Fokus

U akuzua për favorizime dhe shitje të mundshme të bakrit si hekur në “Pallatin e Rinisë”, Adem Bucolli mohon akuzat – Çfarë tregojnë dokumentet?

Autori: Gazeta inFokus 16:42 | 17 November 2026

Adem Bucolli, udhëheqës i Departamentit të Sigurimit dhe Mbrojtjes kundër Zjarrit në “Pallatin e Rinisë” në Prishtinë, ka mohuar pretendimet e një sinjalizuesi për favorizime në procedurën e largimit të hekurishteve dhe mundësinë që materiale me vlerë, përfshirë bakrin, të shiten si hekur.

Në një intervistë për Gazetën Infokus, ai ka deklaruar se procedura është zhvilluar në mënyrë transparente dhe se nuk ka pasur rol në përzgjedhjen e kompanisë fituese.

Reagimi i tij vjen pas raportimit të Gazetës Infokus, më 11 nëntor, për një dosje denoncimesh të dërguara te kryeministri Albin Kurti, kryetari i Prishtinës Përparim Rama dhe institucionet e drejtësisë.

-Advertisement-

Në dosjen e sinjalizuesit, ndër të tjera, ishin ngritur dyshime edhe për procedurën e largimit të materialeve metalike nga Pallati i Rinisë, duke përmendur drejtpërdrejt emrin e Adem Bucollit.

Në pjesën e denoncimit të titulluar “Çështja kryesore për hetim”, sinjalizuesi pretendonte:

“Procedurë e iniciuar për largimin e materialeve metalike, e paraqitur si hekur, por në objekt ka sasi të mëdha të bakrit dhe aluminit.”

Më tej, në të njëjtin denoncim thuhej:

“Procedura është iniciuar pa procedurë prokurimi, vetëm me thirrje publike, në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik.”

Sinjalizuesi pretendonte gjithashtu se ekzistojnë indicie që procedura është përgatitur për kompaninë e djalit të axhës së Adem Bucollit, udhëheqës i Sigurimit.

Këto janë pretendime të sinjalizuesit, të cilat Bucolli i ka kundërshtuar në intervistën e dhënë për Gazetën Infokus.

 

Bucolli: Nuk ka bakër, vetëm hekurishte dhe mbetje të djegies

Gazeta Infokus ka realizuar një intervistë me Bucollin në hapësirat ku ndodhen materialet që pritet të largohen.

Ai ka kundërshtuar pretendimet, duke thënë se bëhet fjalë për mbetje të grumbulluara prej vitesh, një pjesë e të cilave datojnë nga zjarri i vitit 2000.

“Ky është vendi i ngjarjes ku është bërë pretendim gjoja se unë po bëj favore për procedurat e tenderimit për një kompani të djalit të axhës tim, që po e shesim skrapin ose hekurin, metalet e çmuara edhe bakrin, siç kanë pretenduar”, ka deklaruar Bucolli.

Sipas tij, ndërmarrja synon të pastrojë hapësirën për ta shfrytëzuar më pas si parking dhe për të gjeneruar të hyra.

“Ky vend, përpos që nuk ka asnjë metal të çmuar, është hekur. Këtu nuk po na vjen askush për shkak të kostos së lartë të largimit dhe gjendjes së rrezikshme për shëndetin”, ka thënë ai.

Bucolli ka deklaruar se nuk është kryer ekspertizë profesionale për identifikimin e metaleve.

“Jo, ekspertizë profesionale nuk kemi bërë, sepse të gjithë i njohim metalet. Njihet bakri, njihen metalet e tjera dhe njihet hekuri”, ka thënë ai.

Megjithatë, ai ka sqaruar se pjesët që mund të përmbajnë bakër nuk do të përfshihen në shitjen aktuale dhe se për materialet e tjera do të formohet një komision i veçantë për vlerësim dhe seleksionim.

 

Dokumentet e vitit 2026: Kompania A&Bucolli nuk fitoi

Pas intervistës, Bucolli i ka dërguar Gazetës Infokus dokumentacionin e procedurës së zhvilluar në vitin 2026.

Nga dokumentet rezulton se Pallati i Rinisë kishte publikuar një njoftim për shprehje të interesit për blerjen dhe transportimin e hekurishteve, ku kriter kryesor ishte çmimi më i lartë për kilogram.

Me vendimin nr. 1/3329, të datës 30 tetor 2026, ushtruesja e detyrës së kryeshfes ekzekutive, Irma Bajrami, kishte formuar komisionin në përbërje të Besim Zekës, Daris Fazliut dhe Zana Hysiqit.

Sipas raportit të vlerësimit dhe njoftimit për rezultat, në procedurë kishin marrë pjesë tri kompani:

  • DT Mining SH.P.K. – 0.15 euro për kilogram;
  • 2T Company SH.P.K. – 0.13 euro për kilogram;
  • A&Bucolli SH.P.K. – 0.12 euro për kilogram.

Komisioni kishte rekomanduar kompaninë DT Mining si ofertuesen me çmimin më të lartë.

Kështu, dokumentet e dorëzuara tregojnë se A&Bucolli nuk është rekomanduar si fituese e procedurës së vitit 2026. Po ashtu, emri i Adem Bucollit nuk figuron në përbërjen e komisionit të këtij viti.

“Ka fituar njeriu që nuk e njoh, as nuk e di kush është. E ka dhënë çmimin më të lartë dhe ka fituar për t’i larguar këto mbeturina”, ka deklaruar Bucolli për Infokus.

Ai ka shtuar se ofertat janë dorëzuar fizikisht në arkivë dhe janë vlerësuar nga komisioni, pa pjesëmarrjen e tij në vendimmarrje.

Megjithatë, një dokument tjetër i dërguar nga vetë Bucolli tregon se ai kishte qenë pjesë e një komisioni vlerësues në një procedurë të mëhershme, atë të vitit 2022.

Në procesverbalin e datës 25 dhjetor 2022, lidhur me largimin e materialeve të papërdorshme nga Pallati i Rinisë, Adem Bucolli figuron si njëri nga tre anëtarët e komisionit vlerësues, së bashku me Daut Rexhën dhe Alberie Kastratin.

Në të njëjtin dokument, ofertat e kompanive përfshijnë çmime të veçanta për hekurin dhe bakrin.

Komisioni kishte përzgjedhur ofertuesin N.T. “MIGJENI” nga Obiliqi, i cili kishte paraqitur ofertën më të favorshme sipas vlerësimit të komisionit.

Ky dokument dëshmon se në procedurën e vitit 2022 ishte paraparë edhe trajtimi i bakrit si kategori e veçantë materiali. Megjithatë, ai nuk vërteton se bakri ndodhet ende në hapësirat që përfshihen në procedurën e vitit 2026.

Bucolli ka deklaruar se materiali që përmbante bakër nga pjesa e kulmit të djegur ishte larguar që në vitin 2002.

Ai ka mohuar kategorikisht çdo favorizim, duke theksuar se gjatë 26 viteve të punës në institucion nuk ka pasur asnjë procedurë disiplinore apo për keqpërdorim të pozitës.

“Akuzat i mohoj kategorikisht. Do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore deri në zbulimin e atyre që ma kanë lakuar emrin”, ka deklaruar ai.

Gjatë intervistës, Gazeta Infokus ka realizuar edhe pamje nga hapësirat e Pallatit të Rinisë ku ndodhen materialet metalike që pritet të largohen.

Bucolli ka deklaruar se në këto hapësira nuk ka më sasi të konsiderueshme bakri, duke këmbëngulur se materialet e mbetura janë kryesisht hekurishte dhe mbetje nga zjarri i vitit 2000.

Megjithatë, ai ka pranuar se nuk është kryer ndonjë ekspertizë profesionale për identifikimin dhe vlerësimin e metaleve.

Deklaratat e plota të Adem Bucollit, së bashku me pamjet e realizuara nga Gazeta Infokus në vendin ku ndodhen materialet, do të publikohen së shpejti në një video të veçantë.

DOSJA e Sinjalizuesit alarmon Kurtin, Ramën e Prokurorinë për keqpërdorime masive e punësime familjare në ndërmarrjet publike të Prishtinës

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy