Kryeministri kërkon zbatimin e vendimit – Çfarë ka në 24 hektarët përreth Manastirit të Deçanit?
Autori: Gazeta inFokus 13:26 | 13 March 2024
Që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, Manastiri i Deçanit, i cili gjendet në pjesën perëndimore të vendit, kërkon marrjen në pronësi të një sipërfaqeje prej rreth 24 hektarësh.
Kjo tokë, që ndodhet përreth këtij manastiri, në kadastër është e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve “Iliria” dhe “Apiko” – e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.
Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016.
Por, këtë vendim, autoritetet lokale të Deçanit nuk e zbatojnë as sot e kësaj dite, duke vlerësuar se kjo sipërfaqe u mor me dhunë në vitet ’90, nga regjimi i udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Nga Manastiri i Deçanit i thanë REL-it se në vitin 1997, manastirit, në fakt, iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, të cilët i janë marrë në vitin 1946 nga pushteti komunist i Jugosllavisë së atëhershme.
Çfarë ka në këtë sipërfaqe dhe pse është e rëndësishme për Deçanin?
Përveç tokës bujqësore dhe pyllit, në këta 24 hektarë ndodhen edhe dy objekte hoteliere, me rreth 10 objekte të vogla përcjellëse, si dhe objekti i një ndërmarrjeje që në kohën e paraluftës njihej për prodhim të mjaltit.
Hotel “Iliria”, një objekt i shkatërruar në mes të malit
Rreth 500 metra larg Manastirit të Deçanit, i fshehur mes pishave të larta, ndodhet objekti i hotelit “Iliria”.
Ky hotel ishte ndër më të njohurit e kësaj ane në vitet e 70-ta dhe 80-ta.
Përveç që punësonte mesatarisht rreth 40 punëtorë, ai kishte fluks të madh vizitorësh, sidomos gjatë sezonit të verës.
Ky objekt – tani nën mëshirën e fatit – ndaloi së punuari në vitet ’90, kur regjimi i atëhershëm serb vendosi masa të dhunshme në Kosovë, duke mbyllur shumë institucione dhe ndërmarrje.
Inventari dhe gjërat e tjera përcjellëse u vodhën apo u dëmtuan në masë të madhe pas luftës, më 1999.
Hoteli tjetër që nuk i shihet fundi
Në skaj të hotelit “Iliria” ndodhet një kompleks tjetër hotelier.
Ndërtimi i tij nisi para luftës së viteve 1998-99, por punimet nuk u finalizuan.
Tensionimi i situatës politike atëbotë dhe fillimi i luftës bënë që punimet të ndërpriteshin.
Aty tani ka vetëm mbetje të ndërtimit.
Për këtë hotel nuk ka të dhëna për sipërfaqen, por ajo duket mjaft e madhe.
“Apiko”, një objekt i rrethuar që s’mund të vizitohet
Objekti i bletarisë “Apiko” është i boshatisur dhe i rrethuar me tela.
Aty ka vite që nuk ka shkelur këmbë punëtori.
Që nga viti 1999, objekti i kësaj ndërmarrjeje është nën kujdesin e trupave të misionit paqeruajtës të KFOR-it.
Hyrja në të është e ndaluar.
Për shkak të afërsisë me një pikë kontrolli të KFOR-it, fotografimi i objektit është i mundur vetëm nga një distancë e largët.
Këtu kanë punuar rreth 30 punëtorë deri në fillim të viteve të 90-ta.
Si shumë ndërmarrje të tjera, edhe “Apiko” ndaloi së operuari për shkak të tensionimit të situatës politike.
Të gjitha këto objekte dhe vetë objekti i Manastirit të Deçanit ndodhen brenda asaj që me ligj kualifikohet si Zonë e Veçantë e Mbrojtur dhe përfshin gjithsej 839 hektarë.
Kuvendi i Kosovës, në vitin 2008, miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb, si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.
Në zona të tilla nuk lejohen ndërtime e as zhvillim i projekteve infrastrukturore, por kjo s’e pengoi manastirin që të shtojë rrethoja guri dhe objekte të tjera përgjatë viteve.
Historia e kontestit në pak rreshta
Komuna e Deçanit dhe drejtoritë përkatëse, përfshirë Kadastrën, refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër këta 24 hektarë.
Ato pretendojnë se kjo sipërfaqe u takon ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe “Iliria” dhe se nuk i kanë takuar asnjëherë Manastirit të Deçanit.
Jo vetëm institucionet lokale në Deçan, por edhe Qeveria e tanishme e Kosovës, si dhe disa qeveri të kaluara kanë shprehur haptas bindjen se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997, kur ai ka vendosur t’ia dhurojë atë pronë Manastirit të Deçanit.
Në një formë apo tjetër, këtë mendim e kanë shprehur edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, si dhe presidentja Vjosa Osmani.
Por, kërkesa të vazhdueshme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese – autoritetit përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës – ka nga shtetet e QUINT-it: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.
Të tjera
-
Sot mbahet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër diskriminimit racor
Sot në Prishtinë do të organizohet Samiti i Ballkanit Perëndimor kundër Diskr...
-
Moti sot i vranët dhe me intervale me diell
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njofton se sot parashihet të jetë jet...
-
Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sipas kalendarit sot do të vazhd...
-
Kurti: Një shoqëri e lirë nga dhu*na është shoqëri më e fortë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se beteja për barazinë në shoqër...
-
Bislimi e Petkoviq takohen në dhjetor – çka pritet nga dialogu?
Takimi i ardhshëm i kryenegociatorëve të Kosovës e Serbisë, Besnik Bislimi dh...
-
“Peci ka aludu se ‘fushata’ kundër tij ka nisur nga kolegët në Qeveri që kanë xhelozi” – Burim Ramadani thotë se qeveria ka probleme përbrenda
Analisti Burim Ramadani tha se në Qeverinë Kurti ka “panik ligjore”, sepse si...
-
Grabitje në një market në Pejë, një person i maskuar kanosi me thikë punëtoren dhe ia mori 500 euro
Marketet në vendin tonë jo rrallëherë janë cak i hajnave. Kjo dukuri po krijo...
-
Të shtëna armësh në Prishtinë, lëndohen disa persona
Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar sot në Prishtinë, pas një konflikti mid...
-
Shpalosja e programit për arsim në Vushtrri, Abdixhiku premton rritje të pagave për mësimdhënësit
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka shpalosur detaje nga tubimi që mbajti ...
-
Promovohet pulla postare kundër dhu*nës gjinore `Sot dhe Çdo Ditë Tjetër`
Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sonte në qarkullim post...
-
Osmani: Derisa çdo grua të jetë e lirë nga dhụna, asnjëra nga ne nuk është vërtetë e lirë
Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, presidentja e Koso...
-
Izraeli tërheq kundërshtimin për Kosovën në Konventën Apostile të Hagës – vendi aty kishte aderuar më 2016
Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Holandës ka njoftuar se shteti ...