Inspektorati nis hetime për raportimin e policisë se 18 vjeçari u ther me thikë, në pamje u panë goditje brutale me shufër
Autori: Gazeta inFokus
12:57 | 22 January 2024
Goditjes me veturë dhe më pas goditjeve të përsëritshme me shufër në kokë nuk ka mundur t’u mbijetojë 18-vjeçari Lulzim Fejzullahu nga Podujeva, as pas një përpjekjeje 6 ditore të mjekëve në QKUK.
Nga Klinika e Intensivës kanë treguar se ai kishte lëndime të rënda e gjakderdhje në kokë, por s’kishin parë plagë therëse. Policia fillimisht e ka përshkruar rastin si therje me thikë, por pamjet e publikuara e kanë demantuar totalisht. Për këtë, Inspektorati Policor i Kosovës tashmë ka nisur një hetim.Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur një hetim duke grumbulluar informacione për veprimet e policëve, pas vrasjes së 18-vjeçarit Lulzim Fejzullahu.
Zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka, i tha Gazetës Express se po mbledhin informacionet, duke përfshirë edhe shkresat e Policisë lidhur me këtë rast që u përshkrua ndryshe ditën kur ndodhi, nga çfarë treguan pamjet e publikuara dje.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju informojmë se lidhur me këtë rast Inspektorati Policor i Kosovës sipas detyrës zyrtare ka filluar një hetim preliminar që përfshin përveç tjerash edhe grumbullimin e informacioneve shtesë rreth veprimeve të policisë si dhe sigurimin e të gjitha shkresave lidhur me këtë rast”, tha Beka.
“Veprimet tjera do të ndërmerren varësisht nga të gjeturat e hetimit preliminar dhe autorizimeve ligjore të IPK-së”, shtoi ai.
Këtë rast, Policia në raportin 24-orësh dërguar mediave një ditë më pas, e kishte cilësuar si vrasje në tentativë, duke e përshkruar si therje me thikë.
“Podujevë 14.01.2024-13:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë pasi që, të njëjtit kanë therur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Podujevë dhe më pas është dërguar për në QKUK Prishtinë. Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka konfiskuar një thikë dhe një veturë. Me vendim të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje”, thuhej në raport.
18-vjeçari ndiq të shtunën në Klinikën e Intensivës në QKUK, ndërsa shefi i këtij reparti, Shaqir Uka i tha Gazetës Express se te viktima nuk kanë parë plagë therëse.
“Pacienti është sjellë në njësinë e mjekimit intensiv qendror pas intervenimit kirurgjik në sallën e qendrës emergjente në urgjencë, për shkak të lëndimeve që ka pësuar në regjionin e kokës dhe ato si pasojë e gjakderdhjes që ka pësu në regjionin e kokës si pasojë e goditjeve. Nuk kemi të evidentuar, as në raportin e Qendrës Emergjente, por as ne këtu nuk kemi pa që ka pasë plagë therëse”, tha Uka.
Kur Lulzim Fejzullahu vdiq, Prokuroria Themelore e Prishtinës e përshkroi ndryshe rastin nga si ishte përshkruar nga Policia më 14 janar, duke e cilësuar tash si vrasje.
“Pas një përleshje fizike, dy të dyshuar (të mitur) e kanë goditur me një shkop viktimën (tashmë të ndjerin, 18 vjeç), duke i shkaktuar lëndime trupore, ku si pasojë e këtyre lëndimeve të marra, viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa po në të njëjtën ditë, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, dy të miturit janë ndaluar për shkak të veprës penale “Vrasje në tentativë” (tashmë vrasje) dhe rasti ka filluar të trajtohet në Prokurorinë Themelore në Prishtinë”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.
Prokurori i rastit urdhëroi që trupi i pajetë i 18-vjeçarit të dërgohej në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Të nesërmen, pra dje, Policia në raportin 24-rësh e cilësoi këtë rast si vrasje e rëndë.
“VRASJE E RËNDË- Rr. Drenica, Podujevë 14.01.2024-13:00. Lidhur me rastin, me 20.01.2024 viktima mashkull kosovar i cili ka qenë duke u trajtuar në QKUK, ka ndërruar jetë. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke hetuar”, u tha në raport.
Pamjet e publikuara dje dëshmuan se 18-vjeçari fillimisht ishte goditur me veturë, ndërsa më pas kishte marrë disa goditje me shufër në kokë. Pas obduksionit, ai u varros dje në varrezat e qytetit në Podujevë.
Rrahim Fejzullahu, axha i viktimës, tha dje se familjarë të të dyshuarve që tashmë ndodhen në paraburgim, i kishin dërguar njerëz. Gjyshi i njërit prej sulmuesve, siç tha ai, i kishte thënë se nipi i tij ishte therë me thikë.
“Të dyshuarit e kanë çu dikë te unë. Më shumë po ma bëjnë qeto fjalë se që kam edhe tjetër mërzi. Familja e qetij Llaushës më ka ardhë babëgjyshi në shtëpi edhe më ka thënë që edhe djali ynë është i therrur. Nuk është e vërtetë. I ke kamerat në Polici. I shfaqim këto pas ceremonisë, Policia kur t’i kryen të vetat edhe i shihni vetë. S’ka aty të therrur. Qeto fjalë po ma bëjnë… Ky tjetri, Dabinovci, më ka çu njerëz. Më ka thënë që jam në gjendje me i çu për Turqi nëse ka nevojë me i ndihmu. Po ma rrehë, po ma alivanosë e po ma shëndoshë… Nuk kam nevojë për paret tua, t’u rritë nera… Kanë lypë me ardhë sot në varrim. S’i kam leju. Jo për diçka, por nuk po mund të bëjë ballë. Shkurt, shqip”, tha ai.
Sipas familjarëve, viktima të shtunën e 13 janarit kishte pasur një mosmarrëveshje verbale me dy të dyshuarit në një rrojtore afër, për “jo s’mundesh me hy para meje, jo mundesh”, siç e përshkroi Rrahim Fejzullahu. Ai tha se atë ditë “i kanë ndërrue do fjalë jo fort të rënda mes vete”.
Sipas këtij versioni, Lulzim Fejzullahu ishte kthyer në shtëpi, ndërsa të nesërmen kishte ndodhur rasti fatal.
“I ka lanë me u qethë krejt, janë rrokë me krahë në derë, si shqiptarët që e kanë zakon me e rreh veten naltë ‘pse më rroke, pse të rroka’. Edhe ka ardhë prej shpie. Ata që e kanë rrahë djalin, më së pari e kanë përcjellë me kerr, e kanë shkelë me kerr. Të nesërmen, ditë e diel, në mesditë, në ora 12:10. E kanë përcjellë me kerr, e kanë sulmu me kerr, janë kamerat, i ka Policia. Kur e kanë shkelë, e kanë rrëzu djalin, e atëherë i kanë hipë me shufra kresë. Asnjë shenjë në trup s’e ka djali, pos në krye”. Kaq kam informacione. Mashkulli ynë dje ka ndërrue jetë, në ora 03:20. Sot e ka varrimin.”, tha axha i tij.
Lulzim Fejzullahu në moshën 4 vjeçare kishte mbetur pa njërin prind, ndërsa pak më vonë i kishte vdekur edhe tjetri. “E kam mbajtë sa kam pasë mundësi”, tregoi axha i tij.
“S’ka person që ecë me dy këmbë për rrugë të Zotit që mund ta thotë një fjalë të ligë për të. Se ky ka qenë jetim. Ky është angazhu pas shkollës së mesme, e ka përfundu shkollën, u angazhu me punu për ta bë një kafshatë bukë për vete”, tha ai. “Unë veç kërkoj drejtësi maksimale”.

T� tjera
-
Burri që i dorëzoi Vuçiqit fletëvotimin: Ai mezi ecte, e dinte se kishte marrë fund
Aleksandar Vuçiq, kandidati kryesor i listës “Serbia e Bashkuar”, votoi në zg...
-
Qytetarët ndezin qirinj në Pejë në kujtim të Arlinda Zekajt, kërkojnë drejtësi dhe mbrojtje për gratë
Qytetarë dhe përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile janë mbledhur në...
-
Specialja miraton publikim transkripteve me redaktime në rastin Thaçi e tjerët
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë miratuar publikimin e versione...
-
Rasti i Pejës, Bajrami: Haxhiu s’do të duhej t’i merrte në mbrojtje Sveçlën dhe Gërvallën
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ins...
-
Nesër varroset Arlinda Zekaj
Vrasja e Arlinda Zekajt nga kunati i saj, mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë ...
-
Studentët shqiptarë pro krijimit të një lëvizjeje politike sipas modelit serb: S’ka më fjalë, veprime
“Sot në orën 2 te vendi”, kështu nis dita e të rinjve që prej 5 muajsh janë n...
-
Ambasada britanike pas rastit të Arlindës: Askush që kërkon ndihmë nuk duhet të mbetet pa mbrojtje
Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka shprehur pikëllim të thellë pas ra...
-
“Të mos përfundojë me lamtumirën e fundit”, Musliu për debatin rreth rastit të Arlindës
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, në seancën për v...
-
Maqedonci: 209 rekrutë të rinj nisin stërvitjen ushtarake bazë në FSK
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka njoftuar se 209 rekrutë të rinj kanë...
-
14 ditë protestë! Pjesëmarrje më e ulët dhe situatë e qetë
Pas 3 orësh te Ministria e Arsimit ku u grumbulluan rreth orës 14:00, në mbrë...
-
Krismë armësh në Gjakovë, dy familjet tentojnë të qerojnë hesapet në rrugë
Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në orët e mbrëmjes në zonën e Bllokut...
-
Gjini: Kurti ligjëroi për përgjegjësitë e shtetit, por askush nga pushteti nuk dha dorëheqje pas vrasjes së Arlinda Zekajt
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ...



























