Lajme

E konfirmon Policia: Dy persona të vrar*ë dhe një i plag*osur nga të shtënat në Gjilan, i dyshuari vetëdorëzohet

Autori: Gazeta inFokus 16:46 | 09 October 2026

Policia e Kosovës ka konfirmuar për Gazetën Infokus se dy persona kanë mbetur të vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit.

Lajmin për Infokusin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani, i cili ka bërë të ditur se rasti është raportuar sot, më 9 tetor 2026, rreth orës 14:25.

Sipas Hashanit, menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe dy prokurorë të Shtetit.

-Advertisement-

Në vendin e ngjarjes është gjetur i vrarë brenda një veture një burrë rreth 30-vjeçar, ndërsa një grua, po ashtu rreth 30-vjeçare, është dërguar pa shenja jete në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan.

Policia dyshon se të dy viktimat janë qëlluar me armë zjarri nga i njëjti person.

Ndërkohë, një person i tretë, i cili ka mbetur i plagosur nga të shtënat, pas marrjes së ndihmës së parë në Spitalin e Gjilanit, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Sipas informacioneve fillestare të Policisë, dyshohet se mes të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare. Megjithatë, motivi i ngjarjes ende nuk është përcaktuar.

“I dyshuari është vetëdorëzuar, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast”, ka konfirmuar Hashani për Infokusin.

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, po vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe përcaktimin e motivit të kësaj ngjarjeje të rëndë./GazetaInfokus

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy