Lajme

Le’tra tronditëse që Arlinda Zekaj ia dorëzoi Prokurorisë tri ditë para se të vritej

Autori: Gazeta inFokus 00:32 | 26 Tetor 2026

“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime.”

Këto fjalë i shkroi Arlinda Sylaj Zekaj në një letër drejtuar Kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, e cila mban vulën e pranimit të datës 22 tetor 2026. Vetëm tri ditë më vonë, më 25 tetor, ajo u vra mizorisht në shtëpinë e saj në Vitomiricë, ndërsa për krimin dyshohet kunati i saj.

Sinjali ka siguruar letrën e Arlindës, përmes së cilës ajo kërkonte ndërhyrje urgjente të institucioneve, ekzekutimin e një urdhri gjyqësor dhe hetimin e zyrtarëve që, sipas saj, kishin dështuar në përmbushjen e detyrave.

-Advertisement-

Letra, e adresuar për Kryeprokuroren dhe e shënuar si urgjente, përmban një paralajmërim tronditës për rrezikun që viktima ndiente ndaj jetës së saj.

Në të, ajo kërkonte marrjen e masave ndaj zyrtarëve përgjegjës, duke pretenduar se përgjegjësitë po barteshin nga një institucion te tjetri, ndërsa rreziku për jetën e saj vazhdonte.

Arlinda kishte kërkuar gjithashtu ekzekutimin e menjëhershëm të urdhrit gjyqësor dhe hapjen e hetimeve ndaj zyrtarëve të përfshirë, duke filluar nga Qendra për Punë Sociale.

“Kjo është shtesa ime e fundit”, kishte shkruar ajo, përpara se të shprehte frikën se institucionet mund të detyroheshin të jepnin llogari vetëm pasi t’i merrej jeta.

Në fund të letrës, Arlinda kishte shkruar edhe fjalët:

“Tani po e kuptoj pse ka kaq shumë vrasje!”

Tri ditë pas pranimit të kësaj letre në Prokurori, 49-vjeçarja u gjet e vrarë në dhomën e gjumit, në shtëpinë e saj në rrugën “Man Dedushaj”, në Vitomiricë.

Tragjedia ndodhi në rrethana edhe më shqetësuese, pasi atë mbrëmje Arlinda ishte paraqitur në Polici si viktimë e dhunës në familje.

Ajo ishte intervistuar nga hetuesit dhe rreth orës 20:58 ishte kthyer në shtëpi nga patrulla policore. Vetëm rreth dhjetë minuta më vonë, Policia u njoftua për vrasjen.

Sipas informacioneve fillestare, kunati i saj, Albert Sylaj, dyshohet se e kishte goditur me sëpatë në kokë.

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy