Lajme

“Radoiçiq e konsiderojmë kriminel dhe duhet të dalë para drejtësisë”, çështja e Asociacionit dhe kufiri i Kosovës – çfarë tha ambasadori amerikan Hovenier?

Autori: Gazeta inFokus 08:09 | 04 July 2024

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka folur për sulmin terrorist në veri të vendit, saktësisht në Banjskë të Zveçanit dhe kriminelin Milan Radoiçiqin, çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, çështjen e kufirit të Kosovës e shumë të tjera.

Hovenier theksoi se ShBA-ja pret nga Qeveria e Kosovës të ndërmarrë ndonjë veprim për ta dërguar draft-statutin në Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se “kjo është zgjedhje e qeverisë”.

“Por, të jemi të qartë, ky nuk është dokument jozyrtar, ky nuk është diçka që vetëm e kemi dorëzuar ashtu thjesht në mënyrë të rastësishme. Një delegacion i përbërë nga personi më i lartë i Bashkimit Evropian, përgjegjës për dialogun Kosovë-Serbi, me këshilltarët kombëtarë të sigurisë, këshilltarët më të afërt të kancelarit të Gjermanisë, presidentit të Francës, kryeministres së Italisë dhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën dhe Serbinë, erdhën dhe e dorëzuan atë dokument duke thënë: Ne besojmë se ky krijon një Asociacion të komunave me shumicë serbe që i trajton të gjitha shqetësimet e ngritura, që nuk kërkon ndryshime të kushtetutës suaj, nuk ka pushtet ekzekutiv, nuk krijon një shtresë tjetër të qeverisjes”.

-Advertisement-

“Pra, ka status mjaft të rëndësishëm. Dhe siç i kemi thënë Kosovës, ne besojmë se është mjaft i mirë dhe është i mjaftueshëm që Kosova t’i përmbushë obligimet e saj duke e përdorur këtë draft. Kjo është shumë e fuqishme. Këto nuk janë vetëm një varg idesh të ndonjë organizate këshillëdhënëse. Pra, këshilla jonë më e mirë për qeverinë e Kosovës është të shfrytëzojë këtë mundësi për ta shtyrë përpara. Ekziston vetëm një organ në planet që njëmend mund të vendosë nëse ky draft-statut është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës – vetë Gjykata Kushtetuese e Kosovës”, tha Hovenier në një intervistë në Rubikon në Klan Kosova.

Ai më tej tha se ShBA-ja dhe BE-ja do ta respektonte çfarëdo vendimi të Kushtetueses, teksa shtoi se do të prisnin që edhe Kosova ta bënte të njëjtën gjë, teksa foli edhe për propozimin e kryeministrin Albin Kurti, që drafti të dërgohet në Komisionin e Venecias nga emisari special, Miroslav Lajçak.

“Nuk e di qëllimin e këtij propozimi. Sërish, nuk besoj…. Ne e respektojmë shumë Komisionin e Venecias, por shumë ekspertë të respektuar kanë qenë të përfshirë në hartimin e këtij draft-statuti. Nuk mendoj se kemi frikë nga çka do që Komisioni i Venecias mund të bëjë me të, por nuk e zgjidh problemin themelor. Çështja siç e kuptoj unë apo siç e kam dëgjuar nga qeveria është se nuk janë të bindur se draft-statuti është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

“Komisioni i Venecias nuk mund të marrë një përfundim të tillë. Por, a e dini kush mundet? Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pra, le ta dërgojmë draftin me ndonjë – sërish, keni të drejtë, kryeministri ka të drejtë, qeveria e Kosovës duhet disi t’i japë ndonjë status përtej statusit të tanishëm për ta dërguar në Gjykatën Kushtetuese. Por, nga këndvështrimi ynë, do të ishte mirë që qeveria ta ndërmarrë atë hap”, tha ai.

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur edhe për sulmin terrorist në Banjskë gjatë shtatorit 2023 dhe kryekriminelin Milan Radoiçiq.

Hovenier tha se Qeveria e ShBA-së pret që ata që e kryen këtë akt kriminal të mbajnë përgjegjësi, teksa përmendi faktin që Radoiçiqi, përmes avokatëve të tij e pranoi përgjegjësinë për sulmin në Banjskë.

“Nga këndvështrimi ynë, ai është padyshim tashmë i sanksionuar nga Thesari i Shteteve të Bashkuara për shkak të lidhjeve të tij me krimin e organizuar transnacional. Por, ky është indikator i mëtejshëm i kriminalitetit të tij dhe ne presim që ai të mbajë përgjegjësi”, tha Hovenier.

Tutje, ambasadori amerikan u tregua preciz në titullin që qeveria amerikane e ka për Radoiçiqin – kriminel, për të cilin tha se duhet të përjetojë drejtësinë për sulmin në Banjskë.

“Ne e konsiderojmë atë si kriminel dhe besojmë se ai duhet të përjetojë – jo të vuajë – të përjetojë drejtësinë dhe të mbahet përgjegjës për krimin më të fundit që e kreu, që është roli që luajti në sulmin në Banjskë”.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka folur edhe për çështjen e kufirit të Kosovës dhe u shpreh se e dinë saktësisht se ku është kufiri i Kosovës, ku tha është në veri të lumit Ibër.

“Ne e dimë saktësisht se ku është kufiri: është në veri të lumit Ibër. Mund të them për këtë çështje, por ka pasur edhe të tjera. Ne dëshirojmë që qeveria të punojë me ne, bashkësinë ndërkombëtare. Dhe nuk janë vetëm Shtetet e Bashkuara. Janë Shtetet e Bashkuara, partnerët tanë të QUINT-it, Bashkimi Evropian, të tjerët, të gjitha organizatat dhe vendet që i duhen Kosovës në anën e saj për të jetësuar vizionin e saj”, tha ambasadori amerikan për Klan Kosova.

“I kemi ngritur shqetësimet tona lidhur me mënyrën e zbatimit. Përkitazi me Rregulloren e Bankës Qendrore, do të thosha që ka pasur përpjekje nga qeveria që t’ju përgjigjet disa shqetësimeve që i kemi ngritur, por kërkojmë edhe më shumë bashkërenditje për mënyrat që i marrin parasysh shqetësimet e ngritura nga komunitetet e prekura, veçanërisht nga komuniteti etnik serb në Kosovë”, u shpreh Hovenier.

Ambasadori amerikan gjatë intervistës në Rubikon theksoi se ka folur për marrëdhëniet me Qeverinë Kurti

Ai tha se shqetësohen kur Qeveria e Kosovës ndërmerr veprime për të vendosur sovranitet aty ku ka sovranitet.

Hovenier tha se ShBA-të e përkrahin Kosovën që të marrë vendin e saj të merituar në familjen e shteteve evropiane, por sipas tij, për këto arritje duhet përparim në dialog.

“Ne absolutisht e besojmë se ky është fati i Kosovës dhe do të mbështesim plotësisht dhe me entuziazëm avancimin e saj në institucionet evropiane si Bashkimi Evropian, Këshilli i Evropës dhe institucionet euroatlantike, si një marrëdhënie ndryshe me NATO-n dhe në fund, ne e shohim Kosovën anëtare të NATO-s”.

“Por, siç kemi folur më parë, për t’i arritur këto gjëra, duhet përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Kjo është rruga për të çuar përpara këtë qëllim. Dhe për këto gjëra me këtë qeveri nganjëherë kemi pasur disa dallime, jo për atë që duam të arrijmë, por për shkak të disa taktikave apo qasjes për t’u përpjekur për t’i arritur ato”, tha Hovenier.

Tutje, Hovenier tha se qeveria amerikane shqetësohet kur Qeveria e Kosovës zgjedh të ndërmarrë veprime të njëanshme “në disa mënyra për vendosur sovranitetin aty ku Kosova ka sovranitet”.

“Kështu, qeveria amerikane ka dhënë disa deklarata se ne jemi të shqetësuar kur qeveria e Kosovës zgjedh të ndërmerr veprime të njëanshme në disa mënyra për të vendosur sovranitetin aty ku Kosova ka sovranitet, por megjithatë, në mënyra që besojmë do të duhej të bëheshin përmes koordinimit me bashkësinë ndërkombëtare, përmes konsultimeve me komunitetet e prekura”.

“Pra, p.sh. e dini që ka disa muaj që kemi folur për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore. Ne nuk e kontestojmë autoritetin dhe përgjegjësinë e Bankës Qendrore për të qeverisur sektorin financiar në tërë territorin e Kosovës dhe natyrisht kjo përfshin edhe veriun e Kosovës, i cili është pjesë e territorit të Kosovës sovrane e të pavarur. Ne e dimë saktësisht se ku është kufiri: është në veri të lumit Ibër”, tha Hovenier.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Etiketa:
Shijoni eksperiencën e re të blerjes në Meridian Express x EXFIS!
-Advertisement-

Të tjera