Lajme

Bajraktari për moskonstituimin e Kuvendit: Tri alternativa janë para nesh, kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafundësisht

Autori: Gazeta inFokus 10:08 | 09 August 2026

Avokati Ardian Bajraktari ka reaguar lidhur me situatën e krijuar pas moskonstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se gjendja aktuale është kundërkushtetuese dhe nuk mund të shndërrohet në precedent, shkruan Gazeta Infokus.

Sipas Bajraktarit, një e drejtë kushtetuese nuk mund të përdoret si instrument për të bllokuar funksionimin e institucioneve.

“Gjendja aktuale e moskonstituimit të Kuvendit është kundërkushtetuese dhe si e tillë, nuk mund të shndërrohet në precedent ku një e drejtë kushtetuese përdoret për ta bllokuar vetë funksionimin e institucioneve”, ka deklaruar ai.

-Advertisement-

Bajraktari thotë se, në mungesë të një marrëveshjeje politike, ekzistojnë tri alternativa për të dalë nga situata aktuale.

Si alternativë të parë, ai përmend vazhdimin e gjendjes deri në mesin e shtatorit, kur eventualisht mund të propozohet kandidati për kryetar të Kuvendit.

“E para, të pajtohemi me këtë gjendje deri në mesin e shtatorit, kur eventualisht mund të bëhet propozimi i kandidatit/es për Kryetar/e të Kuvendit. Nga ai moment do të fillonin të rridhnin afatet kushtetuese prej 60 + 45 ditësh, çka do të mund t’i shtynte zgjedhjet deri në fund të dhjetorit, me shumë gjasë më 27 dhjetor”, ka thënë Bajraktari.

Alternativa e dytë, sipas tij, është procedimi i kandidatit të subjektit të dytë politik apo të një subjekti tjetër, nëse sigurohen të paktën 61 vota.

“E dyta, të procedohet kandidati i subjektit të dytë, ose i ndonjë subjekti tjetër, nëse arrin t’i sigurojë së paku 61 vota. Sepse e drejta për të propozuar nuk është e drejtë absolute. Kur ajo nuk ushtrohet brenda një kohe të arsyeshme dhe përdoret për ta bllokuar konstituimin e Kuvendit, atëherë seriozisht shtrohet çështja e abuzimit me të drejtën e propozimit.”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, alternativa e tretë që propozon Bajraktari është që çështja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të qartësuar pasojat e mosrespektimit të afatit për konstituimin e Kuvendit.

“E treta, çështja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, kjo për faktin se tashmë është konstatuar se konstituimi i Kuvendit është çështje kushtetuese. Gjykata ka përcaktuar afatin 30-ditor për konstituimin, por nuk ka përcaktuar shprehimisht sanksionin apo pasojën kushtetuese në rast të mosrespektimit të këtij afati.”, ka deklaruar Bajraktari.

Sipas tij, Gjykatës Kushtetuese duhet t’i kërkohet të qartësojë se çfarë ndodh kur një e drejtë kushtetuese përdoret për të bllokuar rendin kushtetues.

“Tri alternativa janë para nesh. Një gjë duhet të jetë e qartë, asnjë e drejtë kushtetuese nuk mund dhe nuk duhet të interpretohet si e drejtë për ta mbajtur peng konstituimin e institucioneve të Republikës”, ka përfunduar Bajraktari./Gazeta Infokus./

Bletaria Haxhia – Tradita familjare dhe përkushtimi ndaj bletarisë sjellin mjaltë natyral e cilësor në tryezat tuaja
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy