IKD i kërkon presidentes Shiroka-Pula të deklarohet për 10 çështje: Mandati do të matet me mbrojtjen e Kushtetutës
Autori: Gazeta inFokus
13:47 | 08 October 2026
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), pas zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente e Republikës së Kosovës, ka kërkuar që ajo të paraqesë publikisht qëndrimet dhe angazhimet e saj për disa prej çështjeve kryesore institucionale dhe shtetërore.
IKD ka theksuar se Presidentja ka rol të rëndësishëm në garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve, përfaqësimin e Kosovës jashtë vendit, drejtësinë, sigurinë, politikën e jashtme dhe institucionet e pavarura.
Në mesin e çështjeve për të cilat IKD kërkon qëndrimin e presidentes janë funksionimi demokratik i institucioneve, Dhomat e Specializuara, personat e zhdukur dhe drejtësia për viktimat, partneriteti me SHBA-në dhe BE-në, pavarësia nga partitë politike, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.
Instituti kërkon gjithashtu që Shiroka-Pula të shpalosë vizionin e saj për dialogun Kosovë-Serbi, sigurinë kombëtare dhe FSK-në, si dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, komuniteteve dhe mirëqenien sociale.
IKD i ka kërkuar presidentes të deklarohet edhe për procesin përmes të cilit është zgjedhur, konkretisht nëse vlerëson se zgjedhja e saj është bërë në përputhje me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe procedurat parlamentare.
Sipas IKD-së, në rast se çështja e zgjedhjes së presidentes dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, ajo duhet të respektojë çdo vlerësim juridik dhe kushtetues që mund të nxirret.
IKD ka bërë të ditur se do ta monitorojë mandatin pesëvjeçar të Shiroka-Pulës në raport me Kushtetutën, sundimin e ligjit, interesin publik dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve.
Komunikata e plotë:
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), pas zgjedhjes së znj. Justina Shiroka-Pula Presidente e Republikës së Kosovës, rikujton se Presidentja ka një rol të rëndësishëm në garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve dhe në përfaqësimin e shtetit brenda e jashtë vendit. Kushtetuta ia beson asaj kompetenca të rëndësishme në raport me ligjet, drejtësinë, sigurinë, politikën e jashtme dhe institucionet e pavarura, përfshirë rolin e Komandantes Supreme të FSK-së.
Presidentja duhet të jetë zë i të gjithë qytetarëve, mbi interesat partiake dhe llogaritjet e shumicave të përkohshme politike. Për këtë arsye, IKD kërkon nga Presidentja Shiroka-Pula që, në fillim të mandatit, të paraqesë publikisht qëndrimet dhe angazhimet e saj lidhur me këto dhjetë çështje kryesore:
1. Kushtetuta dhe funksionimi demokratik i institucioneve
Si do ta ushtrojë Presidentja detyrën kushtetuese për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve? A do të reagojë publikisht dhe në kohë kur cenohen ndarja e pushteteve, mandatet e institucioneve, procedurat kushtetuese apo kur vendi përballet me bllokada të institucioneve?
2. Dhomat e Specializuara, personat e zhdukur dhe drejtësia për viktimat
Cili është qëndrimi i saj lidhur me zhvillimet e fundit për Ligjin për Dhomat e Specializuara, të drejtat e të akuzuarve, të drejtat e viktimave dhe respektimin e pavarësisë gjyqësore? A do ta trajtojë zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe dokumentimin e krimeve të luftës si prioritet të përhershëm shtetëror?
3. Partneriteti me SHBA-në, BE-në dhe integrimi euroatlantik
Si do ta udhëheqë politikën e jashtme për rinisjen e dialogut strategjik dhe forcimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për avancimin e statusit të Kosovës në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO, si dhe për zgjerimin e njohjeve ndërkombëtare të Kosovës? A do të garantojë koordinim të institucioneve në çështjet e politikës së jashtme dhe sigurisë?
4. Pavarësia nga partitë politike dhe përfaqësimi i të gjithë qytetarëve
Çfarë standardi do të vendosë për ta dëshmuar se nuk do të jetë përfaqësuese e interesave të subjekteve politike që e kanë mbështetur zgjedhjen e saj? Si do të sigurojë komunikim dhe konsultim të barabartë me opozitën, shoqërinë civile, komunitetet dhe qytetarët?
5. Kthimi i ligjeve për rishqyrtim dhe mbrojtja e interesit publik
Si do ta përdorë kompetencën për kthimin e ligjeve në Kuvend për rishqyrtim, kur vlerëson se ato janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës? A do të vendosë një praktikë transparente për arsyetimin publik të dekreteve të saj për shpalljen apo kthimin e ligjeve?
6 . Sundimi i ligjit, drejtësia dhe emërimet në sistemin gjyqësor e prokurorial
Si do të sigurohet që kompetencat e saj lidhur me emërimin dhe shkarkimin e gjyqtarëve, prokurorëve, Kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorit të Shtetit të ushtrohen me integritet, pa ndikim politik dhe me respekt të plotë për pavarësinë e sistemit të drejtësisë?
7. Lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e institucioneve të pavarura
Si do të reagojë Presidentja ndaj përpjekjeve për kapjen e institucioneve, emërimeve jomeritore, nepotizmit dhe konfliktit të interesit? A do ta përdorë autoritetin e saj kushtetues për të kërkuar llogaridhënie dhe respektim të standardeve të integritetit në institucionet publike?
8. Dialogu me Serbinë, sovraniteti dhe marrëveshjet ndërkombëtare
Cili është vizioni i Presidentes për dialogun Kosovë-Serbi dhe arritjen e njohjes reciproke? A do të sigurohet që çdo marrëveshje ndërkombëtare të respektojë sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues dhe funksionalitetin e shtetit të Kosovës?
9. Siguria kombëtare, FSK-ja dhe veriu i Kosovës
Si Komandante Supreme, çfarë prioritetesh do të ketë Presidentja për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës, bashkëpunimin me aleatët dhe KFOR-in, si dhe mbrojtjen e sigurisë dhe rendit kushtetues në çdo pjesë të territorit të Republikës?
10. Të drejtat e njeriut, komunitetet, mirëqenia sociale dhe llogaridhënia para qytetarëve
Si do ta udhëheqë Këshillin Konsultativ për Komunitete dhe si do të angazhohet për mbrojtjen nga diskriminimi, barazinë gjinore, të drejtat e komuniteteve joshumicë dhe integrimin e tyre në jetën institucionale? Si do ta përdorë autoritetin e saj për të nxitur konsensus institucional për arsimin, shëndetësinë, mundësitë për të rinjtë, punësimin, uljen e varfërisë dhe adresimin e emigrimit? A do të krijojë praktikë të rregullt të konferencave për media, shpjegimit të vendimeve, transparencës së dekreteve dhe raportimit publik për punën e saj?
IKD vlerëson se Presidentja duhet të sqarojë publikisht edhe qëndrimin e saj për procesin nëpërmjet të cilit është zgjedhur. Në veçanti, ajo duhet të deklarohet nëse vlerëson se zgjedhja e saj është zhvilluar në pajtim të plotë me Kushtetutën, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe procedurat parlamentare, si dhe nëse do të respektojë çdo vlerësim juridik e kushtetues lidhur me këtë process në qoftë se do të iniciohet rast nw Gjykatwn Kushtetuese.
Mandati pesëvjeçar i znj. Shiroka-Pula nuk do të matet përmes deklaratave, por me gatishmërinë për të mbrojtur Kushtetutën edhe atëherë kur kjo kërkon kundërshtimin e shumicës që e ka zgjedhur Presidenten. IKD do ta monitorojë ushtrimin e këtij mandati në raport me Kushtetutën, sundimin e ligjit, interesin publik dhe përgjegjësinë ndaj qytetarëve.

T� tjera
-
Zhurma politike për protezat e invalidëve të UÇK-së – Hulumtimi i Infokus nxjerr të vërtetën, mbi 1.4 milionë euro për 102 persona
Një debat i ashpër politik, akuza e kundër akuza u bënë rreth parave të ndara...
-
Dogana zbulon rreth 10 tonë mallra të padeklaruara në Vërmicë, vlera e tyre 154 mijë dollarë
Dogana e Kosovës ka zbuluar rreth 10 tonë mallra të padeklaruara gjatë kontro...
-
Prattipati takon komandantin e KFOR-it: Të ruhet një ambient i sigurt për të gjithë komunitetet në Kosovë
E ngarkuara me Punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosov...
-
Si do të funksiokojë çështja e konfiskimit të patentëshoferit pas vendimit të Gjykatës Supreme, Policia e Kosovës jep sqarime
Policia e Kosovës ka njoftuar se pas aktgjykimit të Gjykatës Supreme, i cili ...
-
Podujevë: Qentë sulmojnë fëmijën, gruaja e dyshuar si pronare e tyre sulmon policinë
Në Podujevë, gjatë ditës së djeshme raportohet se një fëmijë 12-vjeçar është ...
-
Autobusi godet për vdekje një grua te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, arrestohet shoferi
Një grua ka humbur jetën pasi është goditur nga një autobus të premten, më 6 ...
-
10 raste të dhu*nës në familje brenda 24 orëve
10 raste të dhunës në familje janë regjistruar në raportin e fundit 24-orësh ...
-
Këto vende mbesin pa rrymë sot për shkak të punimeve
KEDS ka treguar zonat që sot mbesin pa rrymë për shkak të “punimeve të domosd...
-
Protestë gjithëkombëtare për Arlinda Zekajn, kërkohet shkarkimi i ministrave
Sot në Prishtinë do të mbahet protestë gjithëkombëtare me kërkesën për drejtë...
-
Gjendet pa shenja jete një shtetas austriak në një banesë në Prishtinë
Në rrugën Isa Boletini në Prishtinë, mbrëmë rreth orës 19:00, Policia e Kosov...
-
Parashikimi i motit për të shtunën
Të shtunën parashikohet mot kryesisht me diell, me përjashtim për në orët e m...
-
Xhavit Haliti: Po të liroheshin Thaçi dhe të tjerët me protesta, do të mblidheshin një milion njerëz në rrugë
Ish-deputeti i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka komentuar vendimet e veçanta të Ko...


































