe shpall zgjedhje të reja të parakohshme. Pra, pavarësisht se ‘Vetëvendosje’ si e vetme ka marrë më së shumti vota se secila parti tjetër, asaj nuk mund t’i jepet mundësia e parë për formimin e Qeverisë edhe sikur t’i ketë siguruar 61 vota, sepse kështu presidenti do ta shkelte Kushtetutën, ashtu sikur do ta shkelte nëse këtë mundësi nuk do t’ia jepte kësaj partie herën e dytë”, ka thënë Rugova, transmeton zeri.info.
Më tej ai ka shtuar se edhe pse duket e vështirë ai pret formimin e Qeverisë nga i nominuari i PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj, me përkrahjen e dy-tre deputetëve apo edhe më shumë nga koalicioni LDK-AKR-AL.
“Në rast se deputetët serbë të Kosovës e mbajnë fjalën e qeverisë së Serbisë, se nuk pranojnë të hyjnë në koalicion qeverisës të drejtuar nga Haradinaj, atëherë LDK-ja me partitë në koalicion pres ta ndryshojnë qëndrimin dhe ta mbështesin PAN-in”, ka thënë ai. Krejt në fund Rugova ka thënë se “Vetëvendosje” bën mirë që tregohet e gatshme për qeverisje, por duke parë rrethanat pret që ky subjekt të vijë në pushtet në zgjedhjet tjera parlamentare, që po ashtu, sipas tij, do të jenë të parakohshme. “Përveç nëse Haradinaj bën mrekulli, e që e ka pothuajse të pamundur”, ka përfunduar Rugova. /Zeri./

T� tjera
-
Haxhiu nesër në Shkup, njoftohet se do t’i takojë Kryeparlamentarin, Kryeministrin dhe Presidenten
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, do të zhvillojë të martën, ...
-
Rusët i kërkojnë bashkëpunim Vuçiqit edhe pas rrëzimit- shpresojnë që kjo të ndodhë edhe me forcën e re në Serbi
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska pret që ish-presidenti ser...
-
Kamberi: Lista Studentore që mposhti Vuçiqin duhet ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur
Deputeti i zgjedhur në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se mbetet ...
-
VV-ja “harron” se është në pushtet, fajëson “pushtetin e vjetër” për kulturën e të fortit
Lëvizja Vetëvendosje, parti që udhëheq me Kosovën prej vitit 2021, ka fajësua...
-
Rasti në Pejë, Endrit Thaçi mbështet protestën për gratë
Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur m...
-
Protestat në Tiranë, Rama për mediat greke: Qeveritë ndryshojnë me zgjedhje, jo me kokteje molotovi
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për mediat greke lidhur me prot...
-
Vdes hoxha i njohur nga Kosova
Ka ndërruar jetë Bahri Simnica, ish-drejtor i Medresesë “Alauddin” në Prishti...
-
Kuvendi miraton rezolutën për mbrojtjen e grave dhe parandalimin e dhunës në baza gjinore
Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën për mbrojtjen e grave dhe parandalimi...
-
Haradinaj akuzon Qeverinë Kurti për korrupsion: Shiko tenderët njëburimorë dhe sektorin energjetik
Ramush Haradinaj nga Aleanca, ka qenë i ftuar në “Pressing” të T7. Ai ka a...
-
Rasti i Arlinda Zekajt, Sveçla: Kërkova nga IPK-ja të hetojë veprimet e policisë
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Kuven...
-
Kryeprokurori Gashi për vrasjen e Zekajt: Nesër ose pasnesër dalim me deklaratë
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka paralajmëruar se nesër ose pasne...
-
Rama ndez qirinj në kujtim të Arlinda Zekajt: Kërkojmë drejtësi dhe përgjegjësi për çdo dështim
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ndezur qirinj në objektin e Kryeqyte...


































