KPM-ja miraton kërkesën për transmetim eksperimental të “Radio Policia e Kosovës”
Autori: Gazeta inFokus
11:30 | 12 October 2026
Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) ka miratuar me gjashtë vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim kërkesën e Policisë së Kosovës për lejimin e transmetimit eksperimental të “Radio Policia e Kosovës”.
Gjatë mbledhjes së KPM-së, ushtruesi i detyrës së këtij komisioni, Namon Racaj, ka shpjeguar se kërkesa mbështetet në rregulloren e re për transmetimet eksperimentale, e cila u mundëson subjekteve të interesuara të testojnë teknologji dhe forma të reja të transmetimit.
Sipas Racajt, kjo procedurë nuk nënkupton licencimin e një mediumi të ri, por testimin e mundësive teknike dhe programore, me kufizime të përcaktuara, veçanërisht në aspektin komercial.
“Duhet vetëm ta sqarojmë se rregullorja nuk është e detyrueshme ndaj ndonjë subjekti, por ka krijuar një terren të ri për të gjitha subjektet që dëshirojnë të bëjnë testime të transmetimeve eksperimentale, duke u bazuar edhe në zhvillimet teknologjike që kanë ndodhur. Ka pasur një kërkesë që të krijohet një bazë ligjore përmes kësaj rregulloreje, në mënyrë që kushdo që ka interes si subjekt për të testuar teknologji të reja dhe për të bërë testime programore, ta ketë këtë mundësi”, ka thënë Racaj.
Ai ka theksuar se subjektet që marrin leje për transmetim eksperimental nuk mund të konkurrojnë në tregun medial me transmetuesit e licencuar në Kosovë, pasi aktivitetet e tyre komerciale janë të kufizuara.
“Këto subjekte të cilat marrin leje për transmetim eksperimental nuk mund t’i konkurrojnë tregut medial ose transmetuesve të licencuar që veprojnë me licencë të KPM-së. Të gjitha aktivitetet komerciale të transmetuesve eksperimentalë radiofonikë nuk lejohen në atë formë që t’i vënë në konkurrencë televizionet ose radiot e licencuara në Kosovë, të cilat e kanë edhe tregun e reklamës. Kjo është e specifikuar në rregullore dhe është shumë me rëndësi të bëhet e qartë se këto nuk janë media në kuptimin tradicional”, ka deklaruar ai.
Racaj ka bërë të ditur se leja për transmetim eksperimental fillimisht mund të jepet për një vit, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. Ai ka sqaruar se qëllimi është testimi i mbulueshmërisë, përmirësimi i sinjalit dhe i përmbajtjeve që mund të ofrohen përmes formave të reja të transmetimit.
Sa i përket kërkesës së Policisë së Kosovës, Racaj ka thënë se ajo synon mundësimin e informimit të qytetarëve për sigurinë në trafik dhe sigurinë publike.
“Në këtë rast kërkesa është nga Policia e Kosovës, e cila e ka parashtruar me qëllim që të ketë informacione për sigurinë në trafik dhe sigurinë publike. Bëhet fjalë për lajmërimet e trafikut dhe shërbime të tjera që ekzistojnë në vende të ndryshme, por që transmetohen në formate të ndryshme. Ky ka qenë qëllimi i kërkesës dhe, në këtë aspekt, ajo është trajtuar nga Zyra e Çështjeve Ligjore. Kërkesa ka bazë ligjore në rregulloren përkatëse”, ka thënë Racaj.
Ndërkaq, kryesuesi i KPM-së, Besnik Berisha, e ka cilësuar kërkesën si një mundësi të rëndësishme për të testuar funksionimin e lajmërimeve të trafikut përmes transmetimeve radiofonike.
Berisha ka rikujtuar se kjo temë është diskutuar edhe më herët në KPM, duke përmendur kritikat e mëparshme të qytetarëve lidhur me mënyrën se si transmetoheshin njoftimet e trafikut dhe kalimin automatik të sinjalit në kanale të caktuara.
“Unë mendoj se ka ardhur një moment i rëndësishëm për këtë kërkesë dhe, meqë është për transmetim eksperimental, nga ajo pjesë që e kam lexuar, nuk ka pasur theksim të mjaftueshëm të asaj që quhet ‘traffic announcement’, ose lajmërimet e trafikut. Kjo është një temë që mendoj se e kam nisur para rreth katër vitesh, kur kam qenë në KPM, dhe mendoj se është diçka e rëndësishme. Kemi pasur edhe kritika dhe debate më herët, madje ndoshta edhe ankesa, për shkak se kalonte sinjali dhe ndërronte kanalin në mënyrë automatike. Është shumë e rëndësishme që të bëhen këto testime pikërisht në këtë pjesë”, ka deklaruar Berisha.
Ai ka theksuar se testimi do t’i shërbejë edhe vetë KPM-së për të identifikuar mënyrat më efikase të rregullimit të shërbimeve të lajmërimeve të trafikut.
“Ky aplikim shërben si një projekt pilot rregullativ dhe teknik për Komisionin e Pavarur të Mediave. Testimi do t’i mundësojë stafit të KPM-së të identifikojë modalitetet më efikase të rregullimit të shërbimit të lajmërimeve të trafikut. Përderisa kemi menduar ndonjëherë se nevojiten edhe investime për t’i bërë këto testime dhe për të vendosur një rregullim të caktuar për këtë tematikë, tash e kemi rastin kur Policia e Kosovës e ka bërë këtë kërkesë. Besoj se do të ketë bashkëpunim të mirë edhe me ne, por ne inkurajojmë memorandume bashkëpunimi me stacione të tjera private dhe publike për të testuar format e bashkëpunimit”, ka thënë Berisha.
Kryesuesi i KPM-së ka përmendur edhe disa modele të mundshme për organizimin e lajmërimeve të trafikut në të ardhmen. Sipas tij, njëra prej mundësive është që radiostacionet të vendosin vullnetarisht nëse dëshirojnë të transmetojnë njoftime të tilla, ndërsa një model tjetër do të ishte përcaktimi i detyrimeve për radiostacione të caktuara, bazuar në kritere objektive.
Berisha ka përmendur gjithashtu mundësinë e krijimit të një sistemi të koordinuar në nivel kombëtar, ku Policia e Kosovës dhe autoritetet rrugore do të furnizonin një pikë të përbashkët me informacione të verifikuara, të cilat më pas do të transmetoheshin nga radiostacionet pjesëmarrëse.
Sipas tij, një sistem i tillë do të mundësonte informim më të shpejtë dhe më të koordinuar për qytetarët, por do të kërkonte protokolle institucionale, infrastrukturë dhe përgjegjësi të qarta për përditësimin e informacionit.

T� tjera
-
Parashikimi i motit për të shtunën
Të shtunën parashikohet mot kryesisht me diell, me përjashtim për në orët e m...
-
Xhavit Haliti: Po të liroheshin Thaçi dhe të tjerët me protesta, do të mblidheshin një milion njerëz në rrugë
Ish-deputeti i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka komentuar vendimet e veçanta të Ko...
-
Kurti: Dokumentimi i krimeve të luf*tës i domosdoshëm për zbardhjen e së vërtetës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pranuar raportin e punës së Instituti...
-
Komandanti i KFOR-it takohet me gjeneralin amerikan në Prishtinë, diskutohet siguria në Kosovë
Komandanti i KFOR-it, Roberto Vergori, është takuar sot në kampin “Film City”...
-
“Sa shumë marrëzi e sa pak marre” – Dakaj për arsyetimin e Ramës rreth skandalit me shiritin që kushton 12 euro e paguhet 3.500 euro
Gazetari Shkëlzen Dakaj ka reaguar ashpër ndaj sqarimit të kryetarit të Prish...
-
Një person gjendet pa shenja jete në Prishtinë, policia nis hetimet
Një person është gjetur pa shenja jete të premten mbrëma në Prishtinë, shkrua...
-
Djali i Anton Qunit betohet si ushtar i Kroacisë: Dritoni do të mbetet përfaqësues i traditës shqiptare
Ish-ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Anton Quni, ka bërë të ditur se djali i t...
-
Ymeri: Prokuroria e vërtetoi se ka pasur manipulime në çmimet e energjisë elektrike – u tregtua sikur në “pazar”
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, në EURO n’T7 ka thë...
-
Ganimete Musliu nuk e përjashton kandidimin për kryetare të PDK-së: Ka ardhur momenti që partia të udhëhiqet nga një grua
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka deklaruar se ...
-
Kurti pranoi paportin vjetor të punës së Institutit të Krim*eve të Kryera gjatë Luf*tës në Kosovë
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vizitoi sot Institutin e K...
-
Presidentja Shiroka Pula takon kryetarët e komunave, iu premton përkrahje
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, është takuar sot m...
-
Ndryshimet në pozitat udhëheqëse të Policisë, Musliu kërkon dokumentacion zyrtar: Ende nuk kam marrë përgjigje
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar...


































