Lajme

OVL-UÇK i reagon Trendafilovës: Specialja s’ka pushtet mbi Kuvendin që e themeloi

Autori: Gazeta inFokus 12:48 | 20 Tetor 2026

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka reaguar ndaj kryetares së Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila sot ka pasur një adresim, duke u thirrur në pavarësinë e këtij institucione dhe gjykatësve në Hagë.

Në reagimin për media, OVL-UÇK i është kundërpërgjigjur Trendafilovës, duke kërkuar nga ajo që të dijë se në Kosovë ligjet i miraton Kuvendi.

“Të pretendosh se një gjykatë ka të drejtën e zgjedhjes së ligjit që rregullon veprimtarinë e saj, është jo vetëm e çuditshme, por edhe qesharake. Këto pretendime i lexuam në komunikatën e znj. Trendafilova. Zonja në fjalë, duhet të dijë se në Kosovë, ligjet i miraton Kuvendi. Vet Dhomat e Specializuara ekzistojnë sepse u krijuan nga Kuvendi, andaj ato nuk kanë pushtet mbi institucionin që i themeloi.”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.

-Advertisement-

Në reagim thuhet se Trendafilova duhet ta dijë se t’i mbash leksione Kuvendit për sundimin e ligjit, përderisa, sipas kësaj organizate, e trajton interpretimin personal si të padiskutueshëm, është arrogancë.

“Kritika ndaj vendimeve gjyqësore është e drejtë legjitime dhe nuk do të heqim dorë prej saj. Asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta fshijë të vërtetën se Lufta Çlirimtare ishte e drejtë. Lirinë e Kosovës e fituan ata që u ngritën kundër gjenocidit, dhe shtetësia e Kosovës qëndron mbi sakrificën e tyre. Andaj, gjykatat asnjëherë nuk duhet të shndërrohen në institute historie, por duhet që me dinjitet e profesionalizëm ta kryejnë punën për të cilën janë mandatuar. Fatkeqësisht, në rastin e Dhomave të Specializuara kanë munguar që të dyja, edhe dinjiteti, edhe profesionalizmi.”, është thënë në reagimin e OVL-UÇK-së.

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy