Lajme

Gazetarët Hoxha dhe Qyno paraqiten në SPAK, njihen me masat e sigurisë

Autori: Gazeta inFokus 15:25 | 25 November 2024

Gazetarët Artan Hoxha dhe Elton Qyno këtë të hënë të 25 nëntorit janë paraqitur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) për t’u njohur me masën e sigurisë.

Sipas informacioneve paraprake për Hoxhën është kërkuar “arrest shtëpie” pasi akuzohet si “ anëtar i organizatës kriminale”.

Ndërsa për Qynon, i cili akuzohet për “korrupsion është vendosur masa “detyrim paraqitje”.

-Advertisement-

Detajet e këtij vendimi janë ende të panjohura, por me gjasë lidhen me punën e dy gazetarëve, sa i takon raportimit të tyre të kronikës së zezë.

Nga njëra anë, Hoxha është i spikatur për lajmet që publikon, shpesh edhe duke i paraprirë rezultateve hetimore nga vetë struktura të rëndësishme si Prokuroria e Posaçme SPAK. Ai është një emër shumë i njohur mbi të gjitha për investigimet që ka kryer për botën e krimit dhe së fundmi është marrë edhe me publikimin e materialeve të trafikut të kokainës nga Amerika Latine drejt Shqipërisë, nga grupe të strukturuara kriminale.

Qyno nga ana tjetër ka një çështje të hapur me SPAK, pasi atij i është sekuestruar një telefon celular, pas marrjes në pyetje mbi disa publikime për çështje të lidhura me dëshmitë e Nuredin Dumanit.

Nga ana tjetër, një reagim lidhur me ngjarjen nga faktori politik e ka pasur vetëm kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ka kërkuar lirimin e Qynos dhe ka akuzuar gazetarin Hoxha se është i lidhur me banda kriminale.

“Kërkoj heqjen e menjëhershme të masave ndaj gazetarit Elton Qyno. Ai nuk ka lidhje me Artan Hoxhën që është anëtar i bandës së Bajrajve”, ka thënë Berisha.

“Nuk mund ta mbyll këtë ekspoze para jush pa dënuar me forcën më të madhe vendosjen e masave kufizuese ndaj gazetarit guximtar Elton Qyno, i cili në një shërbim të madh ndaj vendit ka demaskuar me guximin më të madh lidhjet e Edi Ramës me krimin”.

Sipas Berishës, “rrëmbimi” i tij nga kryeprokurori Altin Dumani është një nga ngjarjet më dramatike në historinë e Shqipërisë.

 

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova nderohet me tre Çmime prestigjioze për qëndrueshmëri
-Advertisement-

Të tjera