Edhe dy muaj tjerë paraburgim për Thaçin dhe Veselin
Autori: Gazeta inFokus 13:29 | 15 October 2024
Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, kanë marrë vendim për vazhdimin e masës së paraburgimit edhe për nga dy muaj të tjerë për ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, të cilët akuzohen për krime lufte së bashku me Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.
Vendimet e ndara për dy të akuzuarit janë marrë më 14 tetor 2024 nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.
“Paneli konkludon se në këtë moment nuk ka ende mjaftueshëm informacion që të justifikojë një gjetje se z. Thaçi (z.Veseli) mund të arratiset nga drejtësia nëse lirohet. Megjithatë, Paneli është i kënaqur, bazuar në standardin përkatës, se ekziston një rrezik i mjaftueshëm që z. Thaçi (z.Veseli) do të pengojë përparimin e procedurave të Dhomave të Specializuara dhe se ai mund të kryejë krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së, duke përfshirë dëshmitarët që kanë dhënë ose mund të japin dëshmi në këtë çështje dhe/ose pritet të paraqiten para Dhomave të Specializuara”, thuhet në vendimet ndaj tyre.
Gjithashtu, në këto vendime thuhet se ZPS-ja ka parashtruar se sjellja e dy të akuzuarve paraqet rrezik të shtuar për shkak të zbulimit të vazhdueshëm të informacioneve të ndjeshme të dëshmitarëve lidhur me procesin gjyqësor.
Si rrjedhojë, tek këto vendime, Paneli ka rikujtuar se arsyeshmëria për vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarve duhet të vlerësohet bazuar në fakte të secilit rast dhe veçorive specifike të tij.
“Veçoritë specifike të këtij rasti përfshijnë: (i) ndikimin dhe autoritetin e z. Thaçi; (ii) njohurinë e tij për akuzat dhe provat kundër tij, dhe mundësinë e një dënimi të gjatë me burg; (iii) rrezikun që z. Thaçi të pengojë procedurat e Dhomave të Specializuara; (iv) rrezikun e kryerjes, nxitjes ose ndihmës në kryerjen e krimeve të tjera; (v) faktin se masat kufizuese në rast lirimi nuk janë të mjaftueshme për të zbutur rreziqet; (vi) rëndësinë dhe kompleksitetin e akuzave kundër z. Thaçi; dhe (vii) faktin se gjyqi është në zhvillim, duke treguar një përparim të arsyeshëm të procedurave”, thuhet në vendimin për Thaçin.
Ndërsa, për Veselin, Paneli ka vlerësuar se ai akuzohet për dhjetë pika të krimeve ndërkombëtare, e në rast që shpallet fajtor mund të dënohet me një dënim të gjatë me burg.
“Sipas vlerësimit të Panelit, veçoritë specifike të këtij rasti përfshijnë: (i) z. Veseli është i akuzuar për dhjetë pika të krimeve të rënda ndërkombëtare, në të cilat ai dyshohet të ketë luajtur një rol të rëndësishëm; (ii) nëse shpallet fajtor, z. Veseli mund të përballet me një dënim të gjatë me burg; (iii) rreziqet sipas nenit 41(6)(b)(ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten me ndonjë kusht; (iv) çështja kundër z. Veseli është komplekse; dhe (v) fakti që gjyqi është në zhvillim, duke treguar një përparim të arsyeshëm të procedurave”, thuhet në vendimin për Veselin.
Si rrjedhojë, Paneli ka konstatuar se vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë për dy të akuzuarit është i nevojshëm dhe i arsyeshëm kështu duke e urdhëruar vazhdimin e një mase të tillë.
Në fund të vendimeve, trupi gjykues ka urdhëruar edhe ZPS-në që të dorëzojnë parashtrimet e tyre mbi shqyrtimin e ardhshëm të paraburgimit ndaj Thaçit dhe Veselit deri më 22 nëntor 2024. ndërsa përgjigjet në këto parashtrime të dorëzohen sipas afateve të përcaktuara me Rregullore.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë. Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi
Të tjera
-
Mendim Rugova tregon se në këtë ditë të javës do të bie borë
Nga nesër mbrëma më shumë shi, të enjten borë dhe erëra të fuqishme Mendim...
-
Djali i Haxhi Shalës nga Haga: Ai e di që betejën e ka të fituar
Djali i Haxhi Shalës, Flakroni ka vizituar babain e tij sot në Hagë. Përme...
-
Ish Ministrja e mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut emërohet Zv/Sekretare e Përgjithshme e NATO-s
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte emëroi të martën ish Ministren e...
-
Hill thotë se duhet shumë punë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Ambasadori amerikan në Serbi Christopher Hill tha se duhet bërë shumë për të ...
-
E dhimbshme: Vdes një grua e re nga Prishtina
Ka ndërruar jetë Argjira Vout, nëna e dy fëmijëve, e cila jetonte në Londër, ...
-
Deri më tani vetëm 17 mijë e 462 mërgimtarë të regjistruar për të votuar, Gjermania ua ndalon tubimet partive në territorin e saj
Deri tani, për të marrë pjesë në zgjedhje, janë aprovuar aplikimet e mbi 17 m...
-
Zyberaj thotë se Peci përdori metodat e UDB-ës për ta sulmuar Pacollin, e pyet “ku mbeti dosja?’
Këshilltari dhe një prej njerëzve më të afërt të Behgjet Pacolli, Jetlir Zybe...
-
“Do merrem me sensibilizim”, Monika Kryemadhi heq dorë nga politika?
Pas daljes së saj nga Apeli i Posaçëm, Monika Kryemadhi i është përgjigjur dh...
-
Incident zjarri në ballkonin e një banese në Ferizaj, Policia jep detaje
Në ballkonin e një banese në Ferizaj ka pasur incident zjarri sot. Zjarri ...
-
Abdixhiku njofton për aderimin e ri, babain e futbollistit Edon Zhegrova
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka njoftuar se Lul...
-
LDK-ja me aderim të ri, ja merr VV-së një asamblist në Gjilan
Kryetari i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan Lutfi Haziri, ka...
-
Kurti viziton Rezidencën e Ibrahim Rugovës pas renovimeve: Po mundohemi të mirëmbajme respektin për figurat qendrore historike
Sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Rezidencen e Presidentit...