Lajme

Raportimet se po hetohen 1700 kontrata, Muratit i pengon termi “një burimore”, bën akuza ndaj opozitës dhe Prokurorisë Speciale

Autori: Gazeta inFokus 13:16 | 24 November 2024

Pas raportimeve se po hetohen 1 mijë e 700 kontrata me procedurë të negociuar, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se ka pasur propagandë e shpifje nga opozita.

“Tash e disa muaj keni dëgjuar nga opozita shpifje e propagandë për prokurimin që bëhet përmes procedurave të negociuara. Në prononcimet e tyre, kontratat me procedurë të negociuar ata i quajnë gabimisht, e qëllimshëm, herë kontrata njëburimore, e herë tenderë sekretë, dhe shpesh përdorin shifra të mëdha e flasin për keqpërdorime, për të krijuar përshtypjen te publiku se këtu me të vërtetë duhet të ketë diçka. Por e tëra është shpifje e propagandë, në kuadër të luftës ndaj Qeverisë Kurti, me të gjitha mjetet.”

Ai ka thënë se kontratat me procedurë të negociuar janë të parapara me Ligjin për Prokurimin Publik, dhe sipas tij lloji i kontratës nuk e përcakton nëse ka korrupsion ose jo në atë kontratë.

-Advertisement-

Murati e ka akuzuar Komunën e Prishtinës duke thënë se kanë dhënë kontratë në vlerë 12 milionëshe përmes tenderit të hapur dhe “askush nuk mund të garantojë që nuk ka korrupsion”.

“E para, prokurimi me procedurë të negociuar është i paraparë në Ligjin për Prokurimin Publik, saktësisht Nenit 34 dhe Neni 35, pra nuk ka asgjë të paligjshme kur një autoritet kontraktues përdorë këtë metodë, për aq sa plotësohen kriteret e kërkuara me ligj. Me fjalë tjera, lloji i procedurës së prokurimit nuk e përcakton se a ka korrupsion në atë kontratë apo jo. Psh. e kemi rastin e Komunës së Prishtinës, ku me tender të hapur është dhënë kontrata në vlerë 12 milionë euro, për të paguar konsulencë e rendera në kompjuter, dhe askush nuk mund të garantojë që në këtë kontratë nuk ka korrupsion.”

Ministri Murati ka shtuar se shifrat e përdorura nga opozita për këtë lloj tenderësh përfshijnë edhe institucionet e pavarura, komunat dhe ndërmarrjet publike.

“E dyta, shifrat e përdorura në kuadër të propagandës, për numrin e kontratave me procedurë të negociuar dhe vlerën e tyre, përfshijnë të gjitha institucionet – qeverinë qendrore, institucionet e pavarura, komunat, dhe ndërmarrjet publike.  Prandaj edhe përdorimi i këtyre shifrave duke thënë se janë qindra miliona euro e mijëra kontrata duke ia atribuuar qeverisë qendrore, është manipulim vetëm e vetëm për të krijuar përshtypjen te qytetari se kemi të bëjmë me një keqpërdorim të madh, se përndryshe kush ka guximin të gënjejë për diçka kaq të madhe.”

Murati ka thënë se tenderët me procedurë të negociuar janë përdorur më së shumti në vitet 2008 me 19.9 për qind dhe në vitin 2015 me 16.1%.

“Dhe e treta, nëse e shikojmë nëpër vite se si ka qenë raporti i kontratave me procedurë të negociuar nëpër vite, del se niveli më i lartë i përdorimit të kësaj lloj metode, pra tenderë njëburimorë apo tenderë sekretë siç ka qef t’i quajë opozita, ka qenë në vitet 2008 me 19.9% dhe në vitin 2015 me 16.1%. Në grafikon, me vijë të kuqe është paraqitur përqindja e vlerës së kontratave me procedurë të negociuar në raport me vlerën totale të kontratave, nëpër vite. Edhe në vitin 2008, edhe në vitin 2015, në qeverisje ka qenë koalicioni PDK-LDK. Madje në vitin 2015 ka qenë ministre edhe deputetja Bajrami, e cila është aq e zellshme të “denoncojë” këtë metodë të prokurimit.”

Ai e ka akuzuar Prokurorinë Speciale se nuk është e interesuar ta luftojë krimin dhe korrupsion, ndërsa ka shtuar se kjo prokurori synon të bëhet “argat” i opozitës ndaj Kurtit.

Në fund, Murati ka thënë Prokuroria Speciale i dërgon shkresa institucione duke i kërkuar dokumentacion për këto kontrata.

“E nëse me të vërtetë duhet konsideruar kontratat me procedurë të negociuar si potencial për korrupsion, atëherë hetimet do duhej të fillonin pikërisht nga këto vite, 2008 dhe 2015 për të gjetur korrupsionin më të lartë. Por Prokuroria Speciale nuk i bën ato hetime, sepse Prokuroria Speciale nuk është e interesuar ta luftojë krimin e korrupsionin. Prokuroria Speciale është e interesuar ta luftojë Albin Kurtin, për t’ia bërë një argat opozitës. Kjo dëshmohet edhe në shkresat që u dërgojnë institucioneve kur kërkojnë dokumentacionin për “kontratat njëburimore” (termi i përdorur nga opozita), e jo “kontratat me procedurë të negociuar” siç është termi zyrtar.”

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Prince Caffe zgjeron shtrirjen në rajon, arrin marrëveshje bashkëpunimi me zinxhirin kroat Plodine
-Advertisement-

Të tjera