Diplomati austriak Wolfgang Petritsch për Hashim Thaçin gjatë luftës: Kisha përshtypjen se ishte i ngrirë nga frika
Autori: Gazeta inFokus
11:49 | 18 September 2026
Si i dërguar i posaçëm i BE-së gjatë luftës së Kosovës, Wolfgang Petritsch e përjetoi Hashim Thaçin nga afër.
Në një bisedë për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, ai kujton atë kohë.
FAZ: Petritsch, si i dërguar i posaçëm i BE-së për Kosovën, ju ishit ndër personat e pakët që në vitet 1998 dhe 1999 e njohët personalisht udhëheqësin gueril kosovar, Hashim Thaçi. A ju befasoi aktgjykimi?
Petritsch: Pyetja kryesore përgjatë gjithë procesit ishte: A ekzistonte në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, një zinxhir funksional komandues apo jo? Prokuroria pretendonte se ai ekzistonte, dhe se për këtë arsye Thaçi, si udhëheqës politik i UÇK-së, mbante përgjegjësi përfundimtare për krimet që i viheshin në barrë asaj. Mbrojtja argumentonte se UÇK-ja kishte qenë një trupë fshatare e mbledhur kuturu, raportet e pushtetit të së cilës ndryshonin nga lugina në luginë e nga rajoni në rajon. Sipas saj, Thaçi ishte vërtet fytyra ndërkombëtare e UÇK-së, por në zonat e veçanta luftarake nuk kishte asnjë fjalë vendimtare. Paraqitja e mbrojtjes me sa duket nuk i bindi gjyqtarët. Do të shohim nëse kjo do të qëndrojë edhe në procesin e apelit.
FAZ: Përpara luftës së NATO-s kundër Serbisë dhe gjatë saj, ju keni negociuar shpesh me Thaçin. Çfarë përshtypjeje kishit për të?
Petritsch: Ishte shumë i ri, as 30 vjeç nuk i kishte mbushur. Në krahasim me presidentin jugosllav Slobodan Millosheviq, një politikan i regjur e me përvojë të thellë, ky ishte natyrisht një ndryshim i madh. Por ne ndërmjetësve perëndimorë shpejt na u bë e qartë përse pikërisht ai po e udhëhiqte delegacionin negociator kosovar.
FAZ: Përse?
Petritsch: Pavarësisht moshës së re, Thaçi kishte inteligjencën politike që i nevojitej situatës së asaj kohe. Për mua, për më tepër, fakti që pikërisht Thaçi ishte njeriu kyç në palën kosovare kishte edhe një avantazh tjetër. Ai praktikisht nuk fliste fare anglisht, por fliste një gjermanishte mjaft të pranueshme, pasi kishte studiuar për një kohë të shkurtër në Zvicër. Kjo më mundësoi mua, si kryenegociator i BE-së, një qasje të drejtpërdrejtë me të, të cilën kolegët e mi amerikanë dhe rusë nuk e kishin.
FAZ: Aktakuza e Gjykatës Speciale të Kosovës e ngarkon Thaçin me krime lufte. Ai thuhet se mban përgjegjësi për faktin se në kampet e të burgosurve u torturuan dhe në disa raste u vranë serbë, por edhe shqiptarë të Kosovës. A kishte të dhëna për krime të tilla në vitin 1999?
Petritsch: Në atë kohë nuk kisha dëgjuar asgjë lidhur me këtë. Nuk duhet harruar konteksti i asaj kohe: Forcat serbe të sigurisë po kryenin krime të tmerrshme ndaj popullatës civile në Kosovë. UÇK-ja kishte lindur si reagim ndaj kësaj. Ajo ndërmerrte sulme ndaj policëve serbë, ushtarëve dhe përfaqësuesve të tjerë të Beogradit. SHBA-ja dhe BE-ja madje ishin fare pranë shpalljes së UÇK-së si organizatë terroriste. Kjo do t’i kishte vështirësuar jashtëzakonisht negociatat e çfarëdollojshme. Prandaj ishte shumë e rëndësishme që Thaçi dhe UÇK-ja të përfshiheshin sa më parë në bisedime politike, në mënyrë që të mos fundoseshin në një spirale të pazgjidhshme dhune si ajo e Lindjes së Mesme.
FAZ: Si u përpoqët ta arrinit këtë?
Petritsch: U shpjegova ministrave të jashtëm evropianë se shpallja e UÇK-së si organizatë terroriste nuk mund të ishte në interes të BE-së, nëse donim të zhvillonim bisedime për t’i dhënë fund gjakderdhjes. Ky argument i bindi ata. Amerikanët arritën në përfundime të ngjashme. Gjatë negociatave në Rambouillet të Francës, me anë të të cilave synohej shmangia e luftës në minutën e fundit, ministri i jashtëm gjerman Joschka Fischer dhe unë u ulëm në dhomën time dhe iu lutëm me këmbëngulje Thaçit që patjetër t’i nënshkruante propozimet perëndimore, sepse vetëm atëherë mund ta ndihmonim. Në thelb bëhej fjalë që shteti serb, pra ushtria jugosllave dhe njësitë speciale të policisë, të tërhiqnin të gjithë personelin nga Kosova, nëse UÇK-ja do të pranonte shpërbërjen dhe çarmatimin e saj.
FAZ: Cili ishte qëndrimi i Thaçit ndaj kësaj?
Petritsch: Kisha përshtypjen se ishte i ngrirë nga frika. Si gjithnjë, ishte tejet i përqendruar dhe përgjigjej vetëm me fjali të shkurtra e të përmbledhura. Por ai druante se një vendim i gabuar mund t’i kushtonte me jetë në Kosovë. Do ta eliminonin. Atij i duhej të konsultohej vazhdimisht me njerëzit në Kosovë për të parë se sa larg mund të shkonte në bisedime. Vetë ai e dinte se pas shpërbërjes së UÇK-së do të mund të hynte në politikë. Por cili ishte qëndrimi i luftëtarëve të ndryshëm lokalë, të cilët nuk shihnin një mundësi të tillë?
FAZ: Në gjyqin e Thaçit shtrohej pyetja nëse ekzistonte një zinxhir funksional komandues në UÇK – pra nëse Thaçi në krye kontrollonte edhe komandantët rajonalë. Cila ishte përshtypja juaj atëherë?
Petritsch: UÇK-ja bënte përpjekje të mëdha për t’u paraqitur para nesh si një trupë ushtarake apo paraushtarake e organizuar mirë dhe me një hierarki strikte. Por përshtypja që ajo dëshironte të krijonte nuk përkonte domosdoshmërisht me realitetin. Madje as pala serbe nuk e besonte këtë.
FAZ: Megjithatë, ju keni negociuar një herë për një shkëmbim të burgosurish, ku fjalën e fundit e pati Thaçi.
Petritsch: Kjo ndodhi në dimrin e viteve 1998/1999. UÇK-ja kishte zënë robër disa dhjetëra ushtarë serbë. Pala serbe kërkonte një shkëmbim të burgosurish, por ngulmonte që në asnjë mënyrë kjo të mos dukej si shkëmbim. Kushti i Beogradit ishte: Fillimisht duhet të liroheshin ushtarët serbë. Vetëm rreth dy javë më vonë, në një zhvillim në dukje të palidhur me këtë, do të lirohej i njëjti numër luftëtarësh të UÇK-së. Dhe kështu ndodhi.
FAZ: Çfarë roli luajti Thaçi në këtë mes?
Petritsch: Ne kishim negociuar renditjen e hapave me komandantët lokalë të UÇK-së, por më pas ata thanë se tani duhej të jepte miratimin edhe Thaçi, përndryshe marrëveshja nuk do të ishte e vlefshme. Ata arritën të lidheshin me të me telefon dhe ai ra dakord.
FAZ: Pra asgjë nuk bëhej pa Thaçin?
Petritsch: Kjo nuk mund të thuhet kështu. Bisedimet e përmendura u zhvilluan në luginën e Drenicës, bastionin e Thaçit. Vetëm pak fshatra më tutje, ai me shumë gjasë nuk do të kishte luajtur asnjë rol në bisedime të ngjashme. UÇK-ja ishte një organizatë heterogjene. Për shembull, udhëheqësin rajonal të UÇK-së, Ramush Haradinaj, i cili pas luftës u bë kryeministër i Kosovës, nuk e njihja fare. Në atë kohë nuk kisha dëgjuar kurrë për të.
FAZ: Rasti me gjasë do të shkojë në apel. Çfarë prisni nga kjo?
Petritsch: Nga proceset e tjera për krime lufte lidhur me ish-Jugosllavinë e dimë se aktgjykimet e shkallës së parë mund të përmbysen krejtësisht në procedurën e apelit – shih rastin e gjeneralit kroat Ante Gotovina. Ai u dënua nga Tribunali i OKB-së për Krime Lufte në ish-Jugosllavi me 24 vjet burg në shkallë të parë. Në procedurën e apelit, më pas u shpall i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Kjo nuk do të thotë se një përmbysje e tillë duhet patjetër të përsëritet në rastin Thaçi. Por, aktgjykimi i sotëm nuk ishte domosdoshmërisht fjala e fundit.

T� tjera
-
Shiroka Pula: Cilësia e shëndetësisë matet me profesionalizmin e personelit dhe rezultatet e shërbimeve
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka thënë se cilësia e shërbimeve...
-
Ekstradohet nga Zvicra për në Kosovë i kërkuari me urdhërarrest ndërkombëtar për veprën penale ‘’Dhunim’’
Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Polico...
-
43 armët e automatike, Dogana: U zbuluan gjatë kontrollit me skaner të siguruar nga SHBA në një automjet me targa të huaja
Dogana e Kosovës ka parandaluar futjen e një sasie të konsiderueshme armësh z...
-
Rizvanolli: Çmimi i energjisë ka arritur në 500 euro për megavat-orë, dimër i vështirë për Kosovën dhe Evropën
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar një dimër të vësht...
-
Deputeti Kërçeli: Vjosa Osmani sa ishte presidente nuk e akuzoi VV-në për lidhje me oligarkët
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ilir Kërçeli, ka qenë i ftuar në “Pressing”...
-
Kurti takohet me Macronin në Pallatin Élysée, në fokus integrimi evropian
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Presidentin e Francës, E...
-
Humb jetën një person në Prishtinë, u gjet i shtrirë në rrugë
Një përson ka humbur jetën pasditën e sotme në Prishtinë. Bëhet fjalë për Bed...
-
Murati: Investimet e huaja direkte jashtë patundshmërive janë 300 milionë euro
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se investimet e huaja dire...
-
Mos i lini në prizë! Këto janë pajisjet elektrike që vazhdojnë të harxhojnë energji edhe kur janë të fikura
Shumë persona mendojnë se pajisjet elektrike nuk shpenzojnë energji elektrike...
-
Deputetët mblidhen sërish nesër, këto janë pikat e rendit të ditës
Sikurse sot edhe nesër deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen për...
-
Aksion i madh policor në aeroportin e Beogradit, arrestohet ish-ministri i Vuçiqit
Ish-ministri serb i Ekonomisë dhe zyrtari i lartë i Partisë Progresive Serbe ...
-
Basha për Raportin e Progresit: BE-ja duhet të kërkojë falje
Ministri, Dimal Basha, ka shprehur kundërshtime ndaj gjetjeve të Raportit të ...
































