Lajme

Sindikata e minatorëve ankohet për kushtet e punës: Institucionet të veprojnë, s’mund të punojmë çdo ditë me frikë

Autori: Gazeta inFokus 11:57 | 08 October 2026

Sindikata e Pavarur e Minatorëve të Trepçës ka ngritur shqetësime serioze për kushtet e punës dhe sigurinë në minierën e Stantërgut, pas incidentit të mbrëmshëm, kur 63 minatorë mbetën të ngujuar si pasojë e ndërprerjes së energjisë elektrike.

Ndonëse të gjithë minatorët arritën të dilnin shëndoshë e mirë, Sindikata ka paralajmëruar se ngjarja është një sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë në minierë dhe nuk duhet të kalojë pa u trajtuar nga institucionet përgjegjëse.

“Nuk mund të presim tragjedinë për të reaguar”, thuhet në reagimin e Sindikatës.

-Advertisement-

Sipas saj, minatorët vazhdojnë të përballen me kushte të vështira pune, pajisje të vjetruara, probleme me rrugët e emergjencës dhe rreziqe të vazhdueshme profesionale, ndërkohë që investimet për sigurinë dhe shëndetin e tyre mbeten të pamjaftueshme.

“Minatorët nuk mund të vazhdojnë të punojnë çdo ditë me frikën se një defekt teknik mund t’u rrezikojë jetën”, thekson Sindikata.

Për këtë arsye, ajo ka kërkuar hetim të plotë dhe transparent të incidentit, identifikimin e përgjegjësive dhe kontroll urgjent të pajisjeve, infrastrukturës, rrugëve të emergjencës dhe sistemeve të sigurisë brenda minierës.

Sindikata ka kërkuar gjithashtu që shteti të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e kushteve të punës, duke theksuar se reagimet pas incidenteve nuk janë të mjaftueshme.

“Kërkojmë gjithashtu investime urgjente nga shteti në sigurinë e minatorëve. Nuk mjaftojnë deklaratat dhe reagimet vetëm pas incidenteve”, thuhet më tej në reagim.

Përfaqësuesit e minatorëve kanë vlerësuar edhe rolin e mediave në pasqyrimin e shqetësimeve të tyre, por kanë theksuar se përgjegjësia kryesore për garantimin e sigurisë u takon institucioneve.

“Institucionet duhet të veprojnë. Trepça mund të jetë pasuri strategjike e Kosovës, por mbi çdo pasuri qëndron jeta dhe shëndeti i minatorit. Mos të presim që një incident i radhës të kthehet në tragjedi. Tani është momenti për veprim!”, ka bërë thirrje Sindikata.

Në fund, Sindikata ka falënderuar të gjithë ata që shprehën shqetësim për gjendjen e minatorëve pas incidentit, duke përsëritur kërkesën që siguria e punëtorëve të trajtohet si prioritet./Gazeta Infokus 

VIVA FRESH E SHPALL KREEEEJT MUAJIN BLACK NOVEMBER!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy