Lajme

Abdixhiku shpalos programin për arsim: Ne do ta implementojmë mësimin tërëditor

Autori: Gazeta inFokus 20:12 | 25 November 2024

Lidhja Demokratike e Kosovës ka shpalosur programin për arsim që sipas kësaj partie do ta ringjallë arsimin e Kosovës.

Kreu i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, tha se aktualisht nxënësit e shkollave publike në Kosovë kalojnë më pak se 20 orë në shkollë.

Gjatë shpalosjes së këtij programi në Vushtrri, Abdixhiku tha se ky program synon të dyfishojë numrin e orëve të prezencës në shkollë.

-Advertisement-

“Ne do ta implementojmë mësimin tërëditor duke filluar nga viti i tretë i qeverisjes sonë në 5 pilot komuna të Kosovës, të cilat do të zgjidhen si pjesë e një analize gjithëpërfshirëse”, tha Abdixhiku.

“Implementimi i mësimit tërëditor lidhet ngushtë me riorganizimin e shkollave (klasët 1-5) dhe kompletimit të infrastrukturës së shkollave dhe çerdheve; në veçanti me pjesën e ushqimit dhe aktiviteteve kurrikulare e ekstra-kurrikulare në këto shkolla”, tha Abdixhiku.

Ai tha se në komunat e përzgjedhura do të ndahen fonde shtesë për ndërtimin dhe adaptimin e infrastrukturës shtesë në shkollat ekzistuese, si dhe ndërtimin e shkollave të reja.

“Plani ynë parasheh ndarjen e gjithsejtë 20 milionë eurove në këto komuna të përzgjedhura. Mësimi tërëditor do të kishte ndikim social te fëmijët, do të mundësonte qasje të njëjtë dhe kohë të mjaftueshme për mësime shtesë; aktivitete rekreative dhe do të rriste cilësinë e mësimit në përgjithësi”, tha Abdixhiku.

Ai tha se Qeveria e LDK-së që në javën e parë të qeverisjes do ta ndryshojë koeficientin e pagave nga 110 euro sa është sot në 150 euro.

Si pjesë e programit të “Rrugës së Re” për arsim janë edhe digjitalizimi i arsimit, kodimi si lëndë në shkollat fillore, program kombëtar të edukimit të hershëm, klasë me 20 nxënës, shkolla në qendër si dhe provim kombëtar për mësimdhënës të rinj.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Coffee shkon edhe në Ferizaj – ambient i ngrohtë e risi në menu (VIDEO)
-Advertisement-

Të tjera