Lajme

Sot i hapet rruga qeverisë teknike në Maqedoni të Veriut, Talat Xhaferi pritet të bëhet kryeministër

Autori: Gazeta inFokus 11:12 | 25 January 2024

Ditën e sotme i hapet rruga formimit të qeverisë teknike në Maqedoninë e Veriut që do të drejtohet për herë të parë nga një kryeministër shqiptar. Talat Xhaferi pritet të marrë “timonin” e qeverisë teknike e cila do të merret me organizimin e zgjedhjeve parlamentare që do të zhvillohen më 8 Maj.

Këtë të enjte do të japë dorëheqjen nga posti i kryeparlamentarit vetë Talat Xhaferi dhe qeveria e Dimitar Kovaçevskit. Pasi të dorëhiqet kryeministri, do të njoftojë Presidentin e vendit, Stevo Pendarovskin. Pastaj kreut të shtetit i duhet të autorizojë nënkryetarin e Kuvendit që të udhëheqë seancën plenare ku do të dorëzohet dorëheqja e Talat Xhaferit.

Më pas kalohet në etapën tjetër, atë të propozimit të kandidatit për kryeministër. Sërish do të trokitet në derën e Presidentit i cili do të njoftohet për postin e kryeministrit, që në këtë rast është Talat Xhaferi. Më pas, këtij të fundit do t’i jepet mandati për të formuar qeverinë.

-Advertisement-

Pjesë e qeverisë teknike është edhe partia më e madhe e opozitës, VMRO-DPMNE, e cila ka shfaqur rezerva sa i përket caktimit të një shqiptari në postin e kryeministrit. Kësaj partie i takojnë disa ministri, ku më e rëndësishmja është ajo e Punëve të Brendshme.

Sa i përket qeverisë së re, Klan Macedonia ka mësuar se Artan Grubi do të mbetet zëvendëskryeministër dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.

Megjithatë, rolin e zv/kryeministrit të parë do ta marrë Bojan Marçiç, i cili deri më tani ishte zv/kryeministër për çështje europiane.

Qeveria teknike pritet që të votohet më 28 Janar nga parlamenti i Maqedonisë së Veriut./tvklan.al

Subscribe në YouTube: GAZETA INFOKUSI
Kryetari Përparim Rama pjesë e ‘Mayor’s Talk’
-Advertisement-

Të tjera