Lajme

BQK po e diskuton mundësinë e shtyrjes së vendimit për dinarin

Autori: Gazeta inFokus 11:48 | 31 January 2024

Banka Qendrore e Kosovës ka pranuar se po diskutohet mundësia e shtyrjes së vendimit që në Kosovë të përdoret vetëm valuta euro dhe të ndalohet dinari serb për shitblerje.

Kështu të paktën ka bërë të ditur kryetari i Bordit të BQK-së, Bashkim Nurboja, i cili potencoi se në asnjë mënyrë nuk do të bëhet pezullimi i rregullores në fjalë.

Komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar që Qeveria e Kosovës ta shtyjë vendimin në një afat më optimal, pasi shteti serb tha se vendimi i Kosovës afekton serbët e Kosovës, meqë ata i pranojnë të gjitha ndihmat nga Serbia në dinarë.

-Advertisement-

“Pezullimi [i rregullores] në asnjë mënyrë. Shtyrja është në diskutim e sipër. Lajçaku nuk ka pasur takim me askënd nga BQK-ja. Siç e dini, BQK-ja është institucion i pavarur. Ne jemi duke e diskutuar si çështje, nuk ka vendim përfundimtar ende, sot do të dalim me një vendim se ajo nga nesër hyn në fuqi”, ka thënë Nurboja për Radio Evropën e Lirë.

Nurboja gjersa ka shpjeguar rregulloren e re të BQK ka potencuar se kur euroja definohet si instrument i vetëm i pagesës, atëherë kjo i bie që blerjet në dyqane duhet të bëhen vetëm me valutën euro.

“Kjo nuk i ndalon kurrsesi valutat tjera, ato mund të këmbehen në këmbimore, vlera e pasurisë mund të mbahet nëpër valuta tjera nëse bankat e ofrojnë atë produkt, siç është dollari, frangu apo çfarëdo valute tjetër. Nuk ka të bëjë me një valutë, por ka të bëjë me euron dhe valutat tjera, nuk ka të bëjë me një valutë specifike”.

Në pyetjen se a munden qytetarët të hapin llogari bankare në dinar, Nurboja ka theksuar se një çështje e tillë varet nga bankat komerciale e assesi nga BQK-ja.

“Ne asnjëherë nuk ua ndalojmë, as nuk ua kufizojmë. Është politikë e brendshme [e bankave]. Për shembull, keni banka që jua hapin xhirollogarinë në dollarë, në franga. Nëse e shohin me interes për ta hapur në dinarë, ajo është çështje e tyre. Ne as nuk i kufizojmë, as nuk i detyrojmë. Kjo është një çështje që ka të bëjë me riskun valutor, janë elemente teknike të institucioneve financiare”.

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
BKT Kosova vlerësohet për herë të tretë "Banka e Vitit 2023 në Kosovë" nga The Banker
-Advertisement-

Të tjera