Lajme

Kurti s’shkoi në samitin në Tiranë, Hoti: Ligjëratat nëpër Irlandën Veriore vetëm pretekst – aty ka qenë vendi për zhbllokimin e 300 milionë eurove

Autori: Gazeta inFokus 14:41 | 29 February 2024

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar lidhur me mos shkuarjen e Kryeministrit Albin Kurti në Tiranë për Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.

Hoti ka thënë se “ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim”, raporton Express.
Sipas Hotit, aty ka qenë vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës.

“Nuk ka asnjë arsyetim pse Kosova nuk është e pranishme në Tiranë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian. Nuk ka agjendë më të rëndësishme për Qeverinë se ky samit, përveç ndonjë emergjence kombëtare. Jam i sigurt se ligjëratat nëpër Irlandën Veriore janë vetëm pretekst për të ikur nga ky takim”, ka thënë Hotit.

-Advertisement-

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu deklaroi për Express se Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi, shkaku i angazhimeve.

“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri Kurti nuk do jetë i pranishëm fizikisht në samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e samitit virtualisht përmes një video-adresimi”, ka thënë Kryeziu për Express.

Tutje, Hoti ka thënë se Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti.

“Samiti në Tiranë është vendi për të prezantuar nevojat dhe projektet, si dhe për të bërë konsultimet e nevojshme me partnerë. Aty është vendi për të insistuar dhe avokuar për zhbllokimin e 300 milionë eurove për projekte për shkak të masave të BE-së ndaj Kosovës. Sipas Komisionierit për Zgjerim, Oliver Varhelyi, plani i BE-së për rritjen ekonomike të Ballkanit Perëndimor është konceptuar në Tiranë. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës do të duhej të bënte konsultime të ngushta me Qeverinë Rama përpara këtij samiti”, tha Hoti.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Edhe një storie suksesi – PRINCE CAFFE lidh marrëveshje bashkëpunimi me kompaninë më të madhe në Kroaci të shitjes me…
-Advertisement-

Të tjera