Në Asamblenë Parlamentare të KiE, Kervan: Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për anëtarësim
Autori: Gazeta inFokus
18:31 | 16 April 2024
Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ka filluar diskutimi lidhur me raportin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë. Deputeti i Republikës së Kosovës, Enis Kervan, ka thënë se Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e të gjitha kritereve për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kervan u bëri thirrje deputetëve që të votojnë në favor të raportit të përgatitur nga Bakoyannis.
“Përpara se të futem në këtë temë, dua të falënderoj nga zemra, Doran, për punën e saj të jashtëzakonshme dhe përkushtimin e patundur. Gjithashtu, dua të shpreh mirënjohjen për të gjithë ju dhe ata që keni kontribuar për ta bërë këtë moment historik si për Kosovën ashtu edhe për Këshillin e Evropës”, u shpreh Kervan.
“Kosova ka bërë përparim të dukshëm në përmbushjen e të gjitha kritereve për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Ne kemi mbështetur me zell parimet e shtetit të së drejtës, demokracisë dhe të drejtave të njeriut, me një angazhim të fortë për mbrojtjen e të drejtave të pakicave kombëtare. Ne promovojmë tolerancën, dialogun dhe pajtimin, në përputhje me standardet ndërkombëtare si Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare dhe Karta Evropiane për Gjuhët Rajonale ose të Pakicave”, shtoi ai.
Për më tepër, Kervan ka thënë se “Kushtetuta jonë garanton mbrojtjen e të drejtave ekonomike, politike, kulturore, fetare, gjuhësore, arsimore dhe mediatike për të gjitha pakicat kombëtare”.
“Të nderuar kolegë, në shënimin e 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës, ju bëj thirrje që të votoni në favor të raportit të përgatitur nga e nderuara znj. Bakoyannnis. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është thjesht një gjest simbolik; është një hap i prekshëm drejt sigurimit të qasjes në drejtësi për të gjithë qytetarët tanë”, ka thënë Kervan.
“Duke mbështetur anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ju jo vetëm që po mbështesni aspiratat tona për integrim evropian, por gjithashtu po rikonfirmoni parimet e drejtësisë, barazisë dhe dinjitetit njerëzor”.
Vota juaj do të hapë rrugën drejt një të ardhmeje më të ndritshme, ku Kosova qëndron me krenari në familjen evropiane, ku të drejtat e të gjithë individëve respektohen plotësisht.
“Sot Kosova pret miratimin tuaj për përfshirje në këtë komunitet të nderuar. Le të bashkohemi, duke përqafuar diversitetin multietnik të Kosovës, si pjesë integrale e kësaj familjeje të madhe”, ka thënë Kervan.
Nerea Ahedo, deputete nga Spanja, tha se i takon grupit që ka mbështetur pavarësinë e Kosovës, përkundër qëndrimit të shtetit të Spanjës dhe e mbështeti anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Ka pyetje që duhet të zgjidhen. Anëtarësimi do të forconte të drejtat e njeriut. Ne do të mbështesnim këtë rrugë [të anëtarësimit]. Mirëpresim integrimin dhe mendojmë që kjo do të jetë edhe një mënyrë për të promovuar stabilitetin në atë zonë”, tha Ahedo.
Deputeti gjerman Frank Schwabe përgëzoi raportin mbi Kosovën dhe bëri thirrje për anëtarësim e saj.
“Këshilli i Evropës, me vlerat tona dhe rregulla dhe kemi dinjitetin tonë. Ky anëtarësim nuk është një mjet për negocim. Ju kërkoj të mbështesni raportin e balancuar dhe t’i refuzoni amendamentet që e rrezikojnë këtë baraspeshë”, tha ai.
Zsolt Nemeth nga Hungaria si përfaqësues i Partisë Evropiane Konservatore, tha se është kundër raportit që u prezantua sot.
Një ndër arsyet kryesore, siç tha ai, është çështja e mosthemelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Çështja e dytë është Serbia. Mospërfillja e interesave të Serbisë është destabilizuese”, tha ai.
Blerina Gjylameti nga Shqipërisa tha se pranimi i Kosovës nuk është vetëm gjest simbolik por “një votë pozitive, është votë për avancimin e të drejtave të njeriut në Kosovë”.
Dora Bakoyannis, e cila edhe e ka përpiluar këtë raport, tha se gjatë punës së saj, asnjë “gur nuk ka mbetur pa u lëkundur” në përgatitjen e raportit dhe tha se është konfirmuar se, pavarësisht disa mangësive, Kosova është demokraci funksionale duke i bërë thirrje Këshillit të Ministrave të ftojë Kosovën të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës.
Ajo ka thënë se juristët kanë konfirmuar qëndrimin se Kosova i përmbush kërkesat bazike për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Bakoyannis shpjegoi se raporti nuk prek çështjen e njohjes apo mosnjohjes së Kosovës dhe se kjo çështje duhet të mbetet kompetencë e shteteve.
Ajo ka përmendur hapat që ka bërë Kosova për t’i përmbushur kushtet, përfshirë edhe zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronësinë e Kishës Ortodokse serbe në Deçan. Këtë e ka quajtur si “problemin më të madh në zbatimin e ligjit në Kosovë që ka pritur nga viti 2016”.
Duke folur për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, ajo ka thënë se këtë e ka konsideruar si çështje krejtësisht në kompetenca të brendshme të Kosovës. Por, ka thënë se kjo ka qenë një gur themel në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë që e udhëheqë BE-ja. Prandaj, shtoi ajo, kjo çështje nuk është në duart e Këshillit të Evropës.
Ajo ka folur edhe për komente agresive që i ka marrë për raportin, shumicën e tyre prej vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën. Ajo u ka thënë atyre se duhet të jenë të sinqertë dhe të pranojnë se këto vende në asnjë rast nuk do ta mbështesnin raportin.
Ndërkohë, Iulian Bulai, anëtar nga Rumania, shtet i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, tha se e përkrah anëtarësimin e Kosovës dhe se pret që Kosova t’i përmbushë obligimet që vijnë me anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Edhe deputeti grek, Alexis Tsirpas, tha se e përkrah anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.
Për t’u miratuar raporti nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duhet të sigurohet një shumicë prej dy të tretave të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës përbëhet nga deputetët të cilët vijnë nga parlamentet nacionale të vendeve anëtare. /Telegrafi

T� tjera
-
Rusët i kërkojnë bashkëpunim Vuçiqit edhe pas rrëzimit- shpresojnë që kjo të ndodhë edhe me forcën e re në Serbi
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se Moska pret që ish-presidenti ser...
-
Kamberi: Lista Studentore që mposhti Vuçiqin duhet ta pranojë realitetin e Kosovës së pavarur
Deputeti i zgjedhur në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se mbetet ...
-
VV-ja “harron” se është në pushtet, fajëson “pushtetin e vjetër” për kulturën e të fortit
Lëvizja Vetëvendosje, parti që udhëheq me Kosovën prej vitit 2021, ka fajësua...
-
Rasti në Pejë, Endrit Thaçi mbështet protestën për gratë
Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur m...
-
Protestat në Tiranë, Rama për mediat greke: Qeveritë ndryshojnë me zgjedhje, jo me kokteje molotovi
Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për mediat greke lidhur me prot...
-
Vdes hoxha i njohur nga Kosova
Ka ndërruar jetë Bahri Simnica, ish-drejtor i Medresesë “Alauddin” në Prishti...
-
Kuvendi miraton rezolutën për mbrojtjen e grave dhe parandalimin e dhunës në baza gjinore
Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën për mbrojtjen e grave dhe parandalimi...
-
Haradinaj akuzon Qeverinë Kurti për korrupsion: Shiko tenderët njëburimorë dhe sektorin energjetik
Ramush Haradinaj nga Aleanca, ka qenë i ftuar në “Pressing” të T7. Ai ka a...
-
Rasti i Arlinda Zekajt, Sveçla: Kërkova nga IPK-ja të hetojë veprimet e policisë
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Kuven...
-
Kryeprokurori Gashi për vrasjen e Zekajt: Nesër ose pasnesër dalim me deklaratë
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnullah Gashi, ka paralajmëruar se nesër ose pasne...
-
Rama ndez qirinj në kujtim të Arlinda Zekajt: Kërkojmë drejtësi dhe përgjegjësi për çdo dështim
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka ndezur qirinj në objektin e Kryeqyte...
-
“E ndjera i kishte paralajmëru – Duhet të shqyrtohet përgjegjësia e secilit”, Haradinaj për vrasjen e Arlinda Zekajt
Ish-kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i ftuar në Pressing në T7, foli ...






























