Ekonomi

Hapet gjigandi industrial “Cat Group” në Suharekë, Osmani merr pjesë në inaugurimin e investimit nga diaspora që rrit prodhimin vendor dhe hap vende të reja pune

Autori: Gazeta inFokus 15:53 | 28 March 2026

Sot, në Suharekë, është inauguruar një nga investimet më të mëdha prodhuese të viteve të fundit në Kosovë, fabrika moderne e kompanisë “Cat Group”, një projekt ambicioz që synon të vendosë standarde të reja në industrinë e materialeve ndërtimore dhe izolimit, shkruan Gazeta Infokus.

Në ceremoninë e hapjes mori pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, e mbi 150 të ftuarë përfshirë përfaqësues të bizneseve, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe mysafirë nga Zvicra.

Ky investim milionësh po konsiderohet si një moment i rëndësishëm për ekonominë e vendit, duke sinjalizuar hyrjen e Kosovës në një fazë të re industriale dhe konkurruese në nivel rajonal.

-Advertisement-

Themeluesi i kompanisë, Xhavit Krasniqi, në fjalën e tij falënderoi familjen, punëtorët dhe partnerët, duke theksuar lidhjet emocionale me vendlindjen dhe rëndësinë e investimit në Kosovë.

“Dua të falënderoj nga zemra dhe duke shprehur një mirënjohje më të thellë për familjen time e cila më ka qëndruar pranë që nga dita e parë deri në ditën e sotme, si bashkëshortja dhe fëmijët. Për mua personalisht që kam kaluar një pjesë të madhe të jetës sime në një vend të veçantë që më dha mundësinë të mësoj kulturën e punës, disiplinën dhe respektin ndaj punës, jam falënderues që sot mund ta zbatoj në vendlindjen time. Pavarësisht se ku na çon rruga e jetës, një pjesë e zemrës sonë ka mbetur gjithmonë këtu. Sepse njeriu mund të ndërtojë jetën e tij në shumë vende të botës, por vendlindja mbetet gjithmonë vendi ku shpirti i tij gjen qetësinë më të madhe të saj. Të ndërtosh diçka në vendlindje nuk është vetëm një investim apo një projekt, është një kontribut për të ardhmen dhe për një qëllim për ekonominë dhe zhvillimin e shtetit tonë”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai shtoi se projekti i realizuar është vetëm fillimi i një rrugëtimi më të madh zhvillimor për industrinë e shitjes.

Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e konsideron këtë investim si një dëshmi të fuqisë së sektorit privat në atë të vendit.

“Ekonomia e një shteti nuk ndërtohet vetëm me politika, por edhe nga guximi për të investuar, nga vizioni për të krijuar dhe nga forca e sektorit privat, i cili idetë i shndërron në zhvillim konkret, nëpërmjet të cilave pastaj përfiton secili qytetar i ynë. Sot jemi këtu pikërisht për ta dëshmuar një shembull të tillë.  Një moment që simbolizon fuqinë transformuese të biznesit privat në ekonominë e Kosovës. Hapja e biznesit CatGroup këtu në Suharekë është një sinjal i qartë se Kosova po hyn në një fazë të re të zhvillimit ekonomik dhe industrial. Një element i veçantë që e bën këtë investim edhe më domethënës është vetë komuna e Suharekës”, ka deklaruar Osmani.

Ajo theksoi se investimet e tilla janë bërë në prodhimin e vendor dhe në uljen e tyre nga importi.

“Rinia është potenciali më i madh që e kemi dhe investimet si ky janë dëshmi se ky potencial mund dhe duhet të zhvillohet brenda vendit. Kësaj i jep një dimension të veçantë pikërisht fakti që ky investim po bëhet nga mërgata jonë. Ata të cilët e mbajtën këtë vend gjallë në momentet më të rënda të historisë sonë e ata që edhe tani po e shtyjnë përpara ekonominë dhe zhvillimin e vendit tonë. Dua ta falënderoj zotin Krasniqi dhe gjithë familjen e tij e bashkëpunëtorët e tij për këtë investim të jashtëzakonshëm që e dëshmon edhe njëherë dashurinë e madhe që mërgata jonë ka për atdheun dhe faktin se pavarësisht se sa larg të jenë rritur e të jenë zhvilluar, atyreve gjithnjë zemra i rreh për Kosovën. Ky projekt bart edhe një mesazh të fuqishëm për gjithë mërgatën tonë”, potencoi tutje Osmani.

E Kryetari i komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, u shpreh i lumtur që Suhareka dita ditës po ndryshon.

“Diaspora si çdo herë, për komunën e Suharekës e ka dhënë provimin, duke filluar prej viteve ’90, gjatë luftës dhe pas luftës. Familja Krasniqi e ka dhënë një kontribut edhe në luftë edhe pas luftës. Pasi që njihem familjarisht, në këtë kompani kam ardhur disa herë dhe e kam marrë lakmi, sepse në komunën e Suharekës çdo ditë shtohen vendet e reja të punës. Unë besoj që edhe me këtë kompani, shumë shpejt do t’i kemi edhe 294 vende të reja pune. Suhareka po ndryshon sepse ka njerëz punëtorë, i ka njerëzit e mirë. Kur jemi bashkë, jemi më të fortë. Dhe kam edhe një fjalë: po më vjen mirë që bizneset e Suharekës po punojnë shumë dhe po na zbardhin fytyrën edhe neve, kështu që Suhareka po ndryshon. Faleminderit shumë, urime Xhavit!”, deklaroi Muharremaj.

Nga ana tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, theksoi rëndësinë e sektorit të prodhimit për ekonominë e vendit.

“Zhvillimi i sektorit të prodhimit në Republikën e Kosovës mbetet një prioritet kyç dhe një objektiv kyç edhe i Odës Ekonomike të Kosovës. Për shkak se ky investim përfaqëson një shtyllë shumë të rëndësishme në rritjen e prodhimit dhe eksportit dhe uljen e importit në Republikën e Kosovës. Hapja e kësaj linje të prodhimit dëshmon qartë potencialin dhe kapacitetet të cilat i posedon sektori privat, për të investuar në teknologji moderne dhe për të krijuar një vlerë të shtuar për ekonominë tonë. Andaj, ky hap konkret është edhe një forcim i industrisë vendore dhe rritjes së konkurrencës si në tregun rajonal, po ashtu edhe në tregun e Bashkimit Evropian. Në veçanti, ky investim kontribuon drejtpërdrejt në krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik duke filluar prej nivelit komunal, po ashtu edhe në nivel shtetëror”, ka deklaruar Rafuna.

Ndërsa një nga momentet më emocionale të ceremonisë ishte fjalimi i Shqiponja Krasniqit, bashkëshorja e Xhavit Krasniqit.

Ajo theksoi se ky projekt është më shumë se një bisnes, për të është një kapitull i ri i jetës së tyre.

“Nuk e di nëse ndonjëherë kam pasur më shumë emocione se sa sot… Sepse vetëm ata që kanë qenë larg vendit të tyre e dinë sa e rëndë është.  Malli për shtëpinë, për njerëzit e tu, për gjuhën, për token e këtij vendi. Ka pasur ditë të vështira. Ka pasur sakrifica që nuk i kemi treguar askujt.  Ka pasur momente kur rruga dukej shumë e gjatë… ndoshta edhe e pamundur. Por ishte diçka që nuk na la kurrë me u ndal. Dashnia për njëri-tjetrin dhe dashnia e madhe për Kosovën. Kjo dashni na ka mbajtë gjallë ëndrrën.  Na ka dhanë forcë me vazhdu edhe atëherë kur ka qenë ma së vështiri.  Dhe sot ne jemi këtu. Sot nuk po hapim vetëm një fabrikë. Sot po hapim një kapitull të ri të jetës sonë.  Një dëshmi që sakrifica nuk shkon kurrë kot.  Që ëndrrat, sado të mëdha, bëhen realitet kur nuk dorëzohesh. Dhe sot, kjo që shihni këtu nuk është vetëm një biznes. Është histori.  Është sakrificë.  Është dashni. Është Kosovë JONE”, ka deklaruar Krasniqi.

Një mysafire nga Zvicrra Frau Gudrun Lindner theksoi se Xhaviti pronari i kësaj fabrike, nga një fillestar në profesion, është shndërruar në një person të vëmendshëm dhe me ndikim pozitiv.

“Nga maji i 2019-ës e njoh zotëri Xhavit Krasniqin, është një kolegi burrit tim, Tonit. Atëherë, para shumë viteve, ka filluar si izolier i ri, ndërsa sot Xhaviti është një person shumë interesant dhe i vëmendshëm. Xhaviti me gruan e tij, Shqiponjën, na kanë bërë që ta njohim këtë vend, Kosovën, dhe na kanë afruar me njerëzit këtu. Punët dhe produktet e këtij vendi na kanë fascinuar, saqë ne për punën e drurit në Zvicër (për dritare, pllaka dhe kuzhinë), i kemi marrë prej këtu dhe i kemi sjellë në shtëpinë tonë” tha ajo.

Hapja e fabrikës “Cat Group” vjen në një kohë kur Kosova po kërkon të forcojë bazën e saj prodhuese dhe të tërheqë investime serioze.

Ky projekt shihet si një model i ri i zhvillimit industrial, ku përvoja e diasporës, teknologjia moderne dhe potenciali vendor bashkohen për të krijuar vlerë reale ekonomike.

Me këtë hap, Suhareka dhe Kosova nuk fitojnë vetëm një fabrikë  por një mundësi të re për rritje, punësim dhe pozicionim në hartën industriale të rajonit./Gazeta Infokus/

Pamje të kompanisë dhe të ceremonisë së inaugurimit:

Nesër në Suharekë hapet gjigandi industrial “Cat Group” – Investimi që pritet të ndryshojë sektorin prodhues në Kosovë

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy