Lajme

Prishtina 2030 në pikëpyetje, Rama zbulon vonesat në përgatitjet për Lojërat: Garancia bankare s’u pagua

Autori: Gazeta inFokus 13:16 | 16 Tetor 2026

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka shprehur shqetësimin për vonesat në përgatitjet për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”, duke paralajmëruar se mos përmbushja e obligimeve mund ta rrezikojë mbajtjen e kësaj ngjarjeje të rëndësishme sportive në Kosovë.

Në një konferencë për media, Rama ka kritikuar mungesën e veprimeve konkrete nga institucionet përgjegjëse, duke theksuar se garancia bankare e kërkuar që nga janari ende nuk është paguar, ndërsa janë shkelur vazhdimisht afatet për funksionalizimin e strukturave organizative, përgatitjen e masterplanit dhe buxhetit.

Sipas tij, Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) kishte kërkuar që mbledhja inauguruese e Komitetit Organizativ të mbahej deri më 15 korrik, mirëpo ajo është zhvilluar vetëm më 4 gusht, shkruan Gazeta Infokus.

-Advertisement-

Rama ka bërë të ditur se nuk janë respektuar as afatet e përcaktuara më 27 qershor, 15 korrik dhe 12 gusht.

Ai ka drejtuar kritika edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti, i cili, sipas tij, në cilësinë e kryesuesit të Bordit Drejtues, ka përgjegjësi për thirrjen e mbledhjeve dhe koordinimin e vendimmarrjes.

“Ne si kryeqytet nuk kemi qëndruar në heshtje. Kemi kërkuar takime dhe mbledhje urgjente të Bordit Drejtues për t’i trajtuar kërkesat e ICMG-së dhe për të marrë vendimet e nevojshme. Kryeministri Albin Kurti, në cilësinë e kryesuesit të Bordit Drejtues, ka përgjegjësinë për thirrjen e mbledhjeve dhe koordinimin e vendimmarrjes”, ka deklaruar Rama.

Sipas kryetarit të Prishtinës, pas mbledhjes së 4 gushtit nuk është thirrur asnjë mbledhje tjetër e Bordit Drejtues.

Ai ka treguar se më 30 shtator, Komuna e Prishtinës kishte ndërmarrë iniciativë për thirrjen e një mbledhjeje të jashtëzakonshme më 8 tetor, por ajo nuk u realizua për shkak të mungesës së nënshkrimeve të nevojshme.

Nga 13 anëtarët e bordit kërkoheshin të paktën pesë nënshkrime, ndërsa kërkesën e kishin nënshkruar vetëm tre përfaqësuesit e kryeqytetit.

Rama ka thënë se përfaqësuesit e Qeverisë dhe të Komitetit Olimpik të Kosovës nuk i janë përgjigjur ftesës për nënshkrim.

Ndërkohë, sipas tij, ICMG ka përcaktuar afate të reja për përmbushjen e detyrimeve, duke filluar nga 30 tetori, për të vazhduar më 1 dhe 15 dhjetor 2026, si dhe më 1 mars 2027.

Ai ka paralajmëruar se më 19 dhjetor 2026 pritet të shqyrtohet e ardhmja e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

“Nuk kemi kohë për heshtje institucionale. Sot kërkojmë përgjigje të qarta. Pse nuk janë përmbushur detyrimet financiare? Pse nuk është dërguar garancia e kërkuar? Pse nuk janë thirrur mbledhjet e Bordit Drejtues? Kush do ta marrë përgjegjësinë nëse Kosova e humb këtë mundësi historike?”, ka pyetur Rama.

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” konsiderohen një nga ngjarjet më të mëdha sportive ndërkombëtare që Kosova synon të organizojë, ndërsa vonesat e ngritura nga kryetari i kryeqytetit kanë shtuar shqetësimet për përmbushjen e obligimeve brenda afateve të përcaktuara./Gazeta Infokus

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy