Fokus

Gruri po vie nga Serbia – deri në 36 centë/kg, bujqit kosovarë po heqin dorë nga mbjellja për çmimin 17 centë

Autori: Hateme Smajli 11:00 | 12 August 2026

Gruri, një prej produkteve bazë ushqimore, është produkti i dytë ushqimor më i importuar nga Serbia në Kosovë.

Përderisa institucionet vazhdimisht flasin për mbështetjen e prodhimit vendor dhe sigurinë ushqimore, të dhënat e Doganës së Kosovës tregojnë një realitet tjetër.

Vetëm gjatë vitit 2025 dhe gjashtë muajve të parë të vitit 2026, Kosova ka importuar nga Serbia 80,523.61 tonë grurë, në vlerë totale prej rreth 18.82 milionë eurosh, sipas të dhënave të Doganës të analizuara nga Gazeta Infokus.

-Advertisement-

Të dhënat tregojnë gjithashtu një dallim të madh ndërmjet çmimit me të cilin është importuar gruri nga Serbia dhe atij me të cilin bujqit kosovarë thonë se po e shesin prodhimin e tyre.

Në tetor të vitit 2025, çmimi mesatar i grurit të importuar nga Serbia arriti në rreth 36.7 centë për kilogram. Në anën tjetër, bujqit e intervistuar nga Infokus thonë se grurin vendor po e shesin me vetëm 17–18 centë për kilogram.

Pikërisht çmimi i ulët, sipas tyre, po e bën gjithnjë e më të vështirë vazhdimin e kultivimit të grurit në Kosovë.

Bujku Driton Bujupi, i cili prej vitesh merret me kultivimin e grurit dhe me këtë veprimtari ka mbajtur familjen e tij, thotë se tashmë prodhimi nuk i mbulon as shpenzimet.

“Sivjet i kam mbjellë një hektar e gjysmë. E kam korrë, e kam shitur me 18 centë kilogramin dhe kurgjo hiq. Me këtë veprimtari e kam mbajtur familjen deri para dy-tri viteve, por tash s’ia vlen. Veç humbje, humbje çdo herë, kurrë fitim s’kam pasur. Jam në humbje minimumi një mijë e diçka euro”, ka thënë Bujupi për Gazetën Infokus.

Ai thotë se rënia e çmimit ka arritur deri në atë pikë sa pesë tonë grurë sot mund të shiten për vetëm rreth 900 euro.

“Kur e llogarita para se të hynin korrje-shirjet, pesë tonë grurë me i shit 900 euro – kjo s’ka ndodhur kurrë. S’kanë vlerë 900 euro sot”, shprehet ai.

Të njëjtin shqetësim e ngre edhe bujku Lavdim Bujupi, i cili thotë se pothuajse të gjitha kostot e prodhimit janë rritur, ndërsa çmimi i grurit ka lëvizur në drejtim të kundërt.

NDIQNI STORIEN E PLOTË:

“Çmimi i grurit është bërë më lirë se një cigare Marlboro. Me të tregu drejt, as shpenzimet e mbjelljes nuk i nxjerrim, zero me zero, plus nuk del. Unë zakonisht i mbjell rreth 30 hektarë në vit”, ka thënë ai.

Sipas tij, vetëm kostoja e farës tregon se sa i pafavorshëm është raporti ndërmjet shpenzimeve dhe çmimit të shitjes.

“Unë me 17–18 centë e shes kilogramin e grurit, ndërsa farën për mbjellje e blej mbi 50 centë. Domethënë, tri herë më shumë vetëm farën, e ku janë shpenzimet e tjera? Krejt çmimet kanë hipur, veç gruri ka rënë. S’e di, s’po e kuptoj”, ka deklaruar Bujupi.

Ai kërkon ndërhyrje edhe nga Ministria e Bujqësisë, duke thënë se shqetësimet e fermerëve prej kohësh nuk po marrin përgjigje.

“Ministria e Bujqësisë ka mundësi me marrë masa, me bë hapa më tutje, por nuk e di çka u bë kështu. Nuk merret askush me këtë, shkon në vesh të shurdhër. Veç çmimi i naftës sa është ngritur, e s’ka kurrfarë ndihme për bujqit”, ka shtuar ai.

Situata krijon një paradoks: derisa bujqit vendorë thonë se me çmimin aktual nuk kanë leverdi të vazhdojnë prodhimin, Kosova vazhdon të importojë sasi të mëdha gruri nga Serbia, ndërsa në periudha të caktuara çmimi mesatar i importit ka qenë mbi dyfishin e 17 centëve që përmendin fermerët vendorë.

Kjo ngre edhe një shqetësim afatgjatë. Nëse fermerët vazhdojnë të zvogëlojnë sipërfaqet e mbjella ose të heqin dorë plotësisht nga kultivimi i grurit, nevoja për ta mbuluar konsumin përmes importit mund të rritet edhe më shumë.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti dhe drejtuesit e Ministrisë së Bujqësisë janë parë vazhdimisht gjatë sezonit të korrje-shirjeve duke vizituar fermerët dhe duke folur për prodhimin vendor dhe sigurimin e bukës së motmotit.

“Do të vazhdojmë me punë të mira, ky duket të jetë viti me të cilën me prodhimtarinë e shtuar prej 140 deri 150 mijë grurë do ta mbulojmë dhe tejkalojmë importin që e kemi pasur me 139 mijë në vitin e kaluar. Gjithë kjo po tregon që kjo verë e garanton bukën tonë, në sofrën tonë nga toka jonë, pra prodhimtari vendore pa pasur nevojë për import”,kishte deklaruar Kurti në vitin 2024.

Por shifrat e importit dhe dëshmitë e fermerëve shtrojnë një pyetje tjetër: sa mund të flitet për forcimin e prodhimit vendor, kur bujqit thonë se po detyrohen të heqin dorë nga gruri, ndërsa dhjetëra mijëra tonë vazhdojnë të importohen nga Serbia?

/Gazeta Infokus

Mbi 112 milionë euro mallra nga Serbia për 6 muaj – Kosova importoi më së shumti grurë dhe misër

Düsseldorf–Prishtinë, dy fluturime në ditë – rezervoni me PrishtinaTickets
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy