Lajme

“359 milionë euro kontrata njëburimore”, Bajrami kërkon hetime: Vjedhje me letra e taksave të qytetarëve

Autori: Gazeta inFokus 09:50 | 25 Tetor 2026

Deputetja Hykmete Bajrami ka ngritur akuza të ashpra lidhur me kontratat njëburimore të lidhura nga institucionet publike, duke deklaruar se nga marsi i vitit 2021 deri në mesin e tetorit 2026 janë lidhur gjithsej 2,913 kontrata të tilla, në vlerë prej 359 milionë eurosh, shkruan Gazeta Infokus.
Përmes një reagimi publik, të titulluar “Korrupsion transparent”, Bajrami ka kritikuar përdorimin e procedurave të negociuara pa publikim të njoftimit për kontratë, duke e ndërlidhur këtë çështje edhe me mungesën e barnave për pacientët.
“Në kohën kur pacientët lihen pa barna, kinse për shkak të procedurave të prokurimit, numri i kontratave njëburimore, sipas të dhënave zyrtare, ka arritur në 2913”, ka deklaruar Bajrami.
Sipas shifrave të publikuara prej saj, nga numri i përgjithshëm i kontratave, 1,706 janë kontrata fillestare në vlerë prej 304 milionë eurosh, ndërsa 1,207 janë aneks-kontrata në vlerë prej 55 milionë eurosh.
Bajrami ka përmendur edhe rastin e furnizimit me pelet në dy komuna, duke pretenduar se dallimi në çmimin e blerjes nga e njëjta kompani dëshmon për dyshimet që ngre ndaj kontratave njëburimore.
“Derisa komuna e Podujevës e kishte blerë peletin me kontratë të negociuar 520 euro/ton, komuna e Graçanicës ka blerë nga e njëjta kompani me tender të hapur 380 euro/ton”, ka shkruar ajo.
Sipas saj, dallimi prej 140 eurosh për ton ngre shqetësime serioze për mënyrën se si shpenzohen paratë publike.
Deputetja ka kërkuar që kontratat e tilla t’u nënshtrohen hetimeve, duke hedhur akuza edhe për ato që, sipas saj, janë lidhur pa miratim paraprak nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.
“Të gjitha kontratat që janë lidhë pa aprovim paraprak nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik janë vjedhje me letra e taksave të qytetarëve të këtij vendi, taksave edhe të atyre që shteti s’po ua siguron barnat për trajtimin e sëmundjes së kancerit”, ka deklaruar Bajrami.
Në fund të reagimit, ajo ka kërkuar përgjegjësi për mënyrën e menaxhimit të parasë publike.
Shifrat dhe pretendimet e deputetes janë të publikuara në reagimin e saj dhe nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur. /Gazeta Infokus/

-Advertisement-

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy