Lajme

Avokati i Veselit: Nuk i takon trupit gjykues që ta sfidojë besueshmërinë e dëshmitarit, kemi përshtypjen se po përpiqet ta fajësojë atë

Autori: Gazeta inFokus 20:43 | 27 November 2024

Mbrojtja e Kadri Veselit, përmes avokatit Rodney Dixon, të mërkurën kundërshtoi disa nga pyetjet e trupi gjykues që po i bëheshin dëshmitarit Halil Çadraku. Dixon tha se nuk i takon trupit gjykues që të sfidojë apo kundërshtojë besueshmërinë e dëshmitarit.

“Nuk i takon trupit gjykues që të sfidojë apo kundërshtojë besueshmerinë e këtij dëshmitari. Ne nuk e kemi trajtuar në këtë qasje. Nuk ka qenë kjo qasja jonë dhe nuk ka qenë qasja e Prokurorisë. Nuk e ka kompetencë trupi gjykues që t’i bëjë pyetje të tilla dëshmitarit”, tha Dixon.
Kjo gjë ndodhi pas kthimit nga pushimi kur seanca ishte në private, e që pyetjet për dëshmitarin ishte duke i parashtruar gjyqtari Guénaël Mettraux.

Fillimisht, Dixon tha se e kanë shqetësimin se trupi gjykues po përpiqet që ta fajësojë dëshmitarin.

-Advertisement-

“Dua të ngre një shqetësim që kemi të gjithë ne si ekipe të mbrojtjes. Sa i akon këtij dokumenti konkret, ju e dini zoti gjyktës që nga kundërpyetjet e mia që nuk ka asnjë çështje fare që ky është një mashtrim i madh. E njëjta gjë vlen edhe për pyetjet e që bruojnë nga dokumenti P500 që ka lidhje me pyetjet e gjyktësit Barthe. Ne e kemi shqetësimin që trupi gjykues po përpiqet të fajësojë dëshmitarin për një çështje që nuk ka lidhje fare me çështjen e mbrojtjes. Kjo nuk është ngritur prej asnjë prej palëve deri tani. E njëjta gjë vlen edhe për Prokurorinë e cila mbështetet në besueshmërinë e këtij dëshmitari. Ata po e përdorin këtë dëshmitarë pikërisht për të vertetën që do të thonë”, tha Dixon.

Lidhur me këtë, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III tha se trupi gjykues e ka kompetencë që të bëjë pyetje të tilla për dëshmitarin dhe se ata do të vazhdojnë me pyetjet e tyre.

“E ka në fakt trupi gjykues dhe do të vazhdojmë me pyetjet tona”, tha Smith.

Ndërsa, prokurori James Pace tha se avokatit nuk i takon të flasë lidhur me qasjen e Prokurorisë ndaj dëshmitarit.

“Mendoj se avokati duhet të kufizohet në parashtrimet e veta. Nuk i takon avokatit të flasë lidhur me qasjen e Prokurorisë me këtë dëshmitar nëse është mbështetshmëria apo besueshmëria e këtij dëshmitari”, tha ai.

Më pas, Dixon tha se kjo është çështje parimi për të ardhmen dhe se dëshmitarit i është bërë pyetje për një ekspert kaligrafik.

“Kjo është çështje parimi edhe për të ardhmen. Dëshmitarit iu bë pyetje për ekspertin kaligrafik”, tha ai.

Ndërsa, gjyqtari Mettraux mohoi se ka bërë pyetje të tilla, duke shtuar se dëshmitari ishte përgjigjur vullnetarisht për të.

“Unë e kam shqetësim këtë gjë dhe dua ta them që ne tani jemi në një situatë ku keni përfshirë akt-ekspertizën e një eskperti kaligrafik përmes një dëshmitari”, tha avokatiDixon.

Megjithatë, Mettraux sërish mohoi se e ka përdorur ekspertizën, por që ishte thjesht një pyetje lidhur me këtë.

“Nuk e perdorëm këtë ekseprtizë, ishte thjesht një pyetje. I thamë; a të kujtohet të jetë bërë kjo? A ju kujtohet se si ka qenë përfundimi i ekspertit kaligrafik që është tek dokumenti përkatës. Pra, shkrimi i dorës i deklaratës në fjalë rezultoi se në të vërtetë ishte i Kimete Kransiqit. Ne nuk i kërkuam akt-ekspertizë dëshmitarit”, tha ai.

Avokati i Veselit theksoi se gjëja që po kundërshtonte ai, ishte pikërisht kjo, pasi që sipas tij kjo mund të jetë problem edhe në të ardhmen në raste të tjera.

“Po unë pikërisht këtë po kundërshtoj. Përmes këtij dëshmitari, ju po përfshini edhe dokumente gjyqësore- akt-ekspertizën e një eksperti. Nuk është problemi për këtë dokument. Ky është problem edhe për të ardhmen me dokumentet e tjera. Është çështje parimi”, tha Dixon.

E Smith tha se këtë çështje do ta trajtojnë sapo të vije rasti konkret. Kështu që si rrjedhojë kërkoi që dëshmitari të sjellët në sallë për të vazhduar me pyetjet e tjera.

Me pyetje, vazhdoi sërish gjyqtari Mettraux, i cili ia prezantoi dëshmitarit një deklaratë e Kimete Krasniqit, që sipas të dhënave ishte gjetur në banesën e Çadrakut.

Sipas asaj që lexoi gjyqtari, aty thuhej se si kusht për të hyrë ushtarë ka qenë kryerja e një aksioni ndaj ndonjë shqipfolësi i cili punonte në Sigurimin e shtetit serb.

Kimete Krasniqi në këtë deklaratë sipas asaj që tha gjyqtari, kishte thënë se këtë kusht e kishte pranuar me dëshirë dhe se aksioni ishte kryer ndaj një personi i quajtur Hamëz Shtutica, i cili kishte shpëtuar.

Sipas tij, ajo tutje kishte thënë se kishte dëgjuar nga disa shokë që Hamzë Shtutica kishte ikur për në Maqedoni dhe ishte kapur nga pjesëtarë të UÇK-së. Ndërsa, sipas asaj që po lexon gjyqtari, Kimete Krasniqi kishte thënë se më vonë Hamzë Shtutica ishte liruar dhe po endej i lirë në qytetin e Drenasit.

“Më kanë njoftuar se ai është i lirë në qytetin e Drenasit dhe se jemi të rrezikuar nga ai për arsye se ai e di që unë e kam përgatitur aksionin kundër tij dhe për këtë arsye unë nuk mund të veproj në Zonën Opertaive të Drenicës”, citoi gjyqtari Mettraux, deklaratën e Kimete Kransiqit.

Pas kësaj, ende pa u dëgjuar përgjigja e dëshmitarit për këtë, seanca kaloi në private me kërkesën e gjyqtarit Mettraux.

Ndërsa, në pyetjet e gjyqtarit Christoph Barthe, dëshmitari tha se nuk e di nëse Haxhi Shala dhe Fatmir Limaj kishin afërsi.

“Unë nuk e di për afërsinë familjare, por e di që nga vijnë nga i njëjti fshat, Banjë e Malishevës”, tha ai.

Kur u pyet për vrasjen e Komandant Drinit dhe personave të akuzuar për këtë çështje, seanca më pas kaloi në private për pyetje të tjera.

Ndërsa, në pyetjet e gjyqtarit Fergal Gaynor, dëshmitari tha se në postblloqet e UÇK-së ishin listat me emra të personave që punonin në sigurimin shtetëror të Serbisë.

“Ata persona ishin për të mos u lejuar që të hyjnë në territoret tona ku ne vepronim që ishim të instaluar ne. Ata emra ishin për ta ruajtur vetën dhe popullatën ku ne jetojmë e jo për të vepruar apo hetuar jashtë postblloqeve tona. Ata nuk lejoheshin që të hyjnë në zonat tona”, tha Gaynor.

Dëshmia e këtij dëshmitari pritet të vazhdojë edhe nesër për shkak se pyetje shtesë pati Prokuroria dhe disa nga ekipet mbrojtëse.

Çadraku: Mendoj se Inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së ka qenë Rexhep Selimi

(Përditësuar, ora 13:54)- Halil Çadraku deklaroi të mërkurën në Hagë se mendon që pozitën e Inspektorit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e ka mbajtur tani i akuzuari Rexhep Selimi.

Ai tha se kurrë në këtë drejtim nuk ka kontaktuar me Rexhep Selimin, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Më kujtohet se kam dëgjuar që për Inspektor të Përgjithshëm ka qenë zoti Rexhep Selimi. Kurrë nuk kam kontaktuar në këtë drejtim apo të mendoj se ka qenë post apo ashtu ne e kemi quajtur, por kujtoj se në këtë emërim në Inspektorin e Përgjithshëm të Shtabit të UÇK-së, ka qenë Rexhep Selimi”, tha Çadraku.

Dëshmitari tha se nuk ka njohuri se kur është emëruar në këtë post Selimi dhe as në ndonjë post tjetër ndonjëri prej anëtarëve tjerë të Shtabit të Përgjithshëm. Tha se edhe njohuria për pozitën e Selimit nuk është informacion i dorës së parë.

Çadraku shtoi gjithashtu se nuk e di se çfarë ka ndodhur në ish-ndërtesën e MUP-it nga data 16 deri më 18 qershor 1999 në Prizren.

Ai u përgjigj me ‘jo’ kur u pyet se a ka dëgjuar që një person në moshë ishte gjetur i vdekur në këtë ndërtesë.

Çadraku: S’kam parë t’iu thuhet Thaçit dhe Veselit ‘gjeneral’, ata nuk kishin aktivitet ushtarak

(Përditësuar, ora 13:36)- Dëshmitari Halil Çadraku tha se asnjëherë nuk ka parë në ndonjë shkrim që Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit t’iu referoheshin si “gjeneral”. Sipas tij, kjo dëshmon që tani të akuzuarit nuk kanë pasur aktivitet ushtarak dhe operacional gjatë luftës.

Ai tha se detyra e Thaçit dhe Veselit ishte që të kontaktonin me strukturat ndërkombëtare, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Që 25 vjet, shtypi kosovar është i mbingarkuar me lloj-lloj shkrimesh si pozitive, si negative. Në asnjë gazetë si të kundërshtarëve e si të tonat, nuk kam lexuar t’i thuhet Hashim Thaçit, ‘Gjeneral Hashim Thaçi’. Në asnjë libër apo gazetë nuk kam parë t’i thuhet ‘Gjeneral Kadri Veseli’. Kjo e dëshmon që ata nuk kishin aktivitet të tyre ushtarak-operacional të tyre gjatë luftës së ’98-99, por kishin më shumë detyra të tyre të kontaktonin me strukturat ndërkombëtare”, tha Çadraku.

Madje, ai theksoi se këto i bazon në ato që ka parë dhe dëgjuar dhe si informacione nuk i ka nga Shtabi i Përgjithshëm.

“Krejt këto i bazoj nga ato që kam parë e dëgjuar, por jo nga kontaktet e mia me Shtabin e Përgjithshëm. Janë të lexuara e të dëgjuara”, tha Çadraku.

Çadraku: Në maj-qershor 1998, Shtabi i Përgjithshëm s’ka mundur që të organizojë strukturat e UÇK-së

(Përditësuar, ora 13:22)- Dëshmitari Halil Çadraku tha të mërkurën në Hagë se sa i takon periudhës së majit dhe qershorit 1998, Shtabi i Përgjithshëm nuk ka mundur që të bëjë organizime të strukturës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Ai këtë deklarim e bëri në gjykimitn ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christoph Barthe, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Unë mendoj se Shtabi i Përgjithshëm nuk ka mundur të organizojë të gjitha organizimet nëpër fshatra, nëpër terrene, por gjithmonë ka pasur një njeri. Unë mund ta marr shembull vetëm veten dhe atëherë të nisemi nga kjo që mund të kuptojmë se ndoshta kështu ka mund të ndodhë edhe nëpër vende të tjera”, tha Çadraku.

Ai u pyet se a e din nëse Thaçi dhe Veseli kanë punuar për organizimin e UÇK-së, duke bërë ndërlidhje në mes Shtabit të Përgjithshëm dhe të tjerëve që ishin jashtë Kosovë gjatë periudhës para luftës. Dëshmitari tha se nuk ka njohuri lidhur me këtë çështje.

Ndërsa, kur u pyet për Ekrem Rexhën dhe Mujë Krasniqin si dhe dyshimet për vrasjen e këtij të fundit, dëshmitari tha se më vonë kishte lexuar diku që Mujë Krasniqi kishte lidhje familjare me Rexhep Selimin.

Çadraku tha se tri herë ka shkuar në Shtabin e Përgjithshëm. Megjithatë, shtoi se nuk ka kontaktuar me ata drejtpërdrejt.

“Unë kam qenë tri herë gjatë luftës në Shtab të Përgjithshëm. Kontaktimet e mia gjithmonë jam munduar që t’i bëj përmes komandës. Nuk më kujtohet që të kem kontaktuar ndonjëherë direkt pa kontaktimin e komandantit përpos ato shkrimet që i kemi lexuar dje”, tha ai.

Dëshmitari u pyet për Hashim Thaçin se a ka qenë anëtar i Shtabi të UÇK-së, por tha se të gjithë personat që përmenden pas lufte lidhur me këtë pjesë, i perceptojnë si pjesë e asaj strukture, por që për asnjërin nuk e di se çfarë pune kanë bërë.

“Nuk e di se çfarë të them. Të gjithë këta shokët që janë përmendur pasluftës, të gjithë i perceptojmë si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm si Azem Sylën, Xhavit Halitin, si Hashim Thaçin, si Rexhep Selimin, si Jakup Krasniqin, si Kadri Veselin. Domethënë, as unë nuk mund të them sot me saktësi se sa anëtarë kishte Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së apo Shtabi Qendror, i cili ashtu quhej në një kohë. Nuk e di me saktësi të them se a ka qenë, mirëpo në një kohë perceptimi si një luftëtar, të gjithë këta emra i pranoj si anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, pavarësisht se çfarë detyre kanë pasur brenda saj”, tha ai

Për Sabit Gecin, dëshmitari Halil Çadraku tha se nuk e di se çfarë roli ka pasur në UÇK.

“Nuk e di se çfarë detyre ka pasur Sabit Geci në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, tha dëshmitari Çadraku.

Dita e tretë e dëshmisë së Halil Çadrakut në rastin Thaçi dhe të tjerët

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë po vazhdon dëshminë dëshmitari Halil Çadraku në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Pyetje shtesë për dëshmitarin pati prokurori James Pace meqë ekipet e mbrojtjes njoftuan se nuk kanë pyetje duke përshirë edhe mbrojtjen e Krasniqit.

Dëshmitari kishte thënë se Ilmi Reçica dhe Ferat Shala ishin homologet e tij për zonën e Drenicës dhe atë të Nerodimës e që nuk e dinte se çfarë pune bënin ata, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, sipas prokurorit, dëshmitari kishte thënë se këta dy persona ose kanë qenë zëvendës të Veselit ose anëtarë të ekipit të tij.

“Unë mendoj që këtë deklaratë e kam dhënë në vitin 2019 pranë ZPS-së. 20 vite pas luftës edhe njohuritë e mija me Ilmi Reçicën dhe Ferat Shalën, tani i njoh por nuk me kujtohet konkretisht se kur i kam parë ata dy. Mund të kem thënë se mendoj për shkak se ata pas luftës kanë punuar si bashkëpunëtor ë Kadri Veselit, ashtu kam dëgjuar. Mendoj që në këtë kontekst e kam thënë. Mirëpo, gjatë luftës e kam thënë dhe e them se unë nuk jam takuar, nuk kam bashkëpunuar, nuk kemi dhënë urdhra ose marrë në bazë të sektorit”, tha Çadraku.

Këtu ndërhyri edhe avokati kujdestar i Çadrakut, Arianit Koci i cili kërkoi që pyetjet të iu shfaqen në ekran edhe në gjuhën shqipe përveç asaj në gjuhën angleze.

“Meqenëse po hyjmë me një pjesë të pyetjeve komplekse, është mirë që kur del pyetja në gjuhën angleze, me dal edhe versioni shqip meqë klienti im nuk din anglisht”, tha Koci.

Pasi dëshmitari e sqaroi deklaratën e tij për ZPS-në, kjo e fundit nuk pati pytje më për dëshmitarin.

Përpara se të vijë dëshmitari në sallën e gjyqit, mbrojtja e Veselit kundërshtoi përdorimin e disa dokumenteve si dhe pranimin e tyre në prova.

Një ndër këto dokumente ishte edhe deklarata e Ferat Shalës që sipas avokatit i njëjti nuk është thirrur për të dëshmuar ose dëshmia e tij nuk është pranuar përmes ndonjë rregullore ‘lex specialist’.

Si rrjedhojë, kryegjyqtari tha se asnjë palë nuk e ka parashtruar këtë deklaratë të Ferat Shalës për t’u pranuar në prova materiale. Ndërsa, avokati Dixon tha se mund të kërkohet ndërkohë.

Megjithatë për këtë çështje, kryegjyqtari tha se do të merret me vonë vendimi.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Birra të ftohta e me shumë ZBRITJE veç në Viva Fresh!
-Advertisement-

Të tjera