Lajme

DASH bën thirrje për proces të drejtë ligjor ndaj Tefik Mustafës në Serbi

Autori: Gazeta inFokus 09:55 | 05 June 2024

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) i ka thënë të mërkurën Radios Evropa e Lirë se është në dijeni për arrestimin e një individi nga autoritetet serbe, nën dyshimet për krime lufte në vitet ’90 dhe bën thirrje për një proces ligjor të drejtë dhe transparent ndaj tij.

Një zëdhënëse e DASH-it e ka dhënë këtë deklaratë në kërkesën për të komentuar ndalimin e shtetasit të Kosovës, Tefik Mustafa, nga autoritetet serbe, në pikëkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, Merdare, më 1 qershor.

Një gjykatë në Beograd ka marrë vendim ndaj tij për paraburgim prej 30 ditësh.

-Advertisement-

“Ne u bëjmë thirrje institucioneve serbe që të garantojnë një proces ligjor të drejtë dhe transparent për këtë rast, ashtu sikurse me çdo arrestim tjetër, në përputhje me sundim të ligjit”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e Departamentit amerikan të Shtetit.

Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë më 1 qershor se Mustafa dyshohet se, në cilësinë e anëtarit të Ushtrisë Çlimtare të Kosovës, është përmendur nëpër deklarata të dëshmitarëve si pjesëmarrës në kidnapimin e tre zyrtarëve policorë.

Ministria e Jashtme e Kosovës e ka konsideruar ndalimin e Mustafës si arbitrar dhe ka kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tij.

Ministria e ka vënë në dispozicion edhe numrin e telefonit +383 46 51 00 51, për të gjithë shtetasit e Kosovës që mund të ballafaqohen me vështirësi gjatë udhëtimit të tyre nëpër Serbi.

Në tre vjetët e fundit, në Serbi janë arrestuar disa shtetas të Kosovës, për siç është thënë, dyshimet se kanë kryer krime gjatë luftës në Kosovë në periudhën 1998-99.

Më 17 prill të këtij viti, autoritetet serbe e kanë arrestuar shtetasin tjetër të Kosovës, Sadik Durakun, nën dyshimet e njëjta, në njërin prej pikëkalimeve kufitare Kosovë-Serbi.

Familjarët e tij i kanë hedhur poshtë akuzat, duke thënë se Duraku ka jetuar në Angli në atë periudhë, bashkë me familjen e tij.

Duraku është arrestuar në një vendkalim kufitar mes Kroacisë dhe Serbisë dhe një gjykatë serbe ia ka caktuar masën e paraburgimit po atë muaj.

Së fundmi, atij i është vazhdaur masa e paraburgimit edhe për 30 ditë.

Më herët gjatë vitit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka akuzuar Serbinë për, siç ka thënë ai, arrestime të padrejta, të qëllimshme dhe dashakeqe të qytetarëve të Kosovës./REL/

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Comodita në Gjermani shpalos koleksionin e produkteve të reja në panairin Heimtextil në Frankfurt
-Advertisement-

Të tjera