Arritën marrëveshje për pranim fajësie, veçohet procedura për dy të akuzuar për barrikadat në veri
Autori: Gazeta inFokus
11:09 | 31 August 2026
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në seancën fillestare në gjykimin lidhur me barrikadat më 2022 në Komunën e Zveçanit, është veçuar procedura për të akuzuarit Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, pasi kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë.
Paraprakisht, u bë e ditur se në seancë mungon i akuzuari Nenad Orloviq, si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Sërgjan Vuçiniq, avokati Bogdan Llaziq.
Në këtë rast, Dushan Maksimoviq, Millosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq, ngarkohen lidhur me akuzën për vepra penale kundër rendit kushtetues- saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën e Zveçanit, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri tha se mungon i akuuzari Nenad Orloviq, për të cilin Gjykata ka përsëritur urdhërarrestin dhe se nga raporti i Policisë i datës 27 gusht 2026, konstatohet se Policia kanë shkuar ta ekzekutojnë urdhërarrestin, por i akuzuari nuk është gjetur në vendbanim, kurse fqinjët kanë deklaruar se jeton në Serbi.
Po ashtu, mungoi edhe avokati Petroviq për të cilin i mbrojturi i tij Joloviq deklaroi se ka folur në telefon dhe e ka njoftuar se është përfshirë në një aksident në komunikacion.
Gjithashtu, mungoi edhe avokati i Vuçiniq, Bogdan Llaziq, i cili përmes e-mailit e ka njoftuar Gjykatën se nuk mund të jetë i pranishëm për arsye shëndetësore.
Ndryshe, prezent në gjykim ishin prokurori special, Admir Shala, i akuzuari Maksimoviq me avokatin Millosh Nikoliq, i akuzuari Milosh Radosavljeviq me avokatin Mahmut Halimi, i akuzuari Dushan Dobrac me avokatin Boban Petkoviq, i akuzuari Sërgjan Vuçiniq, i akuzuari Nemanja Joloviq, si dhe mbrojtësja e Orloviq, avokatja Donjeta Leka.
Gjykatësi Beqiri tha se me qëllim të sqarimit të mungesës së avokatit Petroviq, ndërpreu seancën për pesë minuta. Më pas, në seancë u paraqit edhe avokati Petroviq.
Pas pauzës 5-minutëshe, gjykatësi tha se për shkak të mungesës së të akuzuarit Nenad Orloviq dhe avokatit Bogdan Llaziq, dhe duke qenë se kanë në shkresa të lëndës dy marrëveshje për të akuzuarit Millosh Radosavljeviq dhe Dushan Dobrac, Gjykata i ftoi palët për mundësinë e veçimit të procedurës, e që sot të vazhdojnë me marrëveshjet për pranim fajësie me dy të akuzuarit Radosavljeviq dhe Dobrac.
Prokurori Shala tha se nuk e kundërshtojnë veçimin e procedurës, për qëllim të ekonomizimit të procedurës.
Edhe mbrojtësi i Radosavljeviq, avokati Mahmut Halimi propozoi të veçohet procedura për shkak të marrëveshjes për pranim fajësie.
Gjithashtu, mbrojtësi i Dobrac, avokati Boban Petkoviq nuk e kundërshtoi veçimin e procedurës, duke pasur parasysh arritjen e marrëveshjes për pranim fajësie.
Fjalët e avokatëve të tyre i mbështetën dy të akuzuarit që kanë arritur marrëveshje për pranim fajësie.
Gjykatësi Beqiri tha se duke qenë se Gjykata i ka dëgjuar palët dhe pasi që për dy të akuzuar kemi marrëveshje për panim të fajësisë, atëherë me aktvendim veçohet procedura për të akuzuarit Radosavljeviq (për veprën penale “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetuese) dhe Dobrac (për veprat penale “Bashkimi në veprimtari kundërkushtetuese me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues” dhe “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”).
Ndërkaq, në mungesë të të akuzuarit Orloviq dhe avokatit Llaziq, seanca fillestare u shty për 15 shtator.
Më 20 korrik 2026, në mungesë të të akuzuarit Nenad Orloviq dhe mbrojtësit të të akuzuarit Milosh Radosavljeviq, avokatit Mahmut Halimi, dështoi të mbahet seanca fillestare në këtë rast.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 10 qershor 2026 ka ngritur ndaj Dushan Maksimoviq (i shpallur fajtor dhe i dënuar me burgim të përjetshëm për sulmi në Banjskë), Milosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq, për vepra penale kundër rendit kushtetues- saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën e Zveçanit. Aktakuza thotë se grupi kriminal u udhëhoq nga Milan Radoiçiq, i cili deri tash është i paarritshëm për drejtësinë, andaj janë pezulluar hetimet ndaj tij për këtë rast.
“Grupi kriminal me në krye Milan Radojçiq kanë planifikuar strategjinë e bllokimit, koordinimit, logjistikën, monitorimin e Policës së Kosovës dhe vendosjen e qytetarëve dhe personelin në pika strategjike duke krijuar barrikada në rrugë dhe duke hapur gropa (istikame) apo pozicione ushtarake në shumë pjesë strategjike në pjesën veriore të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën e hartuar nga prokurori special, Admir Shala.
PSRK njoftoi se ndaj 11 të pandehurve M.R., A.S., A.F., A.J., R.S., S.A., D.V., S.P., V.R., M.R., dhe M.R., janë pezulluar hetimet pasi ata deri më tani janë të paarritshëm për organet e ndjekjes. Rrjedhimisht, në këtë listë përfshihet edhe Milan Radoiçiq.

T� tjera
-
Kusari-Lila në Vjenë: BE-ja nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor
Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka marrë pjesë në pa...
-
AUV kthen në Serbi 27 tonë misër për shkak të nivelit të lartë të aflatoksinës
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka refuzuar importin dhe ka kthyer...
-
Shqipëri/ Aksidenti në autostradën Fier-Vlorë, humb jetën shefi i Krimeve të Rënda
Ka ndërruar jetë në aksidentin e rëndë të ndodhur pak minuta më parë në autos...
-
Prokuroria Speciale nis hetimet për incizimet ku Halil Thaçi tregon se si bashkë me Kurtin kurdisi konkursin në KEK
Prokuroria nis hetimet për audio-incizimin që VOX Kosova publikoi, ku Thaçi t...
-
Alarmon AUV, tërhiqet nga tregu VITA 3.2%
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka urdhëruar tërheqjen e menjëhers...
-
Tragjedi në Gjermani: Dy të rinj nga Rahoveci humbin jetën në aksident
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur të dielën në Gjermani, ku kanë humbur...
-
Çitaku: Pas rivotimit, ndërkombëtarët të kontribuojnë në ndryshimin e Ligjit për Specialen
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në ...
-
Kosova dhe Austria drejt nënshkrimit të marrëveshjes për sigurime sociale
Ministri i Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka p...
-
OVL-UÇK: Nuk kemi besim në Dhomat e Specializuara, asnjë aktgjykim nuk e ndryshon të vërtetën historike të luftës
Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK)...
-
Të shtëna me armë në Gjakovë, dyshohet për një person të plagosur
Një incident dyshohet se ka ndodhur gjatë pasdites së sotme në Çarshinë e Mad...
-
Pas tetë vitesh në krye të Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta emërohet këshilltar në Ferizaj
Kolonel Lumni Graishta, pas afro tetë vitesh në pozitën e drejtorit rajonal t...
-
Lista Studentore e ftuar në Forumin për Zgjerimin në Bruksel, Baucal flet për rivendosjen e marrëdhënieve me fqinjtë
Përfaqësuesit e Listës Studentore që i fitoi zgjedhjet në Serbi po marrin pje...



































