Mbyllen qendrat e votimit në veri, shqiptarët mbesin në krye të komunave me shumicë serbe
Autori: Gazeta inFokus 19:11 | 21 April 2024
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ende nuk ka treguar se sa qytetarë në katër komunat veriore kanë votuar deri në orën 19:00, në zgjedhjet që sot janë mbajtur atje.
Por, dihet se deri në orë 15:00 në katër komunat në veri të Kosovës morën pjesë 203 persona në votimet për shkarkimin e kryetarëve komunalë.
Paraprakisht, deri në orën 11:00, kishin votuar vetëm 85 persona.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, në Leposaviq kanë votuar 122 persona, në Zubin Potok 17, dhe në Mitrovicë të Veriut 64 persona. Sërish, sikurse edhe në njoftimin paraprak të KQZ-së, në Zveçan ende askush nuk ka votuar.
Ky proces po mbahet teksa Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, ka bërë thirrje për bojkotim të votimeve në katër komunat e banuara veriore, të banuara me shumicë serbe.
Më herët gjatë ditës, rrjeti i organizatave joqeveritare, Demokracia në Veprim (DnV), tha se ka interesim minimal të qytetarëve për të marrë pjesë në votimet në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
KQZ tha se të gjitha qendrat e votimit u hapën në orën 07:00, përjashtuar disa që u hapën me disa minuta me vonesë për shkaqe teknike, dhe ato do të mbyllen në orën 19:00.
Rrjeti i organizatave joqeveritare, DnV e ka kritikuar KQZ-në për vonesa që të informojë qytetarët se ku janë qendrat e votimit.
Sipas tij, vendosja e kamerave të vëzhgimit në vendvotime mund të përbëjë cenim të fshehtësisë së votës, për shkak të pozicionit ku janë vendosur.
KQZ-ja ka thënë se për herë të parë në këto votime janë vendosur kamera vëzhguese dhe një praktikë e tillë do të vazhdojë edhe në proceset e ardhshme zgjedhore.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, gjatë konferencës për media, tha se sa u përket të dhënave të regjistruara nga kamerat vëzhguese, të njëjtat do të shkatërrohen së bashku me materialin zgjedhor, pas votimeve.
“KQZ nuk mbikëqyr, nuk monitoron regjistrimin apo funksionimin e këtyre online. Pra, nuk ka ndonjë dhomë të veçantë ku shikon në ekrane këto filmime. Qasja në këto video mund të bëhet vetëm me vendim të institucioneve KQZ-së, PZAP-it [Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa], prokurorisë apo gjykatave nëse ka ndonjë rast që trajtohet në këto institucione”, tha ai.
Prokurori i Shtetit, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, po mbikëqyr procesin e votimit në veri.
Ky proces, po ashtu, po vëzhgohet edhe nga Bashkimi Evropian përmes 17 ekipeve me 60 anëtarë.
Policia e Kosovës tha se situata e sigurisë në veriun e Kosovës është e qetë.
“Nuk ka pasur asnjë problem sa i takon procesit të votimeve. Edhe dje edhe sot situata është e qetë dhe në fakt nuk kemi pasur ndonjë informacion që neve na lidhet me destabilizim të situatës.Kemi policë të mjaftueshëm nëse ka nevojë për reagim”, tha zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.
Për këto votime, në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq të drejtë vote kanë 46.556 persona, apo 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet lokale të mbajtura më 23 prill 2023, kur u zgjodhën kryetarët shqiptarë.
Në Mitrovicë të Veriut, të drejtë vote kanë 18.796 persona. Në Leposaviq, ky numër është 13.674. Në Zveçan të drejtë vote kanë 7.209 persona, ndërkaq në Zubin Potok 6.877 persona. Që votimi për shkarkimin e kryetarëve të konsiderohet i suksesshëm, do të duhen të votojnë 50 për qind plus një votues, në komunat përkatëse.
Në katër komunat në veri janë 23 qendra votimi, me 63 vendvotime dhe katër qendra për votim me kusht.
Sipas KQZ-së, në Leposaviq janë tetë qendra votimi, ndërkaq në Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë të Veriut nga pesë – numër shumë më i ulët i qendrave të votimit në veri nga 43 sa ishin miratuar fillimisht nga KQZ-ja.
Në mbledhjen e fundit të KQZ-së të mbajtur një ditë para votimeve, u tha se drejtorët e 33 shkollave në veri – që punojnë sipas sistemit serb – kanë thënë se kanë “aktivitete shkollore” dhe nuk mund t’i japin për shfrytëzim objektet për procesin votues. Prandaj, KQZ-ja ka vendosur që disa objekte alternative të shndërrohen në vendvotime.
Pse po mbahen votimet?
Zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit të vitit 2023, që u mbajtën pas tërheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, në fund të vitit 2022, në shenjë pakënaqësie ndaj vendimit për targat të Qeverisë së Kosovës, u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.
Si rrjedhojë, udhëheqjen e Leposaviqit e mori Lulzim Hetemi nga Lëvizja Vetëvendosje, atë të Zubin Potokut Izmir Zeqiri nga Partia Demokratike e Kosovës, udhëheqja e Zveçanit iu besua Ilir Pecit po nga PDK-ja, ndërkaq në krye të Mitrovicës së Veriut u zgjodh Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.
Në maj 2023, kur këta kryetarë – përjashtuar Atiqin – shkuan në zyret e tyre për të nisur mandatin, u përballën me revoltë të popullatës lokale, të cilët protestuan para ndërtesave komunale, të cilat njëkohësisht ishin objekte të komunave që funksionojnë sipas sistemit serb.
Situata u përshkallëzua më 29 maj në Zveçan, pas përleshjeve mes protestuesve dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR. Për pasojë, dhjetëra persona u lënduan nga të dyja palët.
Faktori ndërkombëtar i bëri thirrje Kosovës që të organizojë votime të reja.
Në shtator 2023, Qeveria e Kosovës nxori një udhëzim administrativ që u mundësonte qytetarëve të ndiqnin disa procedura për të shkarkuar kryetarët.
Sipas udhëzimit, serbët, përmes peticioneve mblodhën 20 për qind të nënshkrimeve të nevojshme – nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar – dhe KQZ-ja vendosi 21 prillin si datë të votimit.
Sipas udhëzimit, do të duhen 50 për qind, plus një votë, nga lista e votuesve të votojnë për shkarkimin e kryetarit të komunës përkatëse. Më pas, rezultati i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka afat që nga 30 deri 45 ditësh të shpallë zgjedhjet.
Teksa KQZ-ja veçse kishte nisur procedurat për organizimin e votimeve, Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit – më 7 prill njoftoi se do të bojkotonte votimet.
Kreu i kësaj partie, Zllatan Ellek, u ankua se autoritetet kanë vendosur “procedura të parealizueshme” për votimin e 21 prillit dhe se listat e votuesve “nuk e pasqyrojnë gjendjen reale në terren”, duke argumentuar se numri i shqiptarëve në listat e votuesve “është rritur”.
“Qëndrimi i Listës Serbe është të mos marrë pjesë në referendumin e thirrur nga Albin Kurti [kryeministri i Kosovës], sepse ai bëri gjithçka që ai të dështojë”, tha ai.
Në ditët në vijim, Lista Serbe tërhoqi anëtarët e saj nga Komisionet Komunale Zgjedhore.
Vendimi i Listës Serbe për të bojkotuar votimet u kritikua nga Bashkimi Evropian, që i bëri thirrje këtij subjekti që të rishqyrtojë vendimin dhe të mos bëjë thirrje për bojkot.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, më 21 prill vizitoi vendvotimet në Leposaviq.
Duke folur për bojkotin e Listës Serbe, Krasniqi tha se kjo parti dëshiron që ta ketë “monopolin” mbi politikën e serbëve në Kosovë.
“Lista Serbe dëshiron ta ketë monopolin mbi politikën e serbëve në Kosovë. Ata i shohin institucionet vetëm për vete dhe jo për qytetarët. Ata vazhdojnë t’i kenë ulëset e rezervuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës dhe mos t’i përfaqësojnë interesat e qytetarëve, mirëpo t’i marrin pagat e Kuvendit të Kosovës. Tashmë qytetarët, edhe me votim, deklarojnë nëse janë për largimin e kryetarëve ose jo”, tha Krasniqi.
Kryeministri i Kosovës, Kurti, ndërkaq, më 19 prill u bëri thirrje serbëve që të votojnë nëse duan të shkarkojnë kryetarët, duke argumentuar se ata mund të shkarkohen vetëm përmes votave, “e jo bandave”. Ai tha se nëse qytetarët vendosin të shkarkojnë kryetarët, Qeveria garanton se ky vendim do të zbatohet “me shpejtësi”.
Të tjera
-
Nëntori sjellë Magjinë në ETC
Nëntori sjellë Magjinë në ETC Një muaj dedikuar për ju duke ju ofruar çmim...
-
Dogana e Kosovës i largon pesë punëtorë nga puna
Dogana e Kosovës ka njoftuar se ka larguar nga puna pesë zyrtarë dhe se ka de...
-
Hamza mbledh qytetarët në Fushë Kosovë: Ne mund ta ndërtojmë një Kosovë më të mirë e më të sigurt
Kandidati i PDK’së për kryeministër, Bedri Hamza, ka mbajtur një takim me...
-
“Nuk ndjehem i sigurt” – Kajtazi kërkon që Prokuroria Speciale të merret me rastin e tij
Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar edhe njëherë tjetër pasi një pajisjes përgj...
-
Raporti i Progresit për Serbinë, Kamberi: Thirrje për barazi dhe drejtësi për shqiptarët e Luginës
Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë s...
-
Sinani: Raporti i BE-së për Serbinë, shqiptarët e Luginës së Preshevës janë të diskriminuar
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka thënë se në Raportin e Komisionit Ev...
-
Maqedoncit i konfirmohet mundësia për dërgimin e kadetëve në Katar
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, është pritur me ceremoni të lartë ushta...
-
Kurti në konferencën “Business Agility Day”, fton kompanitë e huaja të investojnë në Kosovë
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë qëndrimit në Zvicër, po merr pjesë ...
-
MSh-ja organizon sonte mbrëmjen rozë
Me rastin e përfundimit të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, M...
-
Orav: Kosova e ka detyrim ligjor themelimin e Asociacionit
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka thënë se Kosova ...
-
Krasniqi: 500 bursa do të ndahen për nxënësit nga komunitetet egjiptian, ashkali dhe rom
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, k...
-
Ministrja Gërvalla takohet me kryeministrin kanadez, Trudeau
Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka udhëtuar drejt Ka...