Kosova ia shet thëngjillin Maqedonisë, por prej saj bleu mbi 172 milionë euro energji elektrike veç për 1 vit e gjysmë
Autori: Gazeta inFokus
13:54 | 20 August 2026
Kosova po përgatitet t’ia shesë Maqedonisë së Veriut një nga resurset e saj kryesore energjetike – thëngjillin.
Por, të dhënat e importit nxjerrin në pah një paradoks: derisa thëngjilli kosovar do të shkojë drejt termocentraleve maqedonase për prodhimin e energjisë elektrike, Kosova vazhdon të jetë blerëse e sasive të mëdha të rrymës pikërisht nga Maqedonia e Veriut.
Korporata Energjetike e Kosovës ka lidhur kontratë trevjeçare me kompaninë shtetërore maqedonase ESM për shitjen e thëngjillit, marrëveshje që mund të arrijë vlerën deri në 73.2 milionë euro.
Çmimi është përcaktuar në 24.4 euro për ton, pa TVSH, ndërsa marrëveshja parashikon rreth 3 milionë tonë thëngjill gjatë 36 muajve.
Një analizë e Gazetës Infokus e të dhënave të importit nga Dogana e Kosovës për vitin 2025 dhe shtatë muajt e parë të vitit 2026 tregon anën tjetër të marrëdhënies energjetike me Maqedoninë e Veriut.
Vetëm gjatë vitit 2025, Kosova ka importuar nga Maqedonia e Veriut 824 mijë e 270 njësi energji elektrike, me një vlerë prej hiç më pak se 119 milionë e 204 mijë e 237 euro.
Ndërsa nga janari deri në korrik të vitit 2026, importi nga ky shtet ka arritur në 476 mijë e 916 njësi, për të cilat janë paguar edhe 52 milionë e 950 mijë e 328 euro.
Kështu, për vetëm 19 muaj, vlera e energjisë elektrike të importuar nga Maqedonia e Veriut arrin në mbi 172.1 milionë euro.
Shifër kjo më shumë se dyfishi i vlerës maksimale prej 73.2 milionë eurosh që KEK-u pritet të arkëtojë nga kontrata trevjeçare për shitjen e thëngjillit.

Kosova jep lëndën e parë, Maqedonia synon të rrisë prodhimin e rrymës
Këtu marrëveshja merr një dimension tjetër.
Sipas të dhënave të bëra publike nga pala maqedonase, thëngjilli i Kosovës nuk po blihet thjesht si mall për rezervë. Ai do të përdoret për nevojat e termocentraleve të Maqedonisë së Veriut.
Madje, sipas ESM-së, përdorimi i thëngjillit nga Kosova pritet të mundësojë rreth 800 GËh energji elektrike shtesë në vit.
Pra, Kosova po ia shet Maqedonisë së Veriut lëndën e parë me të cilën ajo synon të forcojë prodhimin e vet të energjisë, në një kohë kur vetë Kosova vazhdon të importojë dhjetëra miliona euro rrymë nga i njëjti shtet e miliona të tjera nga shtete të tjera.
Kjo marrëveshje krijon një pyetje të pashmangshme për politikën energjetike të Kosovës: a rrezikon vendi t’ia shesë fqinjit lëndën e parë për prodhimin e energjisë, për të vazhduar më pas të blejë energji elektrike nga i njëjti treg?
Në mars 2025 energjia elektrike nga Maqedonia i kushtoi Kosovës mesatarisht 202 euro për njësi
Të dhënat e analizuara nga Infokus tregojnë se importi nga Maqedonia e Veriut nuk ka qenë i lirë.
Gjatë vitit 2025, çmimi mesatar i ponderuar, i llogaritur nga raporti ndërmjet vlerës së importit dhe sasisë së deklaruar, rezulton rreth 144.62 euro për njësi.
Muaji më i shtrenjtë ishte marsi i vitit 2025, kur 103 mijë e 722 njësi energji elektrike të importuara nga Maqedonia e Veriut kushtuan rreth 20.95 milionë euro, ose mesatarisht rreth 202 euro për njësi.
Vetëm në janar të atij viti, importi nga Maqedonia arriti në 23.57 milionë euro, ndërsa në shkurt në mbi 20 milionë euro.
Në shtatë muajt e parë të vitit 2026 mund të themi se situata ishte më e favorshme sa i përket çmimit por sërish jo i lirë. Kosova pagoi mesatarisht rreth 111.03 euro për njësi, ndërsa muaji më i shtrenjtë ishte shkurti, me rreth 134.68 euro për njësi.
Shënim: në të dhënat e Doganës kolona përkatëse figuron si “Sasia”; për këtë arsye Infokus nuk e paraqet njësinë si MËh pa konfirmim shtesë nga institucioni.
Kur shifrat e importit tregojnë realitetin, çfarë thotë ministrja Rizvanolli?
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, marrëveshjen e ka paraqitur si sukses për KEK-un, duke theksuar se për herë të parë kontrata është bërë drejtpërdrejt ndërmjet dy kompanive publike dhe jo përmes ndërmjetësuesve.
“Përgjatë 3 viteve, KEK do të eksportojë deri në 73.2 milionë Euro thëngjill në Maqedoni të Veriut.
Për herë të parë, kontrata është bërë mes dy kompanive publike, KEK dhe ESM.
Çmimi prej 24.4 Euro për ton, pa TVSH, është shumëfish më i favorshëm për KEK në krahasim me kontratat e kaluara që bëheshin përmes ndërmjetësuesve. Për shembull, herën e fundit që Kosova ka eksportuar në Maqedoni të Veriut, KEK e ka shitur thëngjillin në një tender të jashtëligjshëm me çmim prej vetëm 8 Euro, duke përfshirë tantiemën prej 3 Euro dhe TVSh-në prej 18%”, ka shkruar Rizvanolli.
Ministrja ka insistuar se marrëveshja nuk cenon prodhimin vendor të energjisë.
“Prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë nuk ndikohet në asnjë mënyrë nga kjo kontratë, duke qenë se ESM është përgjegjëse për eskavimin dhe transportin e thëngjillit që do ta blejë”, ka deklaruar ajo.
Edhe KEK-u ka bërë të ditur se nuk do të ketë obligime për nxjerrjen dhe transportimin e thëngjillit dhe se këto përgjegjësi do t’i takojnë ESM-së. Korporata ka thënë se të hyrat do të ndihmojnë në mbulimin e kostove operative dhe kapitale, përfshirë modernizimin e infrastrukturës së prodhimit të qymyrit.
73 milionë euro thëngjill përballë 172 milionë eurove rrymë të importuar
Në aspektin komercial, shitja e thëngjillit mund t’i sjellë KEK-ut të hyra dhe marrëveshja e re është dukshëm më e favorshme se çmimi i kontratës së mëparshme të përmendur nga Rizvanolli.
Por kjo nuk e mbyll debatin për strategjinë energjetike.
Në njërën anë, KEK-u mund të arkëtojë deri në 73.2 milionë euro përgjatë tri viteve duke i shitur Maqedonisë së Veriut thëngjill.
Në anën tjetër, vetëm gjatë vitit 2025 dhe shtatë muajve të parë të 2026-s, Kosova ka importuar nga Maqedonia e Veriut mbi 172 milionë euro energji elektrike.
Krahasimi nuk është financiarisht një-për-një: thëngjilli është lëndë e parë, ndërsa energjia elektrike është produkt i prodhuar dhe çmimi i saj përfshin kosto të tjera të prodhimit dhe tregut. Po ashtu, periudhat e krahasuara nuk janë të njëjta.
Megjithatë, shifrat e bëjnë legjitime pyetjen se çfarë strategjie afatgjatë ekonomike po ndërton Kosova me rezervat e saj të linjitit.
Sepse skenari që ngre pikëpyetje është i thjeshtë: Kosova ia shet Maqedonisë së Veriut thëngjillin; Maqedonia e përdor atë për të prodhuar më shumë energji elektrike; ndërsa Kosova vazhdon të jetë importuese e energjisë elektrike nga Maqedonia e Veriut.
Nëse një pjesë e rrymës së prodhuar nga ky thëngjill do të përfundonte në të ardhmen përsëri në tregun kosovar, atëherë paradoksi do të ishte i plotë: resursi do të dilte nga Kosova si thëngjill dhe potencialisht do të kthehej si energji elektrike e blerë me çmimet e tregut.
Pikërisht për këtë, përtej të hyrave prej 73.2 milionë eurosh që mund t’i sigurojë KEK-u, mbetet pyetja më e madhe: a është kjo vetëm një kontratë e “favorshme” tregtare për KEK-un, apo pjesë e një politike energjetike që në afat të gjatë e rrit varësinë e Kosovës nga importi?
Gazeta Infokus/

T� tjera
-
Ismaili pas vendimit nga Gjykata: Një popull që ka luftuar për lirinë e vet nuk mund të pranojë që historia e çlirimit t’i rishkruhet si histori faji
Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili ka reaguar pas vendimit nga Gjykata Speciale ...
-
Nipi i Hashim Thaçit i reagon Vlora Çitakut: Boll me statusa, veproni oj zonjë!
Reagimi i ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ndaj dë...
-
Hamza: Hashim Thaçit mund t’ia mohojnë lirinë, por kurrë s’mund t’ia marrin vendin si kryeprotagonist i historisë së Kosovës
Bedri Hamza, ka reaguar në mbështetje të ish-presidentit Hashim Thaçi, pas ak...
-
Specialja publikon vendimin: Thaçi dënohet me 17 muaj burgim për pengim të drejtësisë, Smakaj e Fazliu lirohen, Kilaj shpallet i pafajshëm
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 17 muaj burgim nga Gj...
-
“Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër”, citati i Thaçit publikohet pas dënimit në Hagë
Pas shpalljes së aktgjykimit me të cilin Hashim Thaçi u dënua me një vit e pe...
-
Thaçi pas dënimit prej 17 muajsh: Kjo është politikë, jo drejtësi
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është dënuar me 17 muaj burgim për ve...
-
“E turpshme dhe e papranueshme” – Vlora Çitaku reagon ashpër ndaj vendimit të Speciales për Thaçin
Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çi...
-
Hajredin Kuçi dënohet me 1 muaj burgim me kusht
Ish-zëvendëskryeministri Hajderin Kuçi është dënuar me 1 muaj burgim me kusht...
-
Fadil Fazliu dënohet me 12 muaj burgim, por e ka shlyer me paraburgim
Fadil Fazliu është dënuar me 12 muaj burgim në rastin kundër administrimit të...
-
Isni Kilaj shpallet i pafajshëm
Isni Kilaj është shpallur i pafajshëm nga Gjykata Speciale. I njëjti do të l...
-
Specialja dënon me burgim Bashkim Smakajn
Gjykata Speciale e ka dënuar Bashkim Smakajn me 12 muaj burgim. Ai akuzohej ...
-
Thaçi dënohet edhe me 17 muaj të tjerë burgim për pengim të drejtësisë
Hashim Thaçi, ish-presidenti i Kosovës, është dënuar edhe me 17 muaj burgim n...






























