Lajme

“Mos u merrni me mu se…”, asamblistët e LDK-së në Deçan, Çekaj e Binakaj thonë se u kërcënuan nga kryesuesi i Bordit të “Higjienës”, Mentor Januzaj

Autori: Gazeta inFokus 16:14 | 25 June 2026

Sot është mbajtur seanca e Kuvendit Komunal të Deçanit, ku është diskutuar për raportin e punës së ndërmarrjes publike të pastrimit “Higjiena”.

Asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ardian Binakaj dhe Ndriçim Çekaj, pas pauzës së pjesës së parë të seancës, kanë deklaruar se janë kërcënuar në ambientet e komunës nga kryesuesi i Bordit të ndërmarrjes “Higjiena”, Mentor Januzaj.

Asamblisti i LDK-së, Ndriçim Çekaj, ka thënë se ai dhe kolegu i tij janë kërcënuar nga Januzaj, në ambientet e komunës i cili i është drejtuar “mos u merrni me mua se..”.

-Advertisement-

“Sidoqoftë, prej të gjitha këtyre çështjeve që i përmendën kolegët, po du me u kthy edhe një herë tek ajo që e përmendi kolegu im Ardiani. Kryesuesi i Bordit të ndërmarrjes ‘Higjiena’, zoti Mentor Januzaj, që më herët më tha ‘mos ma përmend emrin’. E unë po ia përmendi tash këtu, po e sfidoj. Me ton kërcënues tha: ‘Mos u merrni me mu’. Nëse ai heziton me u ballafaqu për çështje publike për të cilat është emëru dhe e them me plot bindje që është instalu politikisht, ai duhet të japë dorëheqje nëse nuk e duron ballafaqimin me njerëz që janë të zgjedhur të popullit”, ka thënë Çekaj.

Çekaj tha se, nëse Januzaj nuk është i gatshëm të durojë kritikat që i vijnë për shkak të punës së tij, ai duhet të ofrojë dorëheqje.

“Një logjikë e tillë me ardhë me ta shti krahun në pauzë edhe me të thanë që ‘mos ma përmend emrin se përballesh me këta e me ata’, kjo është politikë e tejkalume në vitet e pasluftës. Sot kjo nuk e ka vendin te një pjesëtar i gjeneratës së re. Se sa i guximshëm është Mentori e tregon fakti që, sapo e bëri kërcënimin, iku dhe nuk erdhi më me u ballafaqu këtu dhe me e vazhdu qat rrugën e forcës. Nëse ai nuk e duron presionin që i vjen prej punës së tij, për të cilën duhet të japë përgjegjësi, ai duhet me u deklaru edhe me shku te shpija”, ka deklaruar në vazhdim Çekaj.

Ndërsa asamblisti tjetër i LDK-së, Ardian Binakaj, po ashtu deklaroi se është kërcënuar nga Januzaj.

Binakaj kërkoi që Januzaj të kthehet sërish në seancë dhe të tregojë se çfarë do të bëjë në lidhje me këtë çështje.

“Nuk mundem pa e përmend rastin e Mentor Januzajt, të cilin e keni vendos kryesues Bordi në ndërmarrjen publike ‘Higjiena’. Kur i vendosni këto maskotat që veprojnë për ju në institucione, atëherë s’ka dyshim që s’ka me pas sukses. Pas zhvillimeve të fundit që ndodhën në pauzë, nuk mundem edhe me e kalu këtë pjesë. Unë kom mendu që AAK-ja ushtrimin e pushtetit në Deçan përmes formave, shantazheve e kërcënimeve e ka kalu edhe nuk përsëritet ma. Fakti që kjo ka kalu edhe te gjeneratat e reja jep shumë me kuptu. Forma se si qaseni në pauza me kërcënime të jep shumë me kuptu se me çfarë brutaliteti e ushtron pushtetin AAK-ja në Deçan. U kon mirë ai personi përgjegjës që kërcënojke ma herët me kon këtu prezent, sikur ke edhe ma herët, e me dal e me na kallxu çka don me bo ai, qysh don me ju qas ai, jo politikisht, kësaj pune. Është mirë me dal me ju kallxu qytetarëve çfarë metoda paska ai me përdor”, ka deklaruar Binakaj në seancë.

Pas kësaj, kryesuesi i seancës i tërhoqi vërejtjen që të fliste për raportin e punës së ndërmarrjes, ndërsa Binakaj u përgjigj:

“Fiks për njerëz të raportit jam duke fol, sepse raporti bazohet mbi bazën e punës që e bëjnë këta njerëz që janë zgjedhur. Se gjatë pauzave me kërcënu e masnej mu kthy me fol për raport. Jo, jo, është mirë me ardhë ai këtu, me dal në foltore edhe me ju kallxu qytetarëve çfarë metodash të tjera jashtë politikës paska ai”, ka thënë Binakaj.

Seanca e sotme në Deçan kishte të bënte me shqyrtimin e raportit të punës së ndërmarrjes publike “Higjiena”, kryesues i Bordit të së cilës është Mentor Januzaj.

“Po më vjen keq nëse ka ndodhë ky kërcënim sepse spo e di nëse ka ndodhë s’kam qenë aty”, ka thënë kryetari i komunës, Bashkim Ramosaj pas denoncimit që u bë nga dy asmableistët e LDK-së.

Gazeta Infokus ka kontaktuar edhe me Mentor Januzajn për të marrë versionin e tij në lidhje me këto pretendime.

Ai mohoi një gjë të tillë duke thënë se nëse asambleistët e LDK-së e kanë marrë në atë formë munden me u drejtu në organet kompetente.

“Ata nëse e kanë marrë qashtu janë organet kompetente ku munden me u drejtu e jo në asamble e në gazet, nuk është e vërtetë merruni me ndonjë gjë tjetër”, tha shkurt Januzaj për Infokus.

Teknologjia në kuzhinë nuk është vetëm çështje komoditeti, por edhe kohe: Njihuni me pllakën inovative me induksion Miele KM 8000!
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy