Enver Hasani: Kuvendi nuk mund t’ia ndryshojë as presjen ligjit të kthyer nga Presidentja
Autori: Gazeta inFokus
13:19 | 23 Tetor 2026
Profesori i së Drejtës dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Enver Hasani, ka thënë se Kuvendi i Kosovës nuk mund të ndryshojë asnjë dispozitë të një ligji që Presidentja e ka kthyer për rishqyrtim.
Në një intervistë me Paparacin të premten, Hasani ka theksuar se ligji duhet të votohet në tekstin në të cilin është miratuar fillimisht.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese ka thënë se për këtë çështje ekziston një standard kushtetues i vendosur nga Gjykata Kushtetuese në rastin e vetos së ish-Presidentes Atifete Jahjaga lidhur me Ligjin për Pensionet e Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas tij, vetoja presidenciale është instrument i kontrollit kushtetues mbi ligjet e miratuara nga Kuvendi dhe nuk mund të përdoret si mjet për ndryshimin apo plotësimin e përmbajtjes së tyre.
Hasani ka theksuar se, në procedurën e rishqyrtimit, Kuvendi nuk mund të hapë një procedurë të re legjislative për ta ndryshuar ligjin, por duhet të vendosë nëse do ta miratojë sërish në formën e mëparshme.
Ai ka sqaruar se për miratimin e ligjit të kthyer kërkohen të paktën 61 vota të deputetëve, sipas nenit 80, paragrafi 4, të Kushtetutës së Kosovës.
Nëse ligji i siguron 61 votat, vetoja presidenciale tejkalohet dhe ligji konsiderohet i shpallur. Në të kundërtën, nëse nuk sigurohet shumica e nevojshme, ligji nuk miratohet.
Sipas Hasanit, nëse Kuvendi synon ta ndryshojë përmbajtjen e ligjit, këtë mund ta bëjë vetëm përmes një procedure të re legjislative, e jo duke ndërhyrë në tekstin e ligjit të kthyer nga Presidentja.
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një letre zyrtare, i ka kërkuar të enjten presidentes Justina Shiroka-Pula rikthimin në Kuvend për rishqyrtim të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në një njoftim për media, PDK tha se kthimi i Ligjit do të mundësonte “plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit”.
“PDK-ja është krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ajo ka marrë”, tha PDK në njoftim.
Presidenca tha se Shiroka Pula pranoi propozimin zyrtar të PDK-së për rishqyrtimin e ligjit, veçmas të dispozitave që lidhen me juridiksionin dhe mandatin e Gjykatës në Hagë, si dhe me “dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen pranë këtyre Dhomave”.
Intervista e plotë:
Paparaci: A mund ta ndryshojë Kuvendi tekstin e një ligji që Presidentja e ka kthyer për rishqyrtim?
Hasani: Në rastin e një ligji të kthyer nga Presidenti i Republikës për rishqyrtim në Kuvend, nuk mund të ndryshohet asnjë dispozitë e tij. Asnjë presje nuk mund t’i shtohet apo t’i hiqet tekstit të ligjit të miratuar më parë.
Për këtë çështje ekziston një standard kushtetues i vendosur nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës në rastin e vetos së ish-Presidentes Atifete Jahjaga, lidhur me Ligjin për Pensionet e Pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kam qenë Kryetar i Gjykatës Kushtetuese kur është vendosur ai rast dhe e njoh mirë arsyetimin juridik të tij.
Gjykata ka bërë dallimin ndërmjet iniciativës legjislative dhe vetos presidenciale. Fakti që Presidenti i Republikës gëzon të drejtën e iniciativës legjislative nuk nënkupton se këtë kompetencë mund ta ushtrojë përmes vetos. Vetoja presidenciale është instrument i kontrollit kushtetues mbi ligjet e miratuara nga Kuvendi, dhe jo mjet për ndryshimin apo plotësimin e përmbajtjes së tyre. Ajo ushtrohet kur Presidenti konsideron se ligji cenon interesat legjitime të Republikës së Kosovës ose të një apo më shumë komuniteteve të saj.
Prandaj, kur një ligj kthehet nga Presidenti, Kuvendi nuk zhvillon një procedurë të re legjislative për ta ndryshuar apo plotësuar atë. Në procedurën e rishqyrtimit, Kuvendi vendos nëse do ta miratojë sërish ligjin në tekstin në të cilin është miratuar fillimisht.
Paparaci: Çfarë procedure duhet të ndjekë Kuvendi për ta miratuar ligjin e kthyer nga Presidentja dhe çfarë ndodh nëse nuk sigurohen 61 votat e nevojshme?
Hasani: Në këtë procedurë votohet raporti përkatës i Komisionit për Legjislacion, ndërsa për miratimin e ligjit të kthyer kërkohet shumica e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përkatësisht të paktën 61 vota, sipas nenit 80, paragrafi 4, të Kushtetutës.
Nëse sigurohen 61 vota, vetoja presidenciale tejkalohet dhe ligji konsiderohet i shpallur. Nëse nuk sigurohen 61 vota, ligji nuk miratohet dhe procedura përfundon pa ligj.
Nëse Kuvendi dëshiron ta ndryshojë përmbajtjen e ligjit, këtë mund ta bëjë përmes një procedure të re legjislative, por jo duke ndërhyrë në tekstin e ligjit të kthyer nga Presidenti.
Ky është dallimi themelor kushtetues ndërmjet rishqyrtimit të ligjit pas vetos presidenciale dhe ushtrimit të zakonshëm të funksionit legjislativ të Kuvendit.
Paparaci: Ka zëra që thonë se rishqyrtimi i ligjit, me kërkesë të Presidentit të Republikës, të shprehur përmes vetos presidenciale, nënkupton edhe të drejtën e Kuvendit për ta amendamentuar ligjin. A është i saktë një interpretim i tillë?
Hasani: Asnjëherë! Si mund të ketë amendamentim të një ligji që tashmë ka kaluar të gjitha fazat e shqyrtimit parlamentar, është miratuar nga Kuvendi dhe ka mbetur vetëm pa shpalljen presidenciale?
Duhet të bëhet një dallim i qartë ndërmjet procedurës së zakonshme legjislative dhe procedurës së rishqyrtimit të ligjit pas vetos presidenciale. Këto janë dy procedura juridikisht të ndryshme, me qëllime dhe pasoja të ndryshme kushtetuese.
Vetoja presidenciale nuk e rikthen ligjin në procedurën e zakonshme legjislative dhe nuk e autorizon Kuvendin ta rihapë procesin e amendamentimit. Ajo i jep Kuvendit mundësinë të vendosë nëse do ta konfirmojë ligjin që tashmë e ka miratuar.
Ndryshimi dhe plotësimi i ligjit bëhen përmes një procedure tjetër legjislative, të përcaktuar me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Kuvendit.
Çdo përpjekje për ta shfrytëzuar veton presidenciale si mundësi për amendamentimin e ligjit do të përbënte keqpërdorim të procedurës kushtetuese dhe tejkalim të kufijve të pushtetit legjislativ. Një praktikë e tillë do të krijonte një precedent të rrezikshëm për të ardhmen, duke e shndërruar një mekanizëm të kontrollit kushtetues në instrument për rihapjen e procesit legjislativ.
Kushtetuta nuk mund të interpretohet sipas nevojave të momentit. Rregullat kushtetuese vlejnë njësoj për çdo përbërje parlamentare dhe për çdo President të Republikës.

T� tjera
-
Le’tra tronditëse që Arlinda Zekaj ia dorëzoi Prokurorisë tri ditë para se të vritej
“Uroj që të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni ...
-
Kurti uron “Koalicionin Shqiptar” për rezultatin në zgjedhjet në Serbi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka uruar “Koalicionin Shqiptar” për rez...
-
Ky është i dyshuari për vrḁsjen me sëpatë të kunatës në Pejë – viktimḁ ishte kthyer nga Policia në shtëpi vetëm pak minuta para krimit
Gazeta Sinjali ka siguruar identitetin e personit të dyshuar për vrasjen brut...
-
Tragjedia në Vitomericë/ Avokatja zbulon fjalët e fundit të Arlindës, që u vra nga kunati me sopatë: “Nuk më duhet jeta pa djalin”
Avokatja Adelina Hoxha ka reaguar pas vrasjes së Arlindës, e cila dyshohet se...
-
CRTA: Lista Studentore kryeson me 51,47 për qind të votave
Lista Studentore kryeson në zgjedhjet parlamentare në Serbi me 51,47 për qind...
-
Burri nga Deçani e vret në Vitomericë kunatën e tij
Një ngjarje e rëndë dyshohet se ka ndodhur në Vitomericë të Pejës, ku një bur...
-
CeSID: Koalicioni Shqiptar, dy mandate në Serbi
“Koalicioni Shqiptar” pritet të përfaqësohet nga dy deputetë në parlamentin s...
-
CeSiD i publikon rezultatet preliminare, Lista e Studentëve e mund Vuçiqin 52 me 39, Daçiq merr veç 2.3% të votave
Qendra për Zgjedhje të Lira dhe Demokraci (CeSiD), në bashkëpunim me Ipsos, k...
-
Shqiptarët mund t’i fitojnë tre mandate në Parlamentin e Serbisë?
Me përjashtim të listës së studentëve dhe SNS-it, të gjitha listat tjera zgje...
-
Vuçiq humbi, nisin festimet në shtabin e Listës së Studentëve dhe në qendër të Beogradit
Festimet kanë nisur në shtabin e listës së studentëve “Studentët Fitojnë”, pa...
-
Vuçiç pranon humbjen pas 14 vitesh në pushtet: Ka fituar Lista Studentore
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se Lista Studentore pritet të...
-
Rrahja e të miturës në Gjilan nga bashkëmoshataret, familja largohet nga Kosova
Pas dhunës fizike ndaj një vajze të mitur në Gjilan në vitin 2025, e cila iu ...






























