Lajme

Kryeprokurori Gashi për vrasjen e Zekajt: Nesër ose pasnesër dalim me deklaratë

Autori: Gazeta inFokus 21:41 | 26 October 2026

Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka paralajmëruar se nesër ose pasnesër do të dalë me një deklaratë lidhur me veprimet që do të ndërmerren ndaj personave përgjegjës për rastin e Arlinda Zekajt, nëse konstatohen lëshime.

Duke folur në emisionin “Debat Plus” në RTV Dukagjini, Gashi ka bërë të ditur se është autorizuar një koordinator brenda zyrës së tij për t’i shqyrtuar të gjitha veprimet hetimore që nga fillimi i rastit.

“Secila hallkë që ka dështuar, ka lëshime në aspektin profesional, do të japë llogari për të gjitha lëshimet. Koordinatori që është brenda zyrës sonë është autorizuar që t’i skanojë të gjitha veprimet hetimore, nga fillimi deri në fund. Nga Policia deri te shërbimet e tjera sociale”, ka deklaruar Gashi.

-Advertisement-

Ai ka thënë se pas shqyrtimit të veprimeve të institucioneve do të bëhet e ditur se çfarë masash do të ndërmerren, nëse evidentohen shkelje.

“Brenda disa ditëve, nesër ose pasnesër, do të dalim me një deklaratë sa i përket veprimeve që do t’i ndërmarrim për personat përgjegjës, nëse ka lëshime eventuale”, ka thënë Gashi.

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës. Ajo kishte kërkuar mbrojtje nga institucionet dhe, vetëm tri ditë para vrasjes, i ishte drejtuar me letër edhe kryeprokurores së Pejës, Lumturije Vuçetajt.

Vrasja e saj ka ngritur pikëpyetje për veprimet e institucioneve që ishin njoftuar për rastin dhe përgjegjësinë e tyre për ta mbrojtur viktimën.

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy