Akuza të rënda ndaj policisë shqiptare janë ato që formulohen nga media italiane “Varese News”, që nëse rezultojnë të vërteta përbëjnë një skandal të mirëfilltë. Akuzat vijnë për rastin e vrasjes mafioze të dy kushërinjve Leshaj (Alban e Agron) në komunën italiane Canegrate, pjesë e provincës së Milanos, më 10 nëntor 2016. Krim për të cilin media italiane raporton se një nga autorët e mundshëm, i cili dyshohet se fshihet në rrethin e Matit, nuk është kërkuar nga policia shqiptare duke injoruar kështu një urdhër të kolegëve italianë.
Sipas hetimeve të deritanishme të autoriteteve italiane, vrasja ka ndodhur në vazhdën e një përplasje mes dy grupeve për pazaret e drogës.
“Një nga pesë të kërkuarit nuk është arrestuar nga policia shqiptare dhe ndoshta kurrë nuk është kërkuar, kur hetuesit italianë kanë urdhëruar kërkimin e tij në Ulëz të Matit. Operacioni që duhet të zhvillohej në të njëjtën kohë në Itali e Belgjikë, nuk ka nisur kurrë (në Shqipëri), duke i lënë këtij të dyshuari mundësinë për ti shpëtuar drejtësisë italiane”, shkruan “Varese News”.