15 organizata reagojnë ndaj Ministrisë së Drejtësisë: Po ua bartni viktimave barrën e përgjegjësisë për dhunën
14:13 | 26 November 2026 Autori: InfokusiGjithsej 15 organizata të shoqërisë civile kanë reaguar ndaj Ministrisë së Drejtësisë, duke kritikuar përzgjedhjen e sloganit “Raporto dhunën” në kuadër të fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit kundër Dhunës ndaj Grave, shkruan Gazeta Infokus.
Sipas organizatave, përmes këtij slogani, Ministria e Drejtësisë po e zhvendos barrën e veprimit mbi viktimat, në vend që të kërkojë përgjegjësi nga institucionet që kanë për detyrë mbrojtjen e tyre.
Organizatat theksojnë se problemi kryesor në Kosovë qëndron te mosveprimi institucional pas raportimit të dhunës.
“Gratë raportojnë dhunën dhe kërkojnë mbrojtje, por vazhdojnë të përballen ndër të tjera edhe me mungesë të mbrojtjes efektive, politikë të papërshtatshme ndëshkimore, riviktimizim institucional, mungesë të llogaridhënies dhe mendësi patriarkale”, thuhet në reagim.
Tutje, organizatat kanë akuzuar Ministrinë e Drejtësisë për përvetësimin e aktivizmit, duke vlerësuar se kjo fushatë është shndërruar gradualisht nga një platformë e mobilizimit qytetar në një aktivitet qeveritar.
Kritika janë adresuar edhe për ceremoninë e hapjes së fushatës së sivjetme, ku, sipas organizatave, hapësira për adresime publike iu rezervua presidentes, kryetares së Kuvendit dhe ministres së Drejtësisë, pa përfaqësim të organizatave të grave dhe shoqërisë civile.
“Në një kampanjë të krijuar për të kërkuar llogaridhënie nga pushteti, hapësira qendrore iu rezervua pikërisht përfaqësuesve të pushtetit”, thuhet në reagim.
Përmes këtij reagimi, organizatat kanë kërkuar që Ministria e Drejtësisë të heqë dorë nga roli udhëheqës në organizimin e fushatës së 16 Ditëve të Aktivizmit, si dhe të rishikojë sloganin e sivjetmë, duke e orientuar atë drejt llogaridhënies institucionale, mbrojtjes efektive të viktimave dhe eliminimit të pandëshkueshmërisë.
“Gratë nuk kanë nevojë që shteti të marrë rolin e aktivistit, por kanë nevojë që shteti të përmbushë detyrimet e tij për garantimin e sigurisë, mbrojtjes dhe drejtësisë”, përfundon reagimi. /Gazeta Infokus/
























