Lajme

Nesër në Suharekë hapet gjigandi industrial “Cat Group” – Investimi që pritet të ndryshojë sektorin prodhues në Kosovë

Autori: Gazeta inFokus 13:54 | 27 March 2026

Kosova po hyn në një kapitull të ri industrial. Nesër, në Suharekë, pritet të inaugurohet një nga investimet më të mëdha prodhuese të viteve të fundit, fabrika moderne e kompanisë “Cat Group”, një projekt ambicioz që synon të vendosë standarde të reja në industrinë e materialeve ndërtimore dhe izolimit.

Me një investim milionësh dhe një vizion të qartë zhvillimor, kjo fabrikë nuk është thjesht një hapje është një sinjal i fortë se Kosova po bëhet terren serioz për industri të avancuar dhe prodhim konkurrues në nivel rajonal.

Ceremonia e hapjes do të mbahet më 28 mars 2026, nga ora 11:00 deri në 14:00 në Suharekë, ku pritet të marrin pjesë mbi 150 të ftuar, përfshirë kryetarin e Komunës, Bali Muharremaj, përfaqësues të bizneseve, Oda Ekonomike e Kosovës, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe 30 afaristë të rëndësishëm nga Zvicra dhe vendet tjera evropiane.

-Advertisement-

Një investim që ringjall industrinë vendore

“Cat Group” vjen si një nga investimet më domethënëse në sektorin prodhues, duke u fokusuar në prodhimin e materialeve për izolim ndërtimor, një segment kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të ndërtimit dhe eficiencës energjetike.

Përveç tregut vendor, fabrika synon të depërtojë fuqishëm edhe në tregjet rajonale, duke e pozicionuar Kosovën si një pikë referimi për këtë industri.

Me mbi 40 punëtorë që pritet të angazhohen në fazën fillestare, projekti pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në punësim dhe zhvillim ekonomik lokal.

 

Historia e një ëndrre që u kthye në realitet

Pas këtij investimi qëndron Xhavit Krasniqi, një mërgimtar nga Zvicra, i cili po realizon një ëndërr të kahmotshme për të sjellë një industri të fuqishme në vendlindjen e tij.

Ai vjen nga një traditë familjare në këtë sektor, një rrugë e nisur nga babai i tij dhe e vazhduar ndër vite në Zvicër, për t’u kthyer tani në Kosovë si një projekt konkret dhe transformues.

“Ne si familje punojmë në këtë industri prej vitesh në Zvicër. Qëllimi im ka qenë gjithmonë me e sjell një kompani të madhe në Kosovë – një kompani që operon në nivel global”, ka deklaruar Krasniqi.

Vendimi për të investuar në Kosovë, sipas tij, nuk ishte rastësi.

“Arsyeja pse kam ardhur këtu është sepse ia kemi borxh këtij vendi. Jam lindur dhe rritur në Kosovë, edhe pse jetoj prej 26 vitesh në Zvicër. Është momenti që përvojën dhe suksesin ta kthejmë në investim për vendin tonë.”

Zgjedhja e Suharekës ka qenë po ashtu emocionale dhe strategjike.

“E kam zgjedhur Suharekën sepse është vendlindja ime, aty ndjehem më mirë, më rehat dhe më i lidhur me njerëzit.”

Tre vite punë për një projekt gjigant

Rruga deri te hapja nuk ka qenë e lehtë. Projekti ka kaluar një proces të gjatë planifikimi dhe ndërtimi prej më shumë se tre vitesh, duke përfshirë bashkëpunime me ekspertë nga Zvicra dhe Italia.

“Prej planifikimit, kontratave, përzgjedhjes së lokacionit e deri te ndërtimi – kemi punuar për tre vite pa ndalur. Kemi pasur përkrahje të fortë nga ekspertë ndërkombëtarë dhe kompani zvicerane”, ka thënë ai.

Fabrika është e pajisur me teknologji moderne dhe procese të digjitalizuara, duke e bërë më të lehtë trajnimin dhe integrimin e fuqisë punëtore vendore.

Mesazh i fortë për rininë dhe diasporën

Përveç ndikimit ekonomik, ky investim sjell edhe një mesazh të qartë social.

“Kosova ka rini shumë të fortë dhe diasporë të fuqishme. Ata kanë përvojë dhe mund ta sjellin atë këtu. Rinia nuk ka nevojë të largohet – edhe në Zvicër nuk ka sukses pa punë.”

Ky është një apel i drejtpërdrejtë për të kthyer kapitalin njerëzor dhe financiar në vend, duke ndërtuar të ardhmen brenda Kosovës.

Një moment i ri për ekonominë e Kosovës

Hapja e fabrikës “Cat Group” vjen në një kohë kur Kosova po kërkon të forcojë bazën e saj prodhuese dhe të tërheqë investime serioze.

Ky projekt shihet si një model i ri i zhvillimit industrial – ku përvoja e diasporës, teknologjia moderne dhe potenciali vendor bashkohen për të krijuar vlerë reale ekonomike.

Me këtë hap, Suhareka dhe Kosova nuk fitojnë vetëm një fabrikë  por një mundësi të re për rritje, punësim dhe pozicionim në hartën industriale të rajonit./Gazeta Infokus 

Comodita Home rikthen “Garage Sale” për edicionin e tetë, me zbritje deri në 70%
-Advertisement-

T� tjera

Ky website përdor cookies. Duke vazhduar përdorimin, ju pranoni përdorimin e tyre.

Privacy policy